27 Prill 2024

Paritë shpenzojnë mija euro në reklamat rreth zgjedhjeve

Prishtinë, 5 dhjetor - Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim, në konferencën për media ka prezantuar raportin mbi mbarëvajtjen e deritanishme të fushatës elektorale për Zgjedhjet Parlamentare të 12 dhjetorit 2010.

Të dhënat e prezantuara nga Demokracia në Veprim kanë të bëjnë me disa veprime apo aktivitete të subjekteve politike, që vlerësohen se janë në kundërshtim të plotë me Kodin e Mirësjelljes  për Subjektet  Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.

Albulena Sadiku, anëtare e Bordit e Demokracisë në Veprim përmendi disa të dhëna të cilat janë evidentuar në disa nga tubimet e subjekteve politike siç janë: Veprimet  e ndaluara për shërbyesit civilë, vendosja e materialit propagandues në Objektet Publike, përdorimin e fëmijëve në aktivitetet elektorale, dëmtimin e materialeve propaganduese nga ana e subjekteve politike, mos paraqitja e kalendarit të aktiviteteve në KKZ etj.

Në këtë konferencë janë prezantuar edhe rezultatet e hulumtimit dhe monitorimit të shpenzimeve të subjekteve politike për promovimin e tyre në shtypin ditor dhe portalet, agjencitë informative në internet, për periudhën 01-04 dhjetor 2010.

Sipas këtij hulumtimi del se subjektet politike për promovim në shtypin ditor gjatë kësaj periudhe në total  kanë shpenzuar 59.395 € ndërsa në portalet apo agjencitë në internet 9.600 €. Sipas Driton Selmanaj përfaqësues nga Demokracia në Veprim, Partia Demokratike e Kosovës prinë e para për nga shpenzimet promovuese në shtypin ditor me 35.230 € duke u pasuar nga AKR me 14.389 € dhe LDK me 4.264 €.

Bazuar në të dhënat e këtij hulumtimi, PDK prin me shpenzime promovuese edhe në portalet dhe agjencitë informative në internet me 3.400 €, pasuar nga LDK me 2.850 €, Lëvizja Vetëvendosje me 1.200 €, shtoi më tej z. Selmanaj.

Demokracia në Veprim ka angazhuar 70 vëzhgues afatgjatë për monitorimin e fushatës zgjedhore si dhe 63 vëzhgues për monitorimin e kostos financiare të fushatës zgjedhore. Më 12 dhjetor, në Ditën e Zgjedhjeve do të jene të angazhuar rreth 5.000 vëzhgues që do të monitorojnë në dy ndërrime procesin e votimit dhe të numërimit. DnV do të ketë të angazhuar edhe vëzhgues në ekipe mobile për tu ofruar mbështetje vëzhguesve statik në bazë të nevojave të caktuara.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)