17 Maj 2024

Papunësia vazhdon të jetë problemi më madhor i Kosovës

Prishtinë, 15 nëntor - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka përfunduar edicionin e dytë të Raportit Pulsi Publik i cili është një analizë e zgjeruar e fakteve të shpejta të cilat i kemi lansuar në një konferencë për shtyp më 6 korrik 2011.

Qëllimi kryesor i Pulsit Publik është të ofrojë një platformë përceptimesh dhe mekanizmash për të   ndihmuar procesin e të bërit të politikave publike.

Në raport janë paraqitur analiza të zgjeruara për politikat dhe institucionet e Kosovës, situata shoqërore-ekonomike, marrëdhëniet ndëretnike, siguria publike dhe personale si dhe integrohen dy tregues të rinj për demokratizimin dhe besueshmërinë ekonomike.

Raporti i Pulsit Publik gjithashtu integron dy tregues të rinj për demokratizimin dhe besueshmërinë ekonomike. Sipas anketave më të fundit, indeksi i demokratizimit në Kosovë është 0.95, që do të thotë që shumica e njerëzve nuk e perceptojnë që proceset e demokratizimit janë duke shkuar në drejtimin e duhur.

Indeksi i përgjithshëm i Kosovës për Besueshmërinë Ekonomike është 0.90, që do të thotë që përgjithësisht, kosovarët nuk kanë ndonjë mendim të favorshëm për ekonominë.

Sfidat dhe kufizimet e institucioneve qeveritare apo publike janë enorme, por të tilla janë edhe kërkesat publike dhe dëshira e zjarrtë e njerëzve për përmirësime të dukshme në Kosovë.

Derisa një numër i konsiderueshëm i kosovarëve duken të jenë të kënaqur me punën e institucioneve të tyre kryesore – p.sh. mesatarisht, rreth 37% e kosovarëve duken të jenë të kënaqur me institucionet e tyre (ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore të kombinuara) – pasqyra ndryshon shumë kur pyeten për kënaqshmërinë e tyre me drejtimin politik të Kosovës.

Vetëm rreth 13.5% e kosovarëve duken të jenë ose të kënaqur ose tejet të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës, derisa më shumë se gjysma (57.5%) duken të jenë të pakënaqur ose tejet të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës. 27% s’janë as të kënaqur as të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës.

Rreth 70% të të anketuarve të të gjitha etnive duken të jenë të pakënaqura me drejtimin ekonomik të cilin e ka marrë Kosova. Më se gjysma e të gjithë të anketuarve (55%) janë gati të bashkohen në protesta publike për arsye politike, derisa rreth 70% do ta bënin këtë për arsye ekonomike.

Sipas të dhënave të anketës, kosovarët identifikojnë papunësinë (40%) dhe varfërinë (20%) si dy problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova. Problemi i tretë më madhor me të cilin përballet
Kosova është korrupsioni (6%).

Mesatarisht, 33% e kosovarëve besojnë që lidhjet familjare janë faktori më i rëndësishëm, pasuar nga ata (19%) që besojnë që ryshfetet janë faktori më i rëndësishëm në kuptimin e mundësisë së punësimit në sektorin publik.

Vetëm 15% e të anketuarve besojnë që arsimi është i rëndësishëm kur kërkohet punësim në sektorin publik, pasuar nga 10% që besojnë që anëtarësia partiake është gjëja më e rëndësishme.

Derisa raporti mund të jetë me interes për lexuesin e përgjithshëm, qëllimi i tij primar është të ofrojë një platformë perceptimesh dhe mekanizmash për të lehtësuar procesin e hartimit të politikave publike, në një demokraci kosovare në konsolidim e sipër.

Papunësia sipas Raportit te Pulsit Publik vazhdon të jetë problemi më madhor me të cilin ballafaqohet Kosova. Sipas rezultateve të anketimit, 40% e kosovarëve identifikojnë papunësinë si problemin më madhor, pasuar me 20% të tjerë që e shohin varfërinë si problemin më të madh.

Mesatarisht, 33% (pa ndryshim nga nëntori 2010) e kosovarëve besojnë që lidhjet familjare janë faktori më i rëndësishëm, pasuar nga 19% (krahasuar me 24% në nëntor 2010) të cilët besojnë që ryshfeti është faktor i rëndësishëm për shanse të punësimit në sektorin publik.

Vetëm 15% (krahasuar me 12% në nëntor 2010) të të anketuarve besojnë që arsimimi është i rëndësishëm kur kërkohet punësim në sektorin publik, pasuar me 10% (pa ndryshim që nga nëntori 2010) të cilët besojnë që përkatësia partiake besojnë të jetë faktori më i rëndësishëm.

Por është brengosëse që në total, vetëm 24% e të anketuarve mendon që arsimimi, përvoja profesionale dhe aftësimi profesional janë të rëndësishëm për të zënë një vend pune në sektorin publik.

Përveç papunësisë (40%) dhe varfërisë (20%), korrupsioni (6%) është problemi i tretë më madhor me të cilin përballet Kosova.

Sa i përket perceptimit të njerëzve mbi shkallën e lartë të korrupsionit dhe sipas rezultateve aktuale të anketimit, KEK, Dogana dhe Gjykatat janë tri institucionet kryesore për të cilat opinioni publik ka nivelin më të lartë të perceptimit për shkallë të lartë të korrupsionit.

Institucionet me perceptim më të ultë publik për shkallë të lartë të korrupsionit janë institucionet e arsimit, organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të.

Gjitha përfundimet dhe rekomandimet e propozuara dhe të paraqitura në këtë raport janë rezultat i disa raundeve të diskutimeve me ekspertë nga fusha, prapavija e mjedise institucionale të ndryshme, si dhe në hulumtimin e opinionit publik në Kosovë përmes intervistave të drejtëpërdrejta me 1580 qytetarë të Kosovës të moshës mbi 18 vjeçare, nga të dyja gjinitë, të gjitha grup-moshat dhe nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, përfshirë viset rurale dhe urbane.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)