13 Maj 2024

Papunësia shënon rritje katastrofike në Greqi e Itali

Romë - Athinë, 3 mars - Greqia e Italia qenë dy vendet e Bashkimit Europian që njohën rritjen më të madhe të papunësisë gjatë vitit të kaluar, bëri të ditur zyra e statistikave të Bashkimit Europian Eurostat dje.

Në Greqi, papunësia u rrit nga 14.7 për qind e forcës së gatshme për punë në janar, në 20 për qind në nëntor. Të dhënat për dhjetorin nuk qenë të disponueshme.

Në Itali, papunësia ka njohur një rritje më pak dramatike sesa ajo e Greqisë duke lëvizur nga 8.1 në 9.2 për qind. Papunësia mes popullsisë nën 25 vjeç në Greqi u rrit nga 38 në 48 për qind duke bërë që praktikisht një në dy të rinj të gatshëm për punë, të jetë duke bredhur me duar në xhepa. Në Itali, papunësia mes të rinjve u rrit nga 28.5 për qind në 31 për qind.

Eurostati klasifikon si të papunë aktivë njerëzit mes 15 dhe 64 vjeç, të cilët shprehen të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javëve të ardhshme dhe që kanë kërkuar punë gjatë katër javëve të shkuara.

Njerëzit që dalin jashtë kësaj kategorie, mund të jenë studentë ose në kurse trajnimi ose mund të jenë të papunë që për mungesë nevoje për punë ose për shkak të diskurajimit, nuk kanë kërkuar punë gjatë muajit të fundit.

Papunësia e lartë në Itali dhe Greqi është një lajm shumë i keq për ekonominë shqiptare, e cila gjatë dy dekadave të fundit ka jetuar përgjithësisht falë të ardhurave nga emigrantët që punojnë në këto dy vende. Shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë nëpër botë jetojnë pikërisht në Greqi e Itali.

Por ndërsa vendet e jugut të Europës po vuajnë papunësinë e tejskajshme, vendet e veriut duket se nuk kanë ndonjë problem të dukshëm në këtë drejtim. Në Gjermani, papunësia qe vetëm 5.8 për qind në janar 2011, dukshëm më e ulët sesa 6.5 për qind që rezultonte një vit më parë. Në Austri, papunësia është vetëm 4 për qind, ndërsa në Holandë, vetëm 5 për qind.

Një pjesë e shqiptarëve që gjatë dy dekadave të fundit kanë jetuar në Greqi, kanë filluar sakaq të lëvizin drejt vendeve të Europës Veriore në kërkim të një jete më të mirë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)