24 Prill 2024

Regjistrimi i popullsisë, rezultatet përfundimtare në vitin 2013

Prishtinë, 24 shtator - Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, ka qenë temë diskutimi në dëgjimin e sotëm publik të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, i kryesuar nga kryetari Esat Brajshori, i cili u mbajt në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Sponsoruesit e ligjit, anëtarë të Komisionit, përfaqësues të Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, Entit të Statistikave e të Universitetit të Prishtinës, kanë diskutuar gjerësisht rreth përmbajtjes së tij, duke evidentuar disa të meta në nene të caktuara dhe duke dhënë rekomandime përkatëse.

Ministrja e Ministrisë së Administratës Publike (MAP), njëherësh sponsoruese e këtij ligji, Edita Tahiri, dha një pasqyrë të përmbajtjes dhe efekteve të këtij projektligji, duke e konsideruar atë me peshë të madhe, për faktin se synon të rregullojë në mënyrë ligjore një fushë shumë të rëndësishme, siç është ajo e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Sipas saj, shteti i Kosovës ka nevojë për plotësimin e këtij mozaiku me statistika zyrtare, të cilat kanë ndikime ekonomike, shoqërore, demografike e akademike.

Ministrja Tahiri tha se hartimi i këtij projektligji ka qenë proces i konsultave të vazhdueshme me ekspertë vendorë dhe institucione relevante ndërkombëtare, veçanërisht me EUROSTAT-in dhe Komisionin Evropian, duke marrë parasysh standardet ndërkombëtare.

Ajo tha se ky projektligj adreson popullsinë banuese në Kosovë, me disa kritere të theksuara, ndërsa popullsia e Kosovës e cila nuk është rezidente në Kosovë, do të regjistrohet përmes një liste suplementare, me ç’rast familjarët do të mund të deklarohen për ta, duke i evidentuar si qytetarë të Kosovës, por në kategorinë e veçantë. “Rezultati që del do të jetë rezultat i popullsisë banuese, ndërsa të tjerët do të shkojnë në kategorinë e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë saj”, u shpreh ajo.

Sipas ministres së Administratës Publike, me rastin e regjistrimit, qytetarët nuk janë të detyruar ta deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe religjioze, përvec nëse duan ta bëjnë këtë.

Sa i përket komunikimit të rezultatit, ajo tha se projektligji parasheh që rezultatet preliminare të jepen në fund të qershorit, ndërsa ato përfundimtare në vitin 2013.

Diskutues të tjerë, të ftuar dhe anëtarë të komisionit, ngritën një varg çështjesh me interes, me ç’rast veçuan kompetencat e komisioneve komunale, periudhën kohore të publikimit të rezultateve, popullatën jorezidente, metodat e regjistrimit etj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe çështjeve të ngritura nga anëtarët e Komisionit, ministrja Edita Tahiri tha se komisionet komunale nuk kanë kompetenca të përpunimit të rezultateve, ndërsa bartës dhe përgjegjës për këtë do të jetë Enti i Statistikave të Kosovës.

Regjistrimi, sipas saj, do të ketë standarde unike për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, ndërsa rezultati duhet të ketë legjitimitet vendor dhe ndërkombëtar.

Ajo tha se plani buxhetor i regjistrimit parashihet të jetë rreth 11 milionë euro, në të cilin Kosova merr pjesë me 3.9 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër pritet të sigurohet nga donacionet ndërkombëtare.

Ministrja Tahiri konfirmoi edhe njëherë që regjistrimi do të bëhet nga 1-15 prill të vitit të ardhshëm. 

Kryetari i Komisionit, Esat Brajshori, duke e vlerësuar të frytshëm këtë dëgjim publik, potencoi gatishmërinë për të vazhduar bashkërisht punën në plotësimin e këtij ligji dhe procedimin e mëtejmë të tij në Kuvendin e Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)