17 Maj 2024

Rishikimi i buxhetit, kursimet kapin shifrën mbi 10 milionë euro

Prishtinë, 26 qershor - Shqyrtimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012, ishte temë qendrore në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj. 
 
Ministri i Financave, Bedri Hamza, prezantoi projektligjin para anëtarëve të komisionit dhe shpalosi hollësi të përmbajtjes së tij, duke arsyetuar, njëkohësisht, ndryshimet që pritet t’i ketë buxheti i shtetit në pjesën e dytë të këtij viti, karshi planifikimeve fillestare.

Ai tha se ky rishikim është diskutuar hollësisht me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ishte i pranishëm në Kosovë.   

Ministri i Financave tha se rishikimi i buxhetit është bërë me qëllim që organizatat buxhetore, veçanërisht ato komunale, të kenë fleksibilitet më të madh dhe mundësi për t’i bërë rregullimet e brendshme, si dhe alokimet e nevojshme.

Ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe kursimet kapin shifrën mbi 10 milionë euro, të cilat, nëpërmjet këtij projektligji, do të shpërndahen nëpër kategori të tjera buxhetore, konform nevojave. 

Anëtarë të komisionit vlerësuan nevojën për rishikim të buxhetit dhe pas diskutimeve, projektligjin e rekomanduan për shqyrtim të parë në seancë plenare.

Në këtë mbledhje, ministri Bedri Hamza raportoi edhe për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2011, duke e shpërfaqur përkushtimin e Ministrisë së Financave për t’i zbatuar prioritetet e dala nga ky raport.

Ai theksoi se gjatë vitit 2012, agjenda evropiane e Kosovës ka avancuar me pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe fillimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të cilat, siç tha ministri, paraqesin marrëveshjet e para kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së. 
 
Ministri Hamza dha një pasqyrë të të arriturave të deritashme dhe foli për hapat që do të ndërmarrë në të ardhmen Ministria e Financave, me qëllim të realizimit të detyrave të potencuara në raportin e Komisionit Evropian.

Duke proceduar me shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës, komisioni përkrahu amendamentet e grupit punues për Projektligjin për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve, ndërsa projektligjin në tërësi e procedoi për miratim në Kuvend.

Komisioni përkrahu edhe raportin financiar të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART) për vitin 2011, me raportin shtesë, të cilin e kishte kërkuar nga ART-ja, në njërën nga mbledhjet e kaluara.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)