02 Maj 2024

Partitë dhe gjyqësori më të korruptuarit

Prishtinë, 9 dhjetor - Shkalla e korrupsionit në Kosovë është duke shënuar rritje dhe institucionet më të atakuara nga kjo dukuri janë partitë politike, parlamenti dhe gjyqësori. Këto të dhëna janë publikuar nga organizata me renome botërore kundër korrupsionit "Transparency International", ku si partner kryesor ka Institutin Demokratik të Kosovës, të cilit edhe i jep të drejtën e lansimit të këtij raporti për Kosovën.

Raporti i publikuar të enjten nga Transparency International, “Barometri Global i Korrupsionit 2010” bën të ditur se këtë vit, sektori më i korruptuar raportohet të jetë ai i partive politike, me notën 4.2 nga 3.8 sa ka qenë vitin e kaluar, duke u pasuar nga sektori i gjyqësorit, me notën 4.1 nga 4 sa ka qenë e raportuar.

Vitin e kaluar, raporti e kishte radhitur Kosovën në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni, duke fituar notën 3.4. Nota 5 tregon nivelin më ekstrem të korrupsionit, njofton Evropa e Lirë.

Hulumtimet janë bërë përmes anketimeve dhe në to janë përshirë 86 vende nga mbarë bota, përfshirë edhe Kosovën.

Në të dy këta sektorë, ka rritje të nivelit të korrupsionit dhe këtu nuk përjashtohet as parlamenti, nota e të cilit gjithashtu është rritur nga 3.4 në 3.9.

Në sektorin e biznesit privat, korrupsioni ka shënuar rënie nga 3.7 në 3.3. Shkalla e korrupsionit nuk ka pësuar ndryshime në media, ku vazhdon të vlerësohet me notën 2.3, njësoj si vitin e kaluar.

Në kategorinë e përqindjes së njerëzve që paguajnë mito në një nga 9 shërbime të ndryshme, Kosova arrin 16 përqindëshin.

Në vlerësimet e qytetarëve për veprimet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, 61 për qind mendojnë se këto veprime janë joefektive, 32 për qind besojnë se janë efektive, kurse 7 për qind kanë mendime asnjanëse

Korrupsioni është rritur në tre vjetët e fundit, thonë gjashtë nga 10 të anketuar në mbarë botën dhe një në 4 prej tyre pohon se ka paguar mito vitin e kaluar.

Këto janë gjetjet e raportit të publikuar sot nga Transparency International, “Barometri Global i Korrupsionit 2010”. Pikëpamjet mbi trendin e korrupsionit janë më negative në Evropë dhe Amerikën veriore, ku 73 për qind, respektivisht 67 për qind të njerëzve të anketuar besojnë se korrupsioni ka shënuar rritje në tre vjetët e fundit.

Barometri global i Korrupsionit për vitin 2010 reflekton pikëpamjet e më shumë se 91 mijë respondentëve në 86 vende, duke e bërë atë edicionin më të plotë që nga lansimi i tij i parë më 2003. Pra, ky është edicioni i shtatë me radhë, ndërsa hulumtimi është bërë në periudhën kohore 1 qershor 2010 dhe 30 shtator 2010. Në Kosovë janë përfshirë 1 mijë respondentë.

Përgjigjet e qytetareve në këtë drejtim kane qenë se; 7 nga 10 respondentët kanë shprehur gatishmëri që të raportojnë për ndonjë rast të korrupsionit, 7 nga 10 respondentët po ashtu kanë deklaruar se njerëzit e zakonshëm mund të bëjnë ndryshime në luftën kundër korrupsionit, ndërsa gjysma e tyre janë shprehur se mund të imagjinojnë veten të përfshirë në luftën kundër korrupsionit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)