29 Prill 2024

Qeveria fton mërgimtarët që të investojnë në Kosovë

Prishtinë, 2 shkurt - Nën organizimin e Ministrisë së Diasporës, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim - IOM, u mbajt sot në Prishtinë tryeza “Tërheqja e Investimeve nga Diaspora”. 

Me këtë rast, ministri i MeD, Ibrahim Makolli, tha se vendi ynë ka kapacitete të mjaftueshme për investime, ndërkaq qeveria do të punojë edhe më tutje për përmirësimin e mjedisit dhe krijimin e kushteve sa më të favorshme për mërgimtarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

“Detyrë dhe përkushtim i yni mbetet zbatimi i ligjeve në fuqi, respektivisht duhet luftuar ekonomia joformale, si dhe duhet të ti kushtojmë më shumë vëmendje politikave investuese, tregtare dhe fiskale."

Kosova sipas tij tashmë ka hequr shumicën e barrierave afariste. Janë krijuar lehtësira për regjistrimin e bizneseve, si dhe është përafruar legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian. Njëkohësisht, sipas Makollit ekziston një standard liberal tregtar, taksa të favorshme, stabilitet ekonomik dhe qëndrueshmëri e sistemit bankar.

Mirëpo, të gjithë ne duhet të luajmë rol aktiv për promovimin e këtyre mundësive, të cilat i ofron vendi ynë për investitorët nga jashtë, në veçanti për diasporën”, tha ministri Makolli.

Ai po ashtu tha se, “tryeza dhe takime të tilla dëshmojnë edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të analizuar dhe krijuar lehtësira për investime të diasporës”.

Nga ana e saj, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha se, diaspora është fuqia më e madhe investuese që ka Kosova dhe potenciali i saj nuk është shfrytëzuar ende sa duhet.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, potencoi nevojat që i ka Kosova për investime në fushën e energjisë, por edhe në fusha tjera.

Përveç kapitalit ekonomik, diaspora, sipas Ministrit Beqaj, ka edhe një kapital shumë të madh, që është ai human,  i cili do të mund të jepte një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Ministri Beqaj, tha se, remitancat që dërgojnë mërgimtarët tanë nuk duhet parë si mundësi investimi, por qeveria po punon që atyre tu krijohen lehtësira për investime të reja në Kosovë.

Edhe ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci bëri thirrje për investime në sektorin e bujqësisë, si një sektor me potencial të madh ekonomik dhe për hapjen e vendeve të punës.

Ndryshe, sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtarë për Migrim, jashtë Kosovës jetojnë prej 500 deri në 900 mijë kosovarë, shumica prej tyre kanë status legal, kurse gjysma e tyre shkojnë për të punuar. Sipas IOM-it gjatë vitit 2010 dërgesat e tyre kanë arritur shumën rreth 511 milionë euro.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)