Qeveria mashtron FMN-në
Prishtinë, 24 shtator - Premtimi i fundit i kryeministrit Hashim Thaçi për rritjen e pagave të mësimdhënësve prej 50 për qind mund ti kushtojë Kosovës me ngrirje të sërishme të raporteve me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Si pasojë e rritjes së pagave të shërbyesve civilë me një mesatare prej 23 për qind vitin e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte ngrirë raportet me Kosovën, me çrast kishte bllokuar për disa muaj kredinë për vendin në vlerë prej rreth 110 milionë euro.
Pas kësaj, Qeveria e vendit është deshur tu përmbahet rekomandimeve konkrete si kusht për relaksim të raporteve me FMN-në, me çrast muaj më parë u vazhdua me ndarjen e kësteve të mbetura të kredisë për vendin.
Megjithatë, joserioziteti në raportet e Kosovës me FMN-në ka vazhduar edhe këtë vit. Në letrën e dërguar shefes së FMN-së, Christine Lagarde, me 27 qershor 2012, përgjegjësit kryesorë të financave në vend, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe guvernatori Gani Gërguri i premtojnë asaj se gjatë përgatitjes së buxhetit për vitin 2013 do të ketë përmbajtje në shpenzimet aktuale, sidomos në paga dhe mëditje, në përputhje me rekomandimet e FMN-së dhe deficiti buxhetor i vitit të ardhshëm nuk do ta kalojë shumën prej 155 milionë euro.
Ndërsa javën e kaluar Thaçi ka premtuar se pagat e mësimdhënësve nga viti i kaluar do të rriten për 50 për qind, rritje kjo që do ti rritë shpenzimet buxhetore edhe për dhjetëra miliona euro.
Në lidhje me premtimet e kryeministrit për rritjen e pagave, gazeta Zëri të dielën ka bërë përpjekje të vazhdueshme ta kontaktojë nëpërmjet telefonit ministrin Bedri Hamza, gjë që ka qenë e pamundur. Ndërsa zëvendësi i Hamzës, Ramadan Avdiu, ka thënë se gjendet në Zvicër dhe ka rekomanduar që të kontaktohen zyrtarët tjerë përgjegjës.
Në anën tjetër, ish-ministri i Finacave, Haki Shatri, thotë për Zërin se deklarata e kryeministri ka qenë joserioze. Sipas tij, kryeministri nuk e ka precizuar kur do të ndodhë rritja e pagave dhe kjo nuk ka kurrfarë obligimi për të.