28 Prill 2024

Plani qeveritar e fuqizon sektorin privat

Prishtinë, 18 maj - Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës (UP), Nagip Skënderi, është shprehur se vizioni i Zhvillimit Ekonomik, i hartuar kohë më parë nga Qeveria e Kosovës, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ka përcaktuar qartë prioritetet zhvillimore të vendit për periudhën afatmesme ekonomike, që pikësynim ka perspektivën e vendit për një shoqëri evropiane, prosperuese dhe të dinjitetshme për të gjithë qytetarët e vendit.

Ai në një bisedë për “Epokën e re” ka deklaruar se programi ekonomik qeveritar parasheh realizimin e misionit nëpërmjet katër shtyllave kryesore që shkojnë drejt një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, një qeverisje të mirë, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe mbështetjen sociale.

“Përcaktimet zhvillimore për një zhvillim të qëndrueshëm substancial ekonomik (sepse koha e ‘ekonomisë donatore’ ka përfunduar) duhen orientuar drejt fuqizimit të mëtejmë të sektorit privat, rritjes së konkurrencës biznesore, përmirësimit të kushteve thelbësore për krijimin e kushteve të favorshme për investimet e brendshme dhe ato të drejtpërdrejta nga jashtë, përmirësimin e ambientit dhe imazhit për investime duke krijuar një ambient stabil dhe të sigurt, si dhe ndryshimin e disa instrumenteve politike të objektivave makroekonomike (politikë fiskale dhe monetare më të favorshme, favorizim në instrumentin e marrëdhënieve ekonomike me jashtë dhe të raportit pagë - çmim)”, ka thënë ai.

Sipas Skënderit, programi ekonomik është mjaft vizionar nëse qeveria përdorë fuqishëm dhe drejt mekanizmat ekonomikë të lartpërmendur.

“Objektivat makroekonomike do të mund të realizohen, në të kundërtën ato mund të mbeten vetëm si të shkruara në letër, dhe asgjë më shumë. Mendoj se në këtë drejtim institucionet duhet të fuqizohen edhe më shumë me resurse humane të nivelit të ekspertëve (që Kosova ka në numër të konsiderueshëm), që dinë ta menaxhojnë paranë publike, që orientohen në implementim të drejtë të përdorimit të faktorëve ekonomikë. Konsultat me të gjithë faktorin politik, shoqëror, biznesor e akademik duhet të jenë permanente dhe të drejtpërdrejta (duke hequr mënjanë elementin e xhelozisë profesionale dhe të orientimeve partiake), sepse realizimi i programit ekonomik është në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, jo vetëm të një subjekti politik, se është program gjithëpërfshirës, që shpie drejt një zhvillimi ekonomik dhe mirëqenieje sociale të të gjithë qytetarëve të vendit”, ka vlerësuar Skënderi.

Qëllimi i fundit i këtij programi, sipas tij, duhet të jetë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, gjenerimi i vendeve të reja të punës, përmirësimi i pozitës sociale të qytetarëve (sidomos ulja e varfërisë \"normale\" dhe asaj të skajshme) dhe integrimi e fuqizimi i vendit tonë në ekonominë dhe politikën ndërkombëtare.

“Nëse plani ekonomik realizohet sipas parashikimeve të parapara, atëherë kujtoj se efektet e para do të shihen edhe gjatë fazës implementuese të këtij programi. Por, rezultatet më konkrete do të shihen në vitet në vazhdim, sidomos në realizimin e objektivave sociale, kur parametrat statistikorë do të dëshmojnë se kemi arritur rezultate të punëzënies, rezultate konkrete të reduktimit të varfërisë, se nuk do të ketë lakmi të të rinjve tanë për ta lëshuar vendin në kërkim të një jete më të mirë, dhe se perspektiva sociale e tyre është këtu”, ka deklaruar Skënderi, duke shtuar se “kur ta kemi edhe praninë më të madhe të investitorëve të huaj dhe vërshimin e tyre për ta investuar kapitalin në Kosovë, kur ta ndjejnë veten të sigurt se investimet e tyre nuk do të dështojnë, atëherë do të bindemi në rezultatet konkrete dhe nuk do të ketë hamendje se plani ekonomik ishte ‘objektiv fantazmë’, por synim real qeveritar”.

“Kujtoj se parametrat e parashikuar, nëse realizohen në përpikëri të gjitha parashikimet duke përdorur fuqishëm resurset ekonomike, natyrore, minerale e humane, me një bashkëpunim të fuqishëm dhe serioz me partnerët ndërkombëtarë (sidomos me institucionet financiare ndërkombëtare dhe miqtë tanë të dëshmuar), mund të sjellin rezultate”, ka theksuar profesor Skënderi, sipas të cilit, vetëm orientimi drejt një zhvillimi ekonomik \"sulmues\", duke investuar në sektorët që gjenerojnë vende të reja pune (bujqësia, blegtoria, turizmi, sektori prodhues etj.), mund të sjellin rezultate.

“Këto objektiva mund të realizohen nëse ne i aplikojmë në një farë mënyre edhe masat proteksioniste (mbrojtëse), edhe masat liberaliste, sipas teorive makroekonomike që na lejojnë për përdorim të tyre. Masat mbrojtëse, sidomos, duhet të përdoren në bujqësi dhe sektorë të tjerë që gjenerojnë vende pune, nëpërmjet ndihmës konkrete të politikave fiskale, monetare, metodave subvencionuese. Por, edhe në orientimin e tyre drejt eksportit, posaçërisht në mbështetjen e tyre eksportuese duke eliminuar barrierat politike që Serbia dhe BH u bëjnë bizneseve tona në kuadër të CEFTA-s”, është shprehur ai.

Kurse sa i përket pagës minimale në shumë prej 170 eurosh, e përcaktuar nga Këshilli Ekonomik Social, profesor Skënderi ka bërë me dije se ajo nuk paraqet një mundësi reale për implementim.

“Kujtojeni për shembull vetëm Maqedoninë që e kemi fqinj të parë dhe ka një ekonomi më të ngritur krahasuar me tonën, e ku paga minimale është 160 euro. A kemi potenciale reale për ‘përkujdesjen’ e kësaj page minimale. Ishte dashur të analizohen me kujdes të gjithë parametrat e nevojshëm për përcaktimin e pagës minimale në vend, dhe jo të shkohet me një propozim ‘ad hoc’ e të ngutshëm, pa logjikuar drejt edhe për mënyrat e realizimit dhe mundësitë ekonomike e ligjore që realisht disponojmë. Prandaj, jam skeptik se mund të ruhet realisht ky minimum i pagës së përcaktuar nga Këshilli Ekonomik Social”, ka thënë ai.

Sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore, profesor Skënderi ka theksuar se është gjë e natyrshme që lë jashtë pune një numër të konsiderueshëm të punëtorëve, që edhe më shumë e ngarkojnë shifrën e papunësisë në vend, sepse sektori privat mundohet të angazhojë një numër sa më të vogël të të punësuarve (edhe atë duke zgjedhur fuqinë e re punëtore dhe të edukuar e profesionalizuar sipas kërkesave të tregut të punës, që paraqet rrezik potencial për moshat e mesme dhe ata të parapensionimit, që janë jashtë përdorimit të inovacioneve tekniko-teknologjike) e të arrijë rezultate maksimale.

“Sektori privat është i prirë që sa më shumë ta synojë objektivin drejt një ‘ngritje sa më lart të flamurit të profitabilitetit’, dhe mos të mendojë shumë në problemet sociale që mund të shkaktohen. Prandaj, në këtë çështje më tepër duhet të mendojnë institucionet që janë përgjegjëse, sidomos bartësit e institucioneve që janë të ‘ngarkuar’ me ruajtjen e standardit social të popullatës, dhe të mendojnë në hartimin e programeve të mirëfillta sociale të reformuara, që do të jenë pikë mbështetëse për të punësuarit e deritanishëm, që si rrjedhojë e privatizimit mbesin jashtë tregut të punës”, është shprehur ai, duke shtuar se aktivizimi i ekspertëve në këtë drejtim është primar që reformat sociale të sjellin rezultate të duhura, që jo vetëm të ruhet standardi social, por edhe të bëhet përmirësimi i konsiderueshëm i tij, sepse fenomeni i varfërisë po vjen duke u thelluar dhe duke përkeqësuar, gjë që statistikat aktuale janë dëshpëruese. “Kjo duhet të jetë ‘alfa dhe omega’ e institucioneve sepse, nëse duhet menduar pak edhe politikisht, atëherë këtu shtrihet pjesa më e madhe e elektoratit”, ka deklaruar ai.

Profesor Skënderi ka vlerësuar se kategori sociale në Kosovë ka me bollëk. “Të papunët presin fatin e gjetjes së një vendi pune; pensionistëve duhet kthyer dinjitetin duke ua përmirësuar lëmoshën dhe paguar kompensimin që tani atyre u takon për periudhën sa ata ishin të punësuar dhe ta marrin pensionin që përmbush nevojat elementare për një jetë të tyre normale; invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, personat e mbetur jashtë ristrukturimit të TMK-së në FSK, familjet e viktimave të luftës dhe të të pagjeturve, kategoria e të burgosurve politikë në të gjitha fazat historike të shtetndërtimit, dhe të gjitha kategoritë e tjera sociale konsideroj se duhet pasur një vëmendje më të madhe institucionale”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo mund të arrihet nëpërmjet një programi të mirëfilltë social, sepse duhet kuptuar drejt edhe anën objektive në të cilën gjendet vendi me një forcë të re punuese si rezultat i presionit demografik të popullatës së re që hyn në tregun e punës dhe pamundësinë që menjëherë të bëhet Kosova si Zvicra.

“Duhet angazhuar njerëz të fushave përkatëse e profesionale, jo t\'u gjendet puna duke rehatuar militantët e kryengritësit partiakë, duke u bërë bartës të posteve dhe detyrave përgjegjëse njerëzve të dështuar në proceset politike (që nuk kanë arritur të sigurojnë, për shembull, postin e deputetit nga zgjedhjet, e të zënë vendin ku duhen bërë reforma të domosdoshme ekonomike e sociale. Në të kundërtën, paradokset sociale do të na përcjellin edhe në të ardhmen, me tendenca të ashpërsimit edhe më tutje”, ka thënë profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)