08 Maj 2024

Prezantohen projektet që do ta ndryshojnë Mitrovicën

Mitrovicë, 12 korrik - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Björnsson, kanë prezantuar sot në Mitrovicë tri projekte që pritet të realizohen brenda dy viteve të ardhshme të financuara nga KE dhe Qeveria e Kosovës. 

Riparimi i palestrës sportive, ndërtimi i qendrës së biznesit dhe ndërtimi i një qendre multifunksionale do të financohen me  14.5 milionë euro nga KE  dhe 8.5 milion euro nga  Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast ka falënderuat KE dhe z. Bjornson për bashkëfinancimin e këtyre objekteve me Qeverinë e Kosovës. Z, Thaçi tha se Mitrovica dhe qytetarët e saj do të vazhdojnë të jenë në fokus të Qeverisë së Kosovës,  sepse mitrovicasit  e kanë  merituar një gjë të tillë.

“Realizimi i këtij projekti do të jetë shtytës për zhvillimin e kulturës dhe sporteve që ka Mitrovica dhe për integrimin e të rinjve të këtij qyteti”, tha kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky është rezultat i qeverisjes së mirë në Mitrovicë, transparencës dhe efektshmërisë për të gjithë qytetarët e saj.

“Qeveria e Kosovës i ka vënë vetes objektivin për zhvillimin ekonomik të  vendit prandaj këto projekte i kontribuojnë zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik të vendit”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky është një projekt i munguar për Mitrovicën dhe do të jetë një ndër projektet më të bukura në Republikën e Kosovës.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, Kjartan Björnsson, vlerësoi se realizimi i këtij projekti do të ndikoj për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të të gjitha entiteteve të Mitrovicës.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës ,  kryeministrin Thaçi dhe Komisionin Evropian për investimet në Mitrovicë.

Për detajet teknike të projekteve, foli Kjartan Bjorson nga KE-ja, i cili tha se janë katër pika kryesore ku do të investohet në Mitrovicë. Së pari përmendi renovimin detal të palestrës së sportit “Minatori”, e cila do të shndërrohet në një objekt shumë fleksibël, që do të ofroj mundësi të shumta për aktivitet sportive.

Së dyti ceku ndërtimin e një qendre shumfunksionale sportive, e cila do të ketë një pishinë gjysmëolimpike, mandej hapësira të shumta për sporte si karate, xhudo etj. “Do të krijohen mundësi të shumta edhe për aktivitetet e shoqërisë civile”.

Mandej se treti Bjornson foli për investimet në fushën e gjelbërimit në Parkun e Qytetit, ku sipas tij, do të rregullohet shtrati i lumit Ibër, mandej do të mbillen pemë të reja etj.

Në fund përmendi edhe qendrën komerciale, ku do të ketë shumë hapësira që do të jepen në shfrytëzim të bizneseve. “Të gjitha këto do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka shprehur kënaqësinë e madhe për këto projekte kapitale që do të realizohen brenda dy vitesh në Mitrovicë.

“Të gjithë e dimë për vështirësitë e mëdha që e kanë përcjellë qytetin dhe qytetarin tonë pas luftës. Rrethanat politike kanë ndikuar shumë në gjendjen ekonomike. Në këtë kontekst nevoja për të investuar në Mitrovicë ka qenë dhe mbetet shumë e madhe”.

Ai tha se pikërisht për këtë arsye, këto projekte që financohen nga Komisioni Evropian dhe me mbështetje edhe të institucioneve tona, kanë një rëndësi tepër të madhe për Mitrovicën. “Përveç tjerash do të ndikojnë shumë edhe në krijimin e besimit për të investuar këtu”.

Kryetari Kastrati ka falënderuar Komision Evropian dhe në veçanti, shefin e operacioneve, Kjartan Bjornsson, i cili ka dhënë një kontribut të madh për realizimin e shumë projekteve të ndryshme në Kosovë, e posaçërisht të këtij projekti me rëndësi të madhe për qytetarët e Mitrovicës.

“Është një investim kapital që do të gjeneroj zhvillim ekonomik dhe të përgjithshëm në këtë komunë”.

Në fund ai tha se të gjithë janë dëshmitarë se tashmë në këtë qytet janë realizuar edhe projekte të tjera me mbështetje të Komisionit Evropian që kanë krijuar kushte më të mira për jetë, ndërsa tash me përpjekje dhe punë të mëdha të zyrtarëve të Komisionit Evropian, Qeverisë dhe Komunës po merr udhë një investim që do ta ndryshoj Mitrovicën.

“Ne si qytetarë të Mitrovicës jemi mirënjohës për kontributin tuaj në këtë drejtim dhe jemi të bindur se bashkëpunimi ynë do të vazhdoj të jetë i frytshëm edhe në të ardhmen”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)