27 Prill 2024

Proceset legjislative karakterizohen me procedura të gjata

Prishtinë, 6 korrik - Proceset legjislative karakterizohen me procedura të gjata dhe të komplikuara, të cilat edhe pse të vështira, shërbejnë si masë mbrojtëse kundër marrjes së vendimeve të pakëshillueshme.

Për të debatuar lidhur me ndikimin e legjislacionit në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, në mbështetje të UNDP-së, organizoi sot një konferencë.

Përfaqësuesja e UNDP-së, Osnat Lubran, në fjalën e saj iu referua përvojave dhe praktikave të mekanizmave ndërkombëtarë, veçanërisht OKB-së. Lidhur me këtë, ajo kujtoi se sot në botë, në shumë shtete që kanë shënuar rritje ekonomike pakënaqësitë janë të mëdha dhe në shumë vende të botës janë duke ngjarë protesta të shumta.

Këto, vazhdoi Lubran, ndodhin për shkak të pabarazisë dhe ndarjes jo të drejtë të investimeve.

Ajo më tej shtoi:” S’është e mjaftueshme vetëm rritja ekonomike”, por, tha ajo, investimi i barabartë në zhvillim.

Në vijim, ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, lidhur me këtë tha se shikimi i ndikimit të legjislacionit në zhvillimin ekonomik është i rëndësisë së veçantë.

Prandaj, shtoi Lila, për të ndërtuar një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik duhet një komunikim më i gjerë i të gjitha institucioneve dhe grupeve të interesit.

Më tej Kusari shtoi se për të ndërtuar një vizion të qartë të zhvillimit ekonomik, Qeveria e Kosovës ka përmbushur obligimet e veta.

Ndërkaq, ministri i MZHE-së, Besim Beqaj, me këtë rast foli për sfidat në arritjen e këtyre objektivave. Ai tha se infrastruktura ligjore, ekonomia e tregut të lirë dhe integrimet ekonomike, janë sfida për të cilat duhet ndërtuar strategji të qartë për tejkalimin e tyre.

Edhe ministri i MEF-it, Bedri Hamza, vlerësoi se legjislacioni duhet krijuar ambient të përshtatshëm ekonomik. Ai duke shtuar se legjislacioni duhet përsosur edhe më tej, përmendi një varg ligjesh që duhet miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

I të njëjtit mendim ishte edhe ministri i MBPZHR-ës, Blerand Stavileci, i cila tha se baza juridike është bazë e zhvillimit ekonomik të vendit.

Edhe pjesëmarrësit tjerë të kësaj konference, vlerësuan se ligjet janë ato që i hapin rrugë zhvillimit ekonomik. Ata po ashtu u shprehën se duhet fuqizuar dialogu i brendshëm ndërinstitucional me të gjitha grupet e interesit.

Përpos legjislativit, ndër faktorët që ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, sipas përfaqësuesit të UNICEF-it, ka edhe investimi në edukim. Përfaqësuesi i UNICEF-it tha se asnjë shtet s’ka arritur zhvillim të kënaqshëm ekonomik pa shoqëri të edukuar mirë.

Në përmbyllje të kësaj konference, të pranishmit vlerësuan se Kosova ka agjendë të qartë strategjike zhvillimore në përputhje me standardet e BE-së.

Ndërkaq, nga ligjvënësit u kërkua që t’i shmangen kolizionit të ligjeve dhe modelet referenciale të ligjeve t’u përshtaten specifikave të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)