02 Maj 2024

Parititë shpenzojnë mbi 220 mijë euro për 10 ditë fushatë

Prishtinë, 10 dhjetor - Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim, në konferencën për media ka prezantuar të dhënat e këtij Koalicioni mbi mbarëvajtjen e fushatës elektorale për Zgjedhjet Parlamentare të 12 dhjetorit 2010.

Përfaqësuesit e Demokracisë në Veprim vlerësuan se përkundër disa veprimeve apo aktiviteteve që janë evidentuar dhe të cilat janë në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, në përgjithësi fushata elektorale mund të vlerësohet e qetë, korrekte dhe demokratike.

Driton Selmanaj, përfaqësues i Demokracisë në Veprim përmendi disa të dhëna të cilat janë evidentuar në disa nga tubimet e subjekteve politike siç janë: përdorimi i resurseve publike, vendosja e materialit propagandues në objektet publike, përdorimin e fëmijëve në aktivitetet elektorale, dëmtimin e materialeve propaganduese nga ana e subjekteve politike, mos paraqitja e kalendarit të aktiviteteve në KKZ etj.

Në këtë konferencë janë prezantuar edhe rezultatet e hulumtimit dhe monitorimit të shpenzimeve të subjekteve politike për promovimin e tyre në shtypin ditor dhe portalet, agjencitë informative në internet, për periudhën 01-09 dhjetor 2010.

Sipas këtij hulumtimi del se subjektet politike për promovim në shtypin ditor gjatë kësaj periudhe në total kanë shpenzuar 208,529 € ndërsa në portalet apo agjencitë në internet 18.800 €.

Sipas Driton Selmanaj përfaqësues nga Demokracia në Veprim, Partia Demokratike e Kosovës prinë e para për nga shpenzimet promovuese në shtypin ditor me 103.062 € duke u pasuar nga AKR me 60.765 €, LDK me 25.870 €, AAK me 8.396 €, FER me 5,443 €, LDD me 2.824  €, KDTP 1.136  €, dhe Vetëvendosja me 1,033 €.

Sipas këtij hulumtimi, PDK është e para për shpenzime promovuese edhe në portalet dhe agjencitë informative në internet me 4.500 €, pasuar nga LDK me 4.300 €, AAK me 2.900 €,  AKR 2.600 €, FER 2.300 € dhe Lëvizja Vetëvendosje me 2.200 €, shtoi më tej z. Selmanaj.

Demokracia në Veprim po ashtu publikoi edhe prezantimin e gjetjeve nga monitorimi i mediave për pesë (5) ditët e para të fushatës elektorale. Pjesë e këtij monitorimi janë tri televizionet nacionale dhe të gjitha gazetat e përditshme, të cilat janë monitoruar për mbulimin kuantitativ dhe kualitativ të aktiviteteve të partive politike

Krenar Gashi anëtar i Bordit të Demokracisë në Veprim theksoi se gjatë pesë ditëve të para të fushatës, shumica e mediave kanë raportuar për aktivitetet e partive politike në mënyrë kryesisht të balancuar.

Gjatë monitorimit kualitativ të lajmeve të tri televizioneve me frekuenca kombëtare, është vërejtur një konfuzion në raportimin e aktiviteteve parazgjedhore të kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrave të qeverisë në dorëheqje.

Këto aktivitete, ani pse ishin pjesë e fushatës zgjedhore, janë raportuar sikur të ishin lajme të protokollit shtetëror.

Këso raportime më së shumti janë regjistruar në edicionin qendror të lajmeve të RTK-së, ku në pesë raste të ndryshme aktivitetet parazgjedhore të PDK-së janë cilësuar dhe raportuar si lajm, e jo si kronikë zgjedhore, tha më pas Gashi.

Gjithashtu sipas këtij hulumtimi del se në gazetat e përditshme është vërejtur një raportim i denjë dhe i barabartë për subjektet politike. Përjashtim bën Gazeta Infopress, e cila rreth 40% të pjesës së raporteve parazgjedhore ia ka dedikuar mbulimit të aktiviteteve të vetëm një subjekti politik - PDK-së.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)