05 Maj 2024

Regjistrimi i popullsisë, pa veriun 1 734 000 banorë

Prishtinë, 29 qershor - Enti i Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme se numri i popullsisë në 34 komuna të vendit kap shifrën e 1.733.872 banorë.

Nga ky regjistrim përjashtohen Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe pjesa veriore e Mitrovicës.

Ndonëse veriu i Kosovës mbetet problem për procesin e regjistrimit të banorëve, për pjesën tjetër të vendit kjo shifër ka dalë nga procesi i kryer gjatë muajit prill.

Në kryeqytetin e vendit, në Prishtinë numri i popullsisë kap shifrën e 198.214 banorë.

Këto të rezultate paraprake, u publikuan në takimin e sotëm që Enti i Statistikave zhvilloi me gazetarët, ndërsa theksoi se rezultatet përfundimtare do të publikohen vitin e ardhshëm, në periudhën maj- qershor.
 
Kryetari i Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Rifat Blaku ka thënë se gjatë procesit të regjistrimit janë zbatuar të gjitha rekomandimet e EUROSTAT-it dhe parimet fundamentale të Kombeve të Bashkuara në fushën e statistikave.

“Qëllimi nga më kryesor i këtij regjistrimi të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave ka qenë prodhimi i të dhënave statistikore, të cilat do të nxirren në tërësi dhe pastaj të krijohet sfondi i popullsisë, ndërtesave dhe banesave. Regjistrimi i popullsisë është baza për krijimin e një kujtese kolektive që dokumenton evolucionin demografik, social dhe ekonomik të një vendi, në këtë rast Kosovës”, ka thënë Blaku, duke shtuar se mbi këtë bazë shteti mund të hartojë politika të zhvillimit të vendit, të akordojë në mënyrë sa më të drejtë fondet për ngritjen e mirëqenies qytetare.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jaggjillar ka thënë se regjistrimi i popullsisë është një prej kritereve të rëndësishme të Bashkimit Evropian, e që paraqet një prej hapave më madhor të ndërmarra deri më tani në Republikën e Kosovës.

Ai ka folur për suksesin e arritur në këtë proces, por ndërkohë nuk e fsheh faktin që veriu ka mbetur dhe do të mbetet edhe më tej pjesë në të cilën nuk do të dihet se sa është numri i banorëve, ekonomive familjare dhe banesave.

Duke theksuar se këtu janë rezultate paraprake mbi regjistrimin e popullsisë, drejtues të Entit të Statistikave kanë thënë se rezultatet përfundimtare do të bëhen të ditura tek në vitin 2013, ndërkohë përjashtimi i komunave veriore nga ky proces, sipas shefit të operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornson nuk do të ndikojë në legjitimitetin e rezultatit.

Kjartan Bjornsson nga zyra nderlidhese e Komisionit Evropian ka theksuar se "Çka mund të themi është, i kam thënë edhe Entit të Statistikave të Kosovës se në vetëvete përjashtimi i komunave të veriut nuk do të ketë ndikim në njohjen e përgjithshme të rezultatit të mbajtur në tërë Kosovës."

Përjashtimi i pjesës veriore sipas tij nuk do të ketë ndikim negative në legjitimitetin dhe validitetin e regjistrimit të popullsisë në përgjithësi në Kosovë.

Regjistrimi i fundit në Kosovë, në të cilin kanë marrë pjesë të gjitha etnitë, është mbajtur në vitin 1981 dhe nga ky regjistrim Kosova kishte një popullsi prej 1,584,440 banorësh.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)