15 Maj 2024

Prioritet i MZHE-së është privatizimi i PTK-së brenda këtij viti

Prishtinë, 23 janar - Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beqaj ka thënë se synimet për vitin 2012 do të shkojnë në realizimin e plani të qeverisë ku sektori privat, hapja e vendeve të reja të punës, qëndrueshmëria ekonomike, eliminimi i barrierave në të gjitha fushat dhe rregullimi ligjor do të jenë synim i vazhdueshëm për të pasur një ambient sa më të përshtatshëm për biznes.

Këto komente ministri Beqaj i bëri gjatë konferencës për media ku prezantoi prioritet e MZHE-së për vitin 2012 në sektorët që mbulon kjo ministri ku hyjnë energjia, minierat, telekomunikacioni dhe monitorimi i ndërmarrjeve publike.

Sektori i Energjisë

Sa i përket sektorit të energjisë, Beqaj tha se ka filluar një reformë strukturale, e cila mundëson që resurset të kenë efektin më të madh të mundshëm ekonomik, prandaj kjo reformë strukturale do të përdoret për tërheqjen e investimeve të reja duke filluar nga përmbyllja financiare e projektit TC Kosova e Re, i cili konsiderohet një prej projekteve më të rëndësishme të cilat do të ofrojnë një infrastrukturë të mirë për zhvillim ekonomik.

“Në fushën e distribucionit, ne kemi arritur që të kemi të gjitha dokumentet e nevojshme dhe shpresojmë që në një periudhë afatshkurtër të kemi shpalljen e fituesit dhe gjithashtu të kemi të përmbyllur procesin e transaksionit brenda këtij viti”, tha ai.

Me tej Beqaj tha se ajo çka është e rëndësishme në fushën e energjisë është vazhdimi përgatitjeve institucionale për ndërtimin e linjës 400 kV që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe investimet në energji të ripërtëritshme, ku HC Zhuri do të kthehet prapë në skenë.

“Njëkohësisht gjatë këtij viti në fushën energjisë do ta themelojmë Agjencionin për Efiçiencë të energjisë i cili na mundëson që të mos orientohemi vetëm në prodhim të energjisë por të shkojmë edhe në drejtim të kursimit të energjisë elektrike”, tha ministri.

Sektori Minerar

Në sektorin e minierave, kreu i MZHE-së tha se është duke u shqyrtuar në detaje Strategjia Minerare, e cila do të jetë deri në vitin 2025, që do ta definojë rrugën dhe orientimin e minierave, pasurive dhe resurseve minerare të Republikës së Kosovës dhe njëherit do të jetë një udhërrëfyes afatgjatë për shfrytëzimin dhe valorizimin ekonomik të resurseve minerare të vendit, ndërsa pritet të miratohet brenda tremujorit  të parë.

“Jemi në proces të themelimit të Institutit Gjeologjik të Kosovës  konform ligjit për miniera dhe minerale dhe do të jetë përgjegjës për hulumtime shkencore dhe identifikimin e potencialeve minerare. Në ndërkohë në tremujorin e parë do ta kemi të themeluar edhe Muzeun Shtetëror të Kristaleve dhe Mineraleve,  i cili do të jetë i vendosur në  kuadër të Kompleksit Trepça”, tha Beqaj.

Ai tha se me Strategjinë dhe me bazën legjislative që  është aprovuar vitin e kaluar sjell mundësinë e hapjes së këtij sektori për investime të reja, pra gjatë këtij viti do të shihet mundësia për hapjen e sektorit për investime të huaja qoftë partneriteti publiko-privat, qoftë në forma të ndryshme.

Sektori i Telekomunikacionit

Ministri Beqaj theksoi se në fushën e telekomunikacionit, do të vazhdohet reforma në PTK dhe në ndërkohë që ka rifilluar procesi i privatizimit, përzgjedhja e këshilltarit të transaksionit është në përfundim e sipër, por ajo çka është më e rëndësishme është se fakti se është filluar procesi i reformës në PTK.

“Në këtë kontekst dua të jap një lajm të mirë menaxhmenti i PTK-së është në kontakt me Monaco Telekom për të ulur koston e shpenzimeve për kodin shtetëror +377 të cilin e kemi përdorur një kohë të gjatë dhe kjo marrëveshje do të jetë për 6 milionë më pak se që ka qenë në vitin paraprak”, tha ai.

Sipas tij, në agjendën e MZHE-së është privatizimi i PTK-së brenda këtij viti, dhe për këtë do të bëhen të gjitha përgatitjet, ku përfshihet  testimi i tregut dhe të gjitha vendimet sa i përket të gjitha proceseve të transformimeve dhe privatizimeve do të merren konform ambientit dhe konfrom gatishmërisë së investitorëve dhe gjendjes në tregjet ndërkombëtare, por nuk do të ketë ngutje që mund të krijojnë efekte jo fort të qëndrueshme.

Ministri paralajmëroi se në fushën e telekomunikacionit do të merret edhe me kodet shtetërore  të internetit dhe telefonisë në bashkëpunim me ART-në, ITU-në dhe me mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Ndërmarrjet Publike

Sa i përket Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike dhe krijimit të politikave që duhet  të krijohen, Beqaj tha se gjatë viti të kaluar janë monitoruar Ndërmarrjet Publike dhe disa nga to nuk kanë pasur performancë të kënaqshme, mirëpo MZHE do të vazhdojë bashkëpunimin me menaxhmentin e tyre në mënyrë që të përmirësohet performanca e tyre në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)