16 Maj 2024

RTK-ja shkeli ligjin për organizim sindikal

Prishtinë, 18 qershor - Keqmenaxhimi i buxhetit të RTK-së, mosmiratimi i rregullores së re për sistematizimin e vendeve të punës, aneks-kontratat e paligjshme dhe dëmtimi i buxhetit të RTK-së dhe të gjeturat e Raportit të Auditimit në shkeljet drastike në menaxhimin e financave janë disa nga shqetësimet të cilat i ka shprehur në intervistën për “Epokën e re” kryesindikalisti i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Naser Thaçi.

“Epoka e re”: RTK-ja me dy sindikata, pse?
N. Thaçi: Ka shumë arsye pse RTK-ja i ka dy sindikata, por do t\'i përmend vetëm disa. E para është se sindikata e vjetër e ka humbur besueshmërinë e saj karshi punëtorëve, sepse kryesia dhe kryetari i saj i kanë realizuar qëllimet e veta, duke përfituar pozita të reja në emër të sindikatës.

“Epoka e re”: Pse mendoni se sindikata e vjetër s’ka besueshmëri?
N. Thaçi: Sepse e ka shkelur ligjin për organizim sindikal. Në vend se të interesohen për kushtet e punës së punëtorëve, ata janë marrë me çështje që nuk janë në misionin sindikal duke u përzier në çështje editoriale, kanë bërë marrëveshje në dëm të punëtorëve, janë përzier në punë menaxheriale, kanë ndikuar në përzgjedhje të tenderëve në raste të caktuara etj.

“Epoka e re”: Të shkojmë me radhë. Përmendët tenderët dhe marrëveshjet, për çfarë është fjala?
N. Thaçi: Po, sipas informacioneve që kemi ne, ata kanë vendosur për tenderin e shërbimeve të bufesë së RTK-së, ku punëtorët vazhdojnë të jenë të pakënaqur me shërbimet e saj dhe marrëveshjen për vazhdimin e shërbimeve shëndetësore në dëm të punëtorëve. Kur e them këtë, dua të sqaroj se punëtorët e RTK-së nga shatori i vitit 2011 e deri në maj të këtij viti kanë paguar tarifat të plota për shërbim shëndetësor, ndërkohë që kanë gëzuar vetëm 50 % të këtyre shërbimeve.

“Epoka e re”: Përmendët mysafirët e emisioneve, emërimet, çka nënkuptoni me këto?
N. Thaçi: Kjo sindikatë e ka harruar misionin e saj sindikal. Një nga gabimet themelore që e ka bërë është reagimi publik kundër pranisë si opinionist të z. Migjen Kelmendi në RTK. Ai reagim shkel të gjitha parimet e lirisë së shprehjes dhe medies. Vetëm në vendet diktatoriale, totalitare ndodhin këto gjëra, ku individëve të caktuar, kryesisht atyre që janë më kritik, u pamundësohet dhënia e mendimit të lirë, ndërsa udhëheqësit e kësaj sindikate si duket kanë prirje të tilla totalitare. Rasti tjetër është reagimi publik i udhëheqësve të kësaj sindikate kundër zgjedhjes për kryeredaktor të TV-së, gazetarit, publicistit, analistit, por edhe punëtorit shumëvjeçar të RTK-së, z. Mufail Limani. Nga këto reagime vërehet se udhëheqësit e kësaj sindikate kanë pretendime menaxheriale. Ne brenda RTK-së i dimë qëllimet e tyre dhe nga kush nxiten, por me këto veprime ata vetëm sa e dëmtojnë veten. Pra kjo sindikatë jolegjitime, e ka shkelur lirinë e shprehjes dhe ligjin për organizim sindikal të Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Pse thoni se është jolegjitime sindikata tjetër?
N. Thaçi: Bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 05/2008, neni 2, pika 2, ku thotë se sindikatat mund ta fillojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e vet, vetëm pasi të jenë regjistruar në MPMS. Kjo sindikatë nuk është e regjistruar në institucionet kosovare, përveç një dokumenti që e ka nga koha e UNMIK-ut, nuk ka asgjë tjetër. Që prej themelimit të saj nuk e kanë verifikuar kurrë më anëtarësinë dhe si duket po kanë frikë të regjistrohen për shkak se për të bërë këtë duhet edhe një herë nga fillimi t’i marrin konfirmimet e secilit punëtor të RTK-së në mënyrë që ta sigurojnë numrin e kërkuar për t’u regjistruar si sindikatë sipas ligjeve në fuqi. Për këtë arsye kjo sindikatë është e paligjshme dhe në mënyrë të paligjshme ua merr paratë për anëtarësi punëtorëve të RTK-së. Kjo sindikatë nuk ka kurrfarë raportesh me BSPK-në, madje në BSPK as nuk i njohin kryesinë e kësaj sindikate. Kjo tregon se sa kanë qenë të përkushtuar për ta zhvilluar misionin sindikal.

“Epoka e re”: Po ju a jeni të regjistruar në MPMS?
N. Thaçi: Po. Ne jemi të regjistruar si Federatë Sindikale e Punëtorëve të RTK-së, më datën 27. 3. 2012, me nr. protokolli 100, në përputhje me dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 05/2008 për rregullimin dhe përcaktimin e kritereve dhe proceduarve për regjistrim të sindikatave.

“Epoka e re”: Keni pengesa për ta ushtruar aktivitetin tuaj sindikal?
N. Thaçi: Po. Nga fillimi ka pasur shantazhe nga një pjesë e menaxhmentit, mospërfillje nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, edhe pasi jemi regjistruar si Federatë Sindikale. Ka dy muaj që e kemi dorëzuar kërkesën për kalim të kontributeve të anëtarësisë sonë në llogarinë bankare të SPERTK-së, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Kemi pasur telashe edhe nga drejtori i radios rreth anëtarësimit të punëtorëve në sindikatën e re, por kemi zhvilluar një takim me të dhe i kemi qartësuar pozicionet. Drejtori i përgjithshëm vazhdon të bashkëpunojë me sindikatën jolegjitime duke tentuar që ne të na anashkalojë. Është edhe rasti i fundit ku drejtori i përgjithshëm, drejtori i televizionit dhe ai i radios ishin së bashku me udhëheqjen e sindikatës jolegjitime për t’u argëtuar në Shqipëri, me ç’rast edhe dëmtuan buxhetin e RTK-së për 5 100 euro, duke ia paguar transportin sindikatës tjetër.

“Epoka e re”: Si do të veproni në rast të mospërfilljes suaj nga organet udhëheqëse të RTK-së?
N. Thaçi: Po presim përfundimin e këtij muaji, në rast se nuk realizohen kërkesat tona, atëherë do të organizojmë një protestë, të cilën e njeh edhe ligji për organizim sindikal si formë të realizimit të kërkesave sindikale.

“Epoka e re”: Përmendët kërkesat, për çfarë bëhet fjalë?
N. Thaçi: Bordi i RTK-së ka më shumë se nëntë muaj që e ka miratuar organogramin e ri, mirëpo ende nuk është funksionalizuar. Një pjesë e punëtorëve janë emëruar në pozita të reja, por me kontrata dhe rroga të vjetra, prandaj kemi kërkuar që deri në fund të muajit qershor të përfundojë sistematizimi i punëtorëve në vendet e reja të punës, në bazë të organogramit të ri të RTK-së.

“Epoka e re”: Konsideroni se nuk po respektohet ligji i punës?
N. Thaçi: Në shumë raste po shkelet ligji i punës, sidomos me ndërrimin e vendeve të punës, sepse ligji thotë se në momentin kur punëtori ndërron vendin e punës, atëherë nënshkruhet kontrata e re e punës. Ka me muaj të tërë që po dëmtohen në paga punëtorët e RTK-së dhe për këtë jemi të shqetësuar.

“Epoka e re”: Ka anekskontrata?
N. Thaçi: Pas një muaj që ka hyrë në fuqi ligji i punës, janë ndërprerë aneks-kontratat. Por, sipas ligjit, ata punëtorë që kanë punuar punë shtesë, është dashur që në kontratën e re të punës të përshkruhet puna shtesë.

“Epoka e re”: Ka pasur keqpërdorim të aneks-kontratave?
N. Thaçi: Po. Këtë e ka vërtetuar Raporti i Auditimit të Përgjithshëm, i publikuar para disa ditëve, i cili ka gjetur një varg parregullsish, e një nga këto ka qenë rasti i nëpunëses së administratës, e cila për tërë vitin 2011 ka marrë aneks rreth 7000 euro në vit, përjashto pagën e rregullt.

“Epoka e re”: Po keqmenaxhim dhe shkelje të tjera, konsideroni se ka pasur?
N. Thaçi: Auditori i Përgjithshëm ka gjetur keqmenaxhim të financave, dhe si pasojë e kësaj RTK-ja ka pasur deficit në vlerë prej 2. 521. 758 €. Është kritikuar edhe menaxhimi i procedurave të prokurimit, i cili nuk ishte në nivel të duhur. Një shkelje e rëndë që është vërejtur ka qenë ai nëpunës në pozita kyçe të RTK-së (Zyrtari Kryesor Financiar – ZKF dhe drejtori i Administratës) marrin pagë pa kontrata valide, si dhe shkeljet me hapësirën reklamuese në RTK. Gjithashtu, është rasti i zyrtarit të pasurisë i cili merr pagë kot. Edhe Raporti i Auditorit ka konstatuar se ky zyrtarë që sa vjet nuk ka arritur ta kryejë asnjë punë sa i përket regjistrimit të pasurisë së RTK-së. Këto janë çështje që drejtori i përgjithshëm duhet t’i marrë seriozisht e jo të sillet me komoditet siç po sillet.

“Epoka e re”: Konsideroni se ky keqmenaxhimi i financave ndikon në pagat e punëtorëve?
N. Thaçi: RTK-ja vazhdon të ketë probleme financiare dhe për shkak të keqmenaxhimit, gjithçka është e pasigurt dhe nëse vazhdohet në këtë mënyrë të menaxhimit, RTK-ja s’do të ketë paga për punëtorët e saj në muajt në vazhdim. Megjithëse ky deficit është edhe si pasojë e shkurtimit të buxhetit nga ana e Qeverisë në vitin 2011, Qeveria dhe Kuvendi duhet të mendojnë për funksionimin e RTK-së.

“Epoka e re”: Me çfarë problemesh të tjera po përballen punëtorët e RTK-së?
N. Thaçi: Problem kryesor është mungesa e kushteve për punë si: hapësirat e pamjaftueshme për punë, pajisjet teknike, teknologji të amortizuar, si të njësitë e montazhit, te kamerat etj.

“Epoka e re”: Sa po u ndihmon sindikata juaj punëtorëve të RTK-së?
N. Thaçi: Kemi pasur shumë pengesa, shantazhe dhe fyerje nga sindikata jolegjitime dhe mospërfillje nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së. Edhe udhëtimi për në Shqipëri, i organizuar nga sindikata jolegjitime dhe i mbështetur nga drejtori gjeneral i RTK-së, e ka dëmtuar federatën tonë. Duke e favorizuar njërën sindikatë, drejtori i përgjithshëm po dëmton tjetrën, këtë rast sindikatën tonë.

“Epoka e re”: Përse po ndodh kjo?
N. Thaçi: Sepse RTK-ja po i shkel nenet e ligjit për organizim sindikal Nr. 04/-L-011. Me këtë ne konsiderojmë që deri më tani janë shkelur Neni 2, pika 1. 1, Neni 7 pika 1, Neni 9 pika 1, 3, 6, Neni 17 pika 2 dhe neni 21 pika 2. Të gjitha këto kanë penguar në mbarëvajtjen e punesë sonë. Por, megjithëkëtë, ne do të mundohemi t\'i kryejmë të gjitha obligimet, detyrat dhe përgjegjësitë tona si Federatë Sindikale, që dalin nga statuti dhe ligji në fuqi.

“Epoka e re”: Keni bashkëpunim me BSPK-në?
N. Thaçi: Po, kemi kërkuar bashkëpunim dhe bashkërendime të aktiviteteve sindikale. Për këtë arsye statuti ynë është ndërtuar në bazë të statutit të BSPK-së. Edhe si këshill iniciues në prezantimin për media, i pranishëm ishte kryetari i BSPK-së, z. Haxhi Arifi. Po ashtu, edhe në Kuvendin e Federatës i pranishëm ishte përfaqësuesi i BSPK-së, z. Avni Ajdini. Ne e kemi dorëzuar dosjen e Federatës dhe kërkesën zyrtare në BSPK për pranim dhe tani po presim një përgjigje zyrtare. Gjithashtu, ne jemi të gatshëm t\'i kryejmë të gjitha obligimet, edhe ato financiare si Federatë Sindikale ndaj BSPK-së.

“Epoka e re”: Ju faleminderit, z. Thaçi!
N. Thaçi: Ju faleminderit juve për hapësirën që po na jepni për t\'i shprehur shqetësimet tona për lexuesit dhe opinion tuaj!

Box:

Keqpërdorimi i aneks-kontratave

Raporti i Auditimit të Përgjithshëm, i publikuar para disa ditëve, i cili ka gjetur një varg parregullsish, ka vërtetuar se një nëpunëse e administratës ka pasur aneks-kontratë të paligjshme dhe pa mbulesë pune, nga i cili aneks gjatë vitit 2011 ka përfituar 7 000, përjashto pagën e rregullt.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)