29 Prill 2024

Qeveria miraton projektligjin për rritjen e kuotës së Kosovës në FMN

Prishtinë, 24 gusht - Nën drejtimin e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 88-të të rregullt të saj.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Thaçi theksoi prezantimin e progresit të Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se sukseset e arritura i hapën rrugë përmbylljes së mbikqyrjes së pavarësisë.

“Ishte një mbështetje  e plotë dhe e fuqishme e partnerëve të shtetit të Kosovës. Në të njëjtën kohë edhe zotimi ynë për të punuar për të ardhmen edhe më fuqishëm për thellimin e reformave në të gjitha drejtimet, për hapjen e agjendës konkrete evropiane për Kosovën dhe realizimin e synimit, qëllimit dhe vizionit tonë për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian, Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare” tha kryeministri Thaçi.

Në kohën kur por afrohet edhe dita e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, 10 shtatori, kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar me përgatitjet, duke thënë se agjenda tashmë është duke u shkruar sipas planifikimit.

Kryeministri u shpreh i sigurt se mbikëqyrja e pavarësisë do të përmbyllet me sukses në takimin e radhës të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, duke thënë se pret që gjithë spektri politik të marrë përgjegjësitë që i takojnë, që ky sukses të jetë i të gjithëve.

“Ne mund të kemi sukses të plotë, me filozofinë e unitetit politik dhe qytetar, për çka nuk dyshoj në skenën politike kosovare. Tani jemi në koordinim me spektrin politik, në mënyrë që ndrysimet kushtetuese të nevojshme për përmbylljen e mbikëqyrjes të pavarësisë, të kalojnë me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës, në shtator të këtij viti” ka theksuar kryeministri Thaçi.

Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Amandamentit të neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi Reformën e Bordit Ekzekutiv, ndryshim që është diktuar nga zhvillimet e kohëve të fundit në planin ekonomik dhe financiar në botë, dhe synon avancimin e rolit të përgjithshëm të FMN-së.

Qeveria poashtu ka miratuar projektligjin për rritjen e kuotës së Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Fondi Monetar Ndërkombëtar, me Rezolutën Nr. 66-2, ka paraparë rritjen e përgjithshme të kuotave të vendeve anëtare.

Si pjesë e kësaj rritjeje, parashihet edhe rritja e kuotës së Kosovës prej nga 59,0 milionë të drejta speciale të tërheqjes  në 82,6 milionë të drejta speciale të tërheqjes. Kjo rritje mundëson rritjen e mundësisë së qasjes në kredi dhe mbajtjen e nivelit të të drejtave të votimit.

Në mbledhje poashtu është miratuar vendimi për liberalizimin e shërbimeve telekomunikuese mobile, me të cilën mundësohet shfrytëzimi i resurseve frekuencore në dispozicion nga operatorët ekzistues të licencuar për ofrimin e shërbimeve dhe rrjetave telekomunikuese mobile për aplikimin e teknologjive të reja, respektivisht ofrimin e shërbimeve dhe rrjeteve të gjeneratave të ardhshme të shërbimeve telekomunikuese mobile brezgjera.
 
Është shfuqizuar vendimi i Qeverisë nr.03/69 i datës 19 qershor 2009, me të cilin pikat e grumbullimit të automjeteve mbeturinë obligoheshin të largohen nga rrugët magjistrale së paku  një kilometër.

Për të rregulluar më mirë këtë gjë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka hartuar Udhëzimin Administrativ për Menaxhimin e Automjeteve Mbeturinë dhe Komponentët e tyre në pajtim me Ligjin për Mbeturina dhe Ligjin Nr.03/L-120 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Rrugë Nr.2003/11.

Me qëllim të vazhdimit të punimeve në autostradën Vërmicë-Merdare, Qeveria në këtë mbledhje ka marrë vendim për shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pronave të paluajtshme  dhe zotëruesve të interesit që ndodhen brenda Sektorit 8  Zona Kadastrale Uglare, Komuna e Graçanicës, Zona Kadastrale Fushe Kosovë, Komuna e Fushë Kosovës, Zona Kadastrale Krushevc dhe Obiliq, Komuna e Obiliqit dhe Zona Kadastrale Shkabaj dhe Prishtinë, Komuna e Prishtinës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)