15 Maj 2024

SHBA vazhdon ta përkrah Kosovën në fushën e ekonomisë

Prishtinë, 4 shtator - Ministri i Financave, Bedri Hamza ka pritur sot në takim zyrtar ambasadoren e porsaemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Jacobson.

Ministri Hamza duke shprehur kënaqësinë për takimin  e parë njohës me  ambasadoren Jacobson,  në emër të Ministrisë së Financave falënderoi  Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin dhe për ndihmën e gjithanshme në zhvillimin e Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve,  e në veçanti Ministrinë e Financave.

Ndër tjera ai tha se “ne si Ministri e Financave ndihemi si institucion i privilegjuar që gjatë gjithë kësaj kohe që nga themelimi,  kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë amerikane dhe këshilltarëve të shkëlqyeshëm të saj nga Departamenti i Thesarit amerikan dhe USAID-i”.

Në këtë takim është diskutuar për situatën makrofiskale në Kosovë,  ku Ministri Hamza ka informuar Ambasadoren amerikane për rrjedhat makroekonomike në Kosovë, për trendin e të hyrave,  dhe për ekzekutimin e buxhetit.

“Biseduam për relacionet e Kosovës me institucionet financiare ndërkombëtare në këtë rast edhe me FMN-në, për projektet e rëndësishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës që janë në zhvillim e sipër, duke  përfshirë edhe autostradën 7 por edhe projektet që pritet të vijnë në periudhën e ardhshme, biseduam për krijimin e ambientit të përshtatshëm për zhvillimin e ndërmarrjeve, sidomos në sektorin privat, dhe ne si Qeveri jemi të përkushtuar për rritjen ekonomike, jemi të përcaktuar që bartës i kësaj rritje dhe zhvillimit ekonomik të jetë sektori privat, ndërsa ne të krijojmë kushte duke ofruar ligje të mira dhe duke ofruar infrastrukturë fizike “, tha Ministri Hamza.

Ai gjithashtu shtoi se “në fund të takimit tonë, biseduam dhe e luta Ambasadoren për vazhdimin e bashkëpunimit të përkrahjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e në veçanti përkrahjen e këshilltarëve të thesarit amerikanë dhe të USAID-it, sepse kjo neve na bënë më të sigurt dhe na  ndihmon në rrugën tonë drejtë  që të ecim përpara”.

Ndërsa, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson, duke e cilësuar si një takim të shkëlqyeshëm takimin me Ministrin Hamza, tha se “ në këtë takim u informova  rreth gjendjes ekonomike në Kosovë, për strategjitë afatshkurtra dhe afatmesme, për përpjekjet për të rritur të hyrat vetanake,  si menaxhimin e shpenzimeve.

"Gjithashtu për baraspeshimin e investimeve dhe menaxhimin e projekteve të ndryshme, të cilat kërkojnë maturi dhe përpjekje të shumta”.

“Kisha kënaqësinë  të dëgjoj nga  vet Ministri,  që Qeveria e Republikës së Kosovës,  e çmon lart përkushtimin dhe  përpjekjet tona për zhvillim e Kosovës,  në  të gjitha ato fusha që përmendi Ministri, e në veçanti  në tërheqjen e investitorëve”, shtoi ambasadorja Jacobson.

Duke siguruar ministrin Hamza se  bashkëpunimi përmes USAID-it, Thesarit si dhe departamenteve të tjera të qeverisë amerikane, do të vazhdojë edhe më tej, Ambasadorja amerikane , tha se “ ne e konsiderojmë se ky bashkëpunim kaq i ngushtë është i rëndësishëm për të arritur rritjen ekonomike që po aspironi ju”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)