10 Maj 2024

Politika dhe biznesi, lidhje që dëmton zhvillimin e vendit

Prishtinë, 29 shkurt - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) ka organizuar të mërkurën një tryezë me temë: “Donacionet si shpagim për fitimin e tenderëve publik”, ku pjesëmarrësit kanë diskutuar për dhënien e donacioneve nga bizneset private për subjektet politike që bazohen në klientelizëm dhe kthim të favoreve në rast të kontrollit të resurseve publike nga subjekti politik pas marrjes së pushtetit.

Fillimisht, Merita Mustafa, menaxhere në KDI e programit “Transparenca dhe Antikorrupsioni” ka thënë se mungesa e transparencës në financimin e partive politik e ka shndërruar pushtetin në Kosovë në një pushtet me perceptimin si klientelist dhe shumëfishë të korruptuar.

Kjo sipas saj, ka të bëjë edhe me faktin se partitë politike nuk kanë transparencë në marrëdhëniet e tyre me bizneset private, me mos deklarimin e drejte te financave, por edhe me përfshirjen e konflikteve të interesit në tenderët publik.

“Lidhja mes biznesit dhe politikës e kanë bërë të mundshme që të dyja palët t’i ofrojnë shërbime njëra-tjetrës në fusha të cilat nuk janë fare të rregulluara me ligj, siç janë për shembull ofrimi i shërbimeve si formë e shpagimit  për fitimin e tenderëve publik”, ka thënë Mustafa.

Ajo ka përmendur edhe vërejtjet e adresuara nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën, tek çështja e donacioneve nga bizneset private, ku kërkohet ndalimi i donacioneve për subjektet juridike të cilat përfitojnë kontrata apo tenderë publike nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe nga ndërmarrjet publike. 

thuhet se me Ligjin që është në fuqi për Financimin e subjekteve politike, as nuk ndalohet dhe as nuk lejohet çështja e donacioneve.

Gani Koci nga PDK, njëkohësisht zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik ka thënë se nuk është problem pse partitë marrin donacione nga bizneset, pasi sipas tij, kjo është një përvojë që zbatohet edhe në shtete tjera. “Kërkohet transparencë maksimale e burimeve të financimeve. Biznesi dhe politika janë të lidhura gjithkund në botë”, ka thënë Koci.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka deklaruar se fatkeqësisht janë dy elemente që ende mbeten të parregulluara, legjislacioni i mangët dhe mos-zbatueshmëria e legjislacionit që ekziston. Ai ka folur edhe për mënyrat se si duhej gjetur zgjidhjet më të mira. “Është në interes të vendit që bizneset private të mos bien pre e klientelizmit të pushtetit”, ka thënë Zemaj.

Donika Kadaj-Bujupi, deputete e AAK-së ka thënë se në Kosovë nuk bëhet fjalë për një sektor të caktuar të korruptuar, por sipas saj, është i tërë sistemi i korruptuar. “Personat përgjegjës nuk mund ta luftojnë korrupsionin, sepse i bie se po e luftojnë vetveten”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Dardan Molliqaj, sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje ka propozuar që për të dalë nga kjo gjendje, do të duhej që forma e vetme e financimit të subjekteve politike, të jetë financimi nga shteti. “Subjektet politike do të duhej të kenë financim publik dhe që politika të ndahet nga biznesi.

Myzejene Selmani, deputete e Koalicionit KKR ka vlerësuar se financimi i partive politike është problem në tërë rajonin. “Duhet të kemi kujdes, të mbrohemi nga shpëlarja e parasë”, ka thënë Selmani.

Analisti Behlul Beqaj ndërkohë ka thënë se duhet të shihen burimet e donacioneve. “Bizneset dhurojnë donacione, nga ana tjetër shpërblehen me tenderë. Nuk duhet të harrohen as donacionet e ndërmarrjeve publike, edhe ato janë problem i madh”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit ka thënë se bizneset duhet të kenë të drejtë të japin donacione, me kusht që ato të jenë transparente.

Pjesëmarrësit ndërkohë kanë folur edhe për dispozitat ligjore, nevojën për ndryshime dhe amendamentime, si dhe për mungesën e sanksioneve më të ashpra.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)