24 Prill 2024

Shkarkimet e shërbyesve civilë, në kundërshtim me Kushtetutën

Prishtinë, 22 prill - Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbledhjen e saj të sotme debatoi për çështjen e funksionimit të Shërbimit Civil të Kosovës.

AAK konsideron se shkarkimet arbitrare të shërbyesve civilë, në javët e fundit, në Qeverinë e Kosovës, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë në kundërshtim me parimet universale të vetë ekzistimit të Shërbimit Civil, por, mbi të gjitha, janë në kundërshtim me kriteret kryesore për integrim në BE.

Në vendet demokratike, Shërbimi Civil ndërtohet me dekada si shërbim i paanshëm politikisht, profesional dhe objektiv, kurse Qeveria Thaçi, që nga ardhja në pushtet, me suprimimin e organit vlerësues të shërbyesve civilë KELP (Këshilli për Emërime të Larta Publike), moszëvendësimin e qëllimshëm të këtij mekanizmi, e ka përdorur  për spastrim të të gjithë zyrtarëve që kanë mbajtur poste udhëheqëse në Shërbimin Civil të Kosovës.

AAK vlerësin se pa asnjë evaluim formal të performancës janë larguar trembëdhjetë nga gjashtëmbëdhjetë sekretarët permanentë të ministrive, drejtorë të agjencioneve qeveritare, të emëruar nga KELP dhe shumë zyrtarë e drejtues të tjerë të lartë të shërbimit civil.

Të gjithë të larguarit janë zëvendësuar me anëtarë dhe simpatizantë të  PDK-së dhe të LDK-së, e jo në bazë të meritave dhe profesionalizmit, por në baza partiake, duke krijuar shërbim civil me ngjyrim të fuqishëm partiak. 

AAK vlerëson se vendimet e deritanishme të Qeverisë në emërime dhe shkarkime janë të paqëndrueshme dhe pa bazë ligjore. Insistimi i kryeministrit që me shkarkime arbitrare dhe emërime politike të mbajë Shërbimin Civil në këtë gjendje, nënkupton përfundimin definitiv të ekzistimit të shërbimit civil në Kosovë.

AAK vlerëson që kjo praktikë e partive në pushtet është e dëmshme dhe me pasoja afatgjate për qeverisjen në Kosovë dhe kërkon që Ligji për Shërbyesit Civilë, i cili është në proces të aprovimit, të jetë i hartuar konform praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të ketë efekt retroaktiv për të gjitha emërimet dhe shkarkimet që kanë ndodhë që nga suprimimi i KELP-it.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)