29 Prill 2024

Reformimi i administrates prioritet i MAP-it

Prishtinë, 13 maj - Ministrja e Administratës Publike, znj. Edita Tahiri priti znj. Isabel Corte-Real, në cilësinë e ekspertes së SIGMA-s, ish- Sekretare e Shtetit të Portugalisë për Modernizimin e Administratës Publike dhe ish- Sekretare e Përgjithshme e Parlamentit portugez.

Në fillim të takimit ministrja Edita Tahiri ka theksuar se Bashkimi Evropian, OECD-i dhe SIGMA në këtë kuadër, janë partnerë të rëndësishëm për Kosovën, në ofrimin e mbështetjes në fushën e qeverisjes dhe menaxhimit.

Ajo gjithashtu ka vlerësuar përvojën dhe kapacitetet profesionale të znj. Corte–Real, e cila vjen nga Portugalia, vend ky që bën pjesë tek shtetet më të suksesshëm në aspektin e reformimit të administratës publike. 

Ministrja e MAP-it ka sqaruar vizionin e saj për reformimin e administratës publike, duke e konsideruar sundimin e ligjit, interesin e qytetarëve dhe shërbimet cilësore, si faktorë kryesor që e ndërtojnë ekuacionin e qeverisjes së mirë.

“Përqafimi i një filozofie moderne, rritja e dinamikës së punës, ngritja e kapaciteteve, veprime konkrete drejt procesit të integrimeve evropiane, rrumbullakësimi i kornizës legjislative dhe përmbushja e obligimeve nga Raporti i Progresit janë disa nga çështjet e  identifikuara të cilat kërkojnë vëmendje dhe angazhim të shtuar” ka thënë ministrja Tahiri me këtë rast.

Ajo shtoi se profesionalizmi, filozofia moderne me qytetarin në qendër dhe me shërbyes civil të shkolluar dhe të devotshëm për shtetin, imazhi i Kosovës do të jetë krahas përvojave më të mira evropiane.

Gjithashtu, ajo theksoi edhe qeverisjen elektronike si një prioritet tjetër të MAP-it dhe të Qeverisë, përmes së cilës do të ofrohet shërbim i plotë i digjitalizuar i sistemit të qeverisjes, duke e konsideruar këtë si segment të rëndësishëm në kuadër të ofrimit të shërbimeve qytetarëve të vendit dhe të vet institucioneve shtetërore.

Znj. Isabel Corte Real shprehu kënaqësinë e saj që është angazhuar nga SIGMA në Kosovë, si këshilltare për  prioritetet drejt reformimit të administratës publike. 


Ajo u interesua për vizionin dhe sfidat në rrugën drejt këtij reformimi, e gatshme të ofrojë përvojën e saj si shërbyese civile e karrierës dhe si njeri që ka ushtruar pozita me përgjegjësi në  fushën e administratës publike, Në veçanti znj. Corte Real theksoi rëndësinë e mendimit strategjik, si një shtyllë të rëndësishme për reforma të suksesshme.

 “Reformimi i Administratës Publike është çelësi i demokracisë dhe i qeverisjes” tha me këtë rast znj. Corte –Real dhe shtoi se administrata publike është në shërbim të qytetarëve dhe shoqërisë. “Nëse qytetarët mund të shohin dhe ndjejnë këto shërbime, ata mund ta kuptojnë qeverisjen e mirë”, tha ekspertja e SIGMA-së në takim me ministren Tahiri. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)