17 Maj 2024

Përfundoi samiti i G-20 në Meksikë

Meksiko Siti, 20 qershor - Samiti G-20 në Meksikë përfundoi me zotimin e liderëve për të marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e Eurozonës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama bëri të ditur se liderët evropianë e kanë kuptuar që për kapërcimin e krizës së borxheve duhen bërë hapa urgjentë dhe të vendosur.

Eurokriza la gjurmë të thella në Samitin G-20, që u zhvillua në qytezën Los Kabos të Meksikës. Në komunikatën e përbashkët, që u publikua në fund të samitit, tërheq vëmendjen kjo fjali: "Vendet anëtare të euros do të marrin të gjitha masat e duhura dhe do të përmirësojnë tregjet financiare për stabilitetin dhe integritetin e Eurozonës".

Në komunikatë po ashtu mbështetet ideja për të integruar sistemin bankar të Eurozonës. Liderët e G20-s vendosën që të merren masa të rëndësishme, në mënyrë që zona euro të kalojë sërish në rritje ekonomike.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Barak Obama, në deklaratën që bëri përballë gazetarëve në fund të samitit, u shpreh se liderët evropianë e kanë kuptuar sa emergjente është situata, ata e dinë shumë mirë çfarë duhet bërë për të penguar thellimin e krizës dhe për ta kapërcyer atë.

Obama theksoi se nuk ekziston një zgjidhje çudibërëse, e cila mund t'i japë fund kësaj krize brenda 1-2 muajve, por -shtoi ai- "çdo hap i bërë nuk do ta çojë Evropën drejt shpërbërjes, po drejt një integriteti më të madh, më të fuqishëm".

Ndërsa Drejtoresha Operative e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristin Lagard mbrojti opinionin se në këtë samit janë hedhur themelet për kapërcimin e eurokrizës.

Një tjetër arritje e Samitit "G-20" në Los Kabos ishte zotimi i liderëve të Rusisë, Kinës, Brazilit, Indisë dhe Afrikës së Jugut për të shtuar kontributin e tyre në FMN, e cila kohëve të fundit ka vështirësi në gjetjen e burimeve financiare për parandalimin e krizave. Po ashtu Kina njoftoi se do t'i japë edhe 43 miliardë dollarë fondit të FMN-së për ndërhyrje ndaj krizave ekonomiko-financiare.

Analistët nënvizojnë se përfundimi më i rëndësishëm i samitit në Los Kabos është se vende si Kina dhe India i propozuan FMN-së me miliarda dollarë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)