17 Maj 2024

Përkrahet projektligji për Buxhetin e Kosovës për 2012

Prishtinë, 9 nëntor - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, ka shqyrtuar sot Raportin nëntëmujor të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2011, Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012, Raportin nëntëmujor të shpenzimeve të Kuvendit  të Kosovës për vitin 2011 dhe Rregulloren e punës së komisionit.

Raportin nëntëmujor të buxhetit, para anëtarëve të komisionit, e prezantoi ministri i Financave, Bedri Hamza.

Ministri Hamza, fillimisht potencoi dy veçoritë kualitative të raportit: ngritjen substanciale të të hyrave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak dhe ngritjen kualitative në kategorinë e investimeve kapitale.

Duke folur për të hyrat gjatë këtij nëntëmujori, ai tha se ato, pa përfshirë grandet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, janë 933.1 milionë euro dhe paraqesin 74 për qind të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara, ndërsa ka një rritje prej 4 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Në vazhdim, ministri Hamza dha shifra të detajuara për të hyrat nga tatimet kufitare, të hyrat nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), të hyrat vetanake komunale dhe qendrore, pranimet jotatimore qeveritare dhe pranimet nga dividenda.

Sa i përket pagesave gjatë kësaj periudhe, pa i përfshirë grandet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, sipas ministrit të Financave, kanë qenë 902.7 milionë euro dhe paraqesin 60 për qind të planit të përgjithshëm vjetor.

Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, e cila e udhëhoqi mbledhjen, e vlerësoi raportin si të detajizuar dhe në harmoni me ligjin.

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, ngritën çështje të ndryshme dhe i adresuan ministrit pyetje në lidhje me të dhënat e paraqitura në raport. Njëherësh, u dhanë vlerësime pozitive por edhe vërejtje nga ana e anëtarëve të komisionit.

Pas shterjes së debatit, komisioni vendosi që raporti t’iu dërgohet deputetëve për informim.

Në këtë mbledhje, ministri Bedri Hamza, prezantoi, gjithashtu, edhe Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012.

Duke shpalosur përmbajtjen e tij, Hamza tha se projektligji është i draftuar mbi bazën e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës dhe është i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Ai tha se qeveria vlerëson që rritja ekonomike për vitin 2001 të jetë rreth 5.3 për qind, përderisa do t’i kushtojë kujdes të veçantë ruajtjes së qëndrueshmërisë makro-fiskale.

Gjatë diskutimeve, anëtarët e komisionit u ndalën në aspekte përmbajtësore të projektligjit, duke shpalosur qëndrime të ndryshme. U dhanë vlerësime pozitive por pati edhe vërejtje për çështje të caktuara në projektligj.

Komisioni e përkrahu projektligjin dhe e rekomandoi për miratim në parim në seancë plenare.   

Në vazhdim të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, paraqiti Raportin nëntëmujor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2011, ndërsa iu përgjigj edhe pyetjeve të anëtarëve të komisionit.

Sa i përket investimeve kapitale, Krasniqi tha se Vila-Gërmia vazhdon të mbetet problem konstant dhe potencoi nevojën e definimit të këtij projekti, përderisa, shpenzimet e tjera, sipas tij, janë në harmoni me dinamikën e paraparë.

Pas diskutimeve, raporti u përkrah nga anëtarët e komisionit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)