29 Prill 2024

Opozita kritikon Qeverinë për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve

Prishtinë, 17 qershor - Kuvendi i Kosovës nisi punimet të premten ashtu siç kërkoi opozita një ditë më parë. Ministri i Financave Bedri Hamza një ditë më parë ka prezantuar Propozim-kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2012-2014 dhe ka marrë mbështetje nga Grupi Parlamentar i PDK-së, ndërkohë grupet opozitare kanë bërë vërejtje dhe kritika për këtë dokument, duke shprehur kundërshtimin për të.

Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se Grupi Parlamentar i LDK-së shpreh keqardhje për krizën ekonomike në vend, që sipas saj, është “sukses” i Qeverisë Thaçi dhe e cila është vulosur me buxhetin e vitit 2011 dhe me prishjen e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Duke marrë parasysh këtë fakt, kjo kornizë nuk i plotëson kushtet bazike për shqyrtim. Me minus 157 milionë euro këtë vit Qeveria duhet të rrudhë shpenzimet në mallra dhe shërbime, paga apo projekte kapitale. Ky projekt është plotësisht i papranueshëm dhe joreal. E dimë se Qeveria do të gjejë mënyra për mbushjen e arkës së shtetit, sikur që është akciza, dhe nuk është çudi nëse nesër qytetarët do të paguajnë taksa më të larta, duke paguar papërgjegjësinë e Qeverisë dhe fitoren e PDK-së që bëri përmes premtimeve”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të jetë e ndërgjegjshme dhe ta pranojë para qytetarëve se nuk do të ketë rritje të asistencës sociale, nuk do të ketë paga me rritje dhe nuk do të ketë paga retroaktive për muajt janar e shkurt.

Duke përmendur edhe masa e reciprocitetit me Bosnjën dhe Serbinë, të cilat sipas saj, qeveria asnjëherë nuk do të arrijë t’i zbatojë, Bajrami ka thënë se Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do ta mbështes Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri e ka cilësuar këtë dokument si jashtë realitetit, duke thënë se në këtë dokument, synimet e qeverisë janë jashtë interesave dhe mundësive të vendit dhe më shumë ka dëshira sesa projeksione.

Sidoqoftë, sipas Ymeri, me një logjikë të tillë ekonomike, Kosova ka vazhduar tash e 12 vjet dhe për këtë arsye Kosova ka një gjendje të tillë ekonomike.

Kurse, Ardian Gjini, shef i GP të AAK-së ka vlerësuar se një kornizë e tillë e shpenzimeve, nuk mund të hartohet mbi dy opsione, të cilat janë që të dyja të gabueshme.

Nga ana tjetër, mbështetje kësaj kornize afatmesme të shpenzimeve i ka dhënë Muhamet Mustafa nga Koalicioni për Kosovë të Re, por ai ka kërkuar që dy skenarët e paraqitur, njëri nga ekspertët e Qeverisë dhe tjetri nga Ministria e Financave i harmonizuar me FMN-në, të ripunohen dhe të ketë një skenar unik.

Ministri Bedri Hamza ka falënderuar deputetët për kritikat, por ka thënë se më shumë do t’i vlerësonte sikur të kishte alternativa, të cilat sipas tij, vazhdimisht po mungojnë.

Ai ka theksuar se ky dokument është hartuar në prill, sipas afateve ligjore, përderisa raportet me FMN-në kanë ardhur gjatë vizitës së delegacionit të FMN-së gjatë majit, andaj Hamza ka thënë se këto relacione do të punohet dhe do të rishikohen gjatë muajit korrik dhe gusht.

Hamza ka pranuar se nuk Kosova nuk i ka punët mirë ekonomikisht, por ka theksuar se gjatë vitit 2010 ka pasur rritje ekonomike dhe hapje të tregut të punës, përderisa ka mohuar të ketë pasur rritje të normës së tatimit gjatë këtij viti.

Për humbjen e parave nga marrëveshja me FMN-në, Hamza siguron se paratë nuk do të humbin dhe për këtë ai ka thënë se për të qenë më të bindur të flasin me Komisionin Evropian, FMN-në dhe Bankën Botërore.

“Nuk dua as qytetarët as deputetët ta marrin fjalën time. Le të bisedojnë me KE-në, me FMN-në me BB-në. Thuhet se Kosova nuk ka marrëveshje me FMN-në dhe pas dy fjalime thonë se ka një marrëveshje me FMN-në. Kishte një marrëveshje `stand by arrangement’ dhe tani ka një marrëveshje monitorimi që ka kushte dhe nuk janë të lehta për implementim. Implementimi i plotë dhe i suksesshme i hap rrugë Kosovës rrugën për një marrëveshje të re që i jep Kosovës mundësi për të pasur qasje në kreditë dhe në paratë e premtuara nga Komisioni Evropian”, ka thënë Hamza.

Ai ka folur edhe për rritjen e të ardhurave për kategoritë e luftës dhe për përfshirjen e kostos për Ligjin për kategorive të luftës dhe për Ligjin e punës, përderisa sa i përket anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Hamza ka shfaqur shpresën se Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e kësaj banke.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)