04 Maj 2024

Olofsson: Kosova nuk ka sistem të mirë te qeverisjes

Prishtinë, 15 korrik - Lëvizja  FOL ka mbajtur sot debatin e radhës të forumit "Fol Hapur" me Auditorinë e Përgjithshëm të Kosovës, Lars Lage Olofsso,  ku është  diskutuar “Përgjegjësia dhe Llogaridhënia e Shpenzimit të Parave Publike” por njëkohësisht edhe raportet e këtij institucioni që kanë të bëjnë me auditimin e pasqyrave financiare të institucioneve të Kosovës.

Analisti i Politikave në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, deklaroi se institucionet e Kosovës përveç që duhet të jenë llogaridhënëse dhe transparente ndaj institucioneve tjera, ato duhet të jenë njashtu edhe ndaj qytetarëve të Kosovës.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Lars Lage Olofsson, tha se një ndër detyrat e tij është që ndërtohet një auditor modern dhe që të kontribuojë për një qeverisje më të mirë në Kosovë. 

“Në Kosovë nuk kemi sistem të qeverisjes së mirë, ka mungesë të të kuptuarit të një sistemi të mirë të organizimit të punëve. Ky sistem nuk është vetëm për sektorin publik, sistemi duhet të nënkuptojë edhe përfshirjen e shoqërisë civile. Gjëja kryesore këtu është se kemi një burokraci në kuptimin e përzgjedhjes së njerëzve."

"Këta njerëz kanë përgjegjësi. Vet fakti që ky buxhet iu lihet në besim atyre, ata duhet ta bëjnë këtë në mënyrë më të  mirë, në mënyrë transparente dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve. Kjo është shumë e lehtë për t’u bërë, mjafton të ketë vullnet për këtë”, tha Olofsson.

Se si shfrytëzohen këto para, sipas tij është edhe qëllimi kryesor i Auditorit Gjeneral në Kosovë.

Më tutje Olofsson tha se secili duhet ta di detyrën e vet dhe përgjegjësinë që e ka. “duhet të ndërtojmë mekanizma të kontrollit dhe balancimit, në mënyrë që të ndërtohet një sistem i mirëfilltë demokratik”.

Ai deklaroi se gjatë kohës sa është këtu ka filluar të ketë një progres për një sistem më të mirë. “Me rëndësi është që gjërat të adresohen në nivelin e njëjtë. Me kalimin e viteve sistemi po bëhet më i mirë dhe kjo ka të bëjë më fushën e prokurimit. Po ashtu është shumë e rëndësishme të diskutohet financimi i partive politike. Partitë politike janë sektor privat e jo publik, pra nuk është standard i mirë evropian që ne të merremi me partitë politike. Nuk është punë e jona që të merremi me partitë politike. Kjo është një punë e KQZ-së, pastaj ne shkojmë e auditojmë KQZ dhe shohim se si e kanë bërë ata këtë punë dhe shohim se sa para i janë dhënë një partie”.

Olofsson deklaroi se kontrata me Bechtel & Enka për ndërtimin e Autostradës është njëra nga 40 projektet që do të auditohen gjatë këtij vitit.  Sipas tij, njerëzit në Kosovë, s’mund të bëhen bashkë, si një komb, si një shtet për të ruajtur paranë publike.

“Njerëzit këtu janë ndarë në familje, klane,etj,dhe nuk bëhen bashkë për të mbrojtur interesat e tyre. Edhe politikanët duhet të kenë më të qartë se çfarë vendime duhet të marrin. Kur ju jeni të ulur në një pozicion ku mund të merrni vendime, ju duhet ta keni shumë të qartë mënyrën se çfarë të ardhme mund të kenë fëmijët tuaj. Njerëzit këtu shohin vetëm në një afat shkurtër, vetëm për dy vite, andaj kjo duhet të ndryshohet e të mendohet edhe për gjenerata të tëra”.

Auditori Gjeneral premtoi se secilit institucion i troket në derë dhe i kujton se nuk po e bëjnë punën e tyre si duhet, dhe për këtë ai tha se nuk dëshiron që  rekomandimet e tij të implementohen nga institucionet, sepse atëherë nuk do të mësojnë asgjë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)