30 Prill 2024

Presidenti Pacolli heq dorë nga paga, ua jep skamnoreve

Prishtinë, 27 shkurt - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një vizite bërë dy familjeve në gjendje të rëndë materiale, njëra në Prishtinë e tjetra në fshatin Pojatishtë të Ferizajt, ka bërë të ditur se ai nuk do të marrë pagën e tij nga buxheti i Kosovës, por atë do t’ua japë familjeve në gjendje të rëndë materiale.

Familja e Naim Bunjakut, në rrugën “Mustafë Hoxha” në Prishtinë dhe familja e Shaban Avdylit në fshatin Pojatishtë të Ferizajt e kanë pritur sot në vizitë Presidentin Pacolli, i cili ua ka kumtuar lajmin se ka vendosur që, për periudhën prej një viti, pagën që i takon nga buxheti i Kosovës si President i vendit ta ndajë proporcionalisht për këto dy familje dhe për tetë familje të tjera në gjendje të rëndë sociale.

Pas vizitës në familjen e Naim Bunjakut, Presidenti Pacolli u shpreh se e di se në Kosovë ka shumë familje që e kanë të njëjtin fat.

“Sot isha këtu që t’i inkurajoj që të mos humbin shpresën. Kosova është duke bërë çdo gjë që të ketë një rritje ekonomike, që të krijohen mundësi të reja për këto familje që kanë nevojë për mbështetje. Një të dhjetën e pagës sime mujore do t’ua lë dhe paga ime mujore do të shkojë në të ardhmen për dhjetë familje. Ajo do të ndahet proporcionalisht dhe një prej familjeve është edhe kjo familje. Këto janë mundësitë e mia. Unë nuk mund të marrë para prej institucioneve që t’i ndajë. Ato janë para që paguhen për punën time dhe unë do t’i ndajë ato”, theksoi Presidenti Pacolli.

Nga ana e tij, kryefamiljari Naim Bunjaku falënderoi Presidentin Pacolli për vizitën dhe për ndihmën dedikuar familjes së tij.

Ndërsa, duke folur pas vizitës në familjen e Shaban Avdylit në fshatin Pojatishtë të Ferizajt, Presidenti Pacolli tha se do të shfrytëzojë çdo mundësi të tijën që t’ju ndihmoj këtyre familjeve.

“Unë sot prej kësaj familjeje shkoj jashtëzakonisht i hidhëruar me gjendjen e tyre. Më dhimbsen. Shpirti po më dhemb. Unë atë çfarë mundem ta bëjë, do ta bëjë për këto familje.

Unë nuk do të marrë të ardhura prej buxhetit të Kosovës, ato të ardhura do t’ua ndajë proporcionalisht familjeve, por ajo do të jetë aq pak sa që nuk do të ndërrojë situatën në Kosovë. Situata në Kosovë duhet të ndërrohet me punë të sinqertë, me punë natë dhe ditë. Jemi në vonesë. Ne duhet të ngrihemi ekonomikisht, të krijojmë mundësi të reja për njerëzit, për familjet, për arsye se situata është alarmante dhe t’ju them se jam shumë, shumë i hidhëruar sot”, tha Presidenti Pacolli.

“Unë sigurisht do të bëjë çdo gjë, ndoshta nganjëherë unë do të dal edhe jashtë kufijve që parashohin punën time, në mënyrë që t’u dalë në ndihmë qytetarëve, të jem në anën e qytetarëve, të jem sensibilizues i rritjes ekonomike dhe i punës së sinqertë. Prandaj, prej këtu lansoj një mesazh për çdokënd që ka mundësi t’u ndihmojë bashkatdhetarëve të vet. Lansoj këtë mesazh edhe për institucionet e Kosovës, për përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, që të punojnë me dinjitet, me sinqeritet, të punojnë mirë, të punojnë me vullnet të mirë që sa më parë Kosovës t’ia ndërrojnë këtë situatë që e ka tani”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)