03 Maj 2024

Oloffson: Shqetësim më i theksuar mbetet prokurimi

Prishtinë, 24 tetor - Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, mbajti sot  dëgjim publik lidhur Raportin Vjetor të auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Në këtë takim të pranishëm ishin: Lars Lage Olofsson, Auditor i Përgjithshëm, Bedri Hamza, ministër i Financave, si dhe Safet Hoxha, kryetar i Bordit të Komisionit Rregullativ të  Prokurimit Publik.

Kryetari i komisionit, Ali Sadriu, fillimisht sqaroi se ky raport do të shqyrtohet edhe në seancë plenare, ndërsa shpalosi  rekomandimet e ZAP-it, që i referohen institucioneve të caktuara.

Ai tha se janë gjithsej 12 rekomandime në raportin vjetor të auditimit dhe katër rekomandime janë të adresuara për Kuvendin.

Auditori gjeneral Oloffson para anëtarëve të komisionit theksoi se tek menaxhimi i buxhetit kemi një numër të madh të sfidave, rreth mënyrës së raportimit të llogarive.

Megjithatë, shqetësim më i theksuar mbetet çështja e prokurimit. Duke përmendur miratimin e Ligjit të Prokurimit Publik, ai tha se edhe në të ardhmen pritet që të ballafaqohemi me sfidat e ngjashme të vitit të kaluar.

Lidhur me prokurimin publik në vend Oloffson tha se kjo çështje ka të bëjë me mosdijen se si duhet të kryhet një proces i prokurimit  dhe kjo sipas tij është mjaft shqetësuese. Duke u ndërlidhur me të gjeturat në raportet e auditimit, Oloffson përmendi edhe raportimin e pasurisë.

\"Mënyra se si raportohen pasuritë është një histori e trishtueshme\", tha ai duke shtuar se as menaxhimi financiar dhe kontrolli nuk janë në nivelin e duhur për krijimin e një menaxhimi më të mirë financiar dhe kontrolli, ndërkaq kërkoi nga Qeveria që ta ndryshojë qasjen e saj për menaxhimin financiar.

Tutje, auditori gjeneral tha se auditimi i brendshëm dhe departamenti i buxhetit duhet të të jenë më pro aktiv në bazë të rekomandimeve që janë dhënë nga kjo zyre.

Olofsson duke folur për institucionet e pavarura tha se ekzistojnë shumë sosh krahasuar me vendet tjera, mirëpo këto institucione duhet të jenë të pavarura edhe sa i përket anës financiare.

Sa i përket komunave, ai tha se ekziston situatë ndryshe tek to. Ato mbeten prapa sa i përket menaxhimit, mirëpo raportimi financiar është përmirësuar dukshëm krahasuar me vitin e kaluar. Ai më tej kërkoi që sërish të hidhet në diskutim vendimi për kthimin e menaxherit ekzekutiv.

Gjatë auditimit tek ndërmarrjet publike Oloffson tha se kanë hasur probleme të shumta në shërbime duke kërkuar kështu ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Krejtësisht në fund Olofsson tha se mënyra se si adresohen rekomandimet e auditorit të jashtëm nuk janë adresuar në mënyrë të mjaftueshme, duke kërkuar kështu nga Kuvendi dhe Qeveria që të ndërmarrin masa.

Anëtarët e komisionit theksuan se ka ngecje në menaxhimin dhe planifikimin e  buxhetit, duke përmendur kështu rialokimet. Po ashtu ata përmenden edhe ekzekutimin e buxhetit në muajt e fundit të vitit, duke kritikuar njëherësh edhe memorandumet me organizatat buxhetore.

Gjatë këtij takimi me theks të veçantë u kritikua edhe çështja e prokurimit, duke theksuar se ka keqmenaxhim dhe keqpërdorim në këtë fushë, ndërsa kërkuan sqarime nga ministri i Financave Bedri Hamza, lidhur me huazimet e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Me këtë rast ministri Bedri Hamza tha se cilësia e informacionit në raportet vjetore financiare po përmirësohet çdo vit. Duke potencuar faktin se ka progres në këtë fushë, ai tha se ende ka hapësirë për të përmirësuar këtë gjendje.

\"Opinioni i pakualifikuar është vlerësimi më i lartë dhe kjo neve na inkurajon që të vazhdojmë tutje në përmirësimin e punës tonë. Kemi arritur që t’i shpalosim drejt pasqyrat financiare. Ka vend për progres dhe për përmirësime.\"

\"Nuk mund të ketë qeverisje të mirë pa financa të mira publike dhe nuk mund të ketë financa të mira publike, pa transparencë“, tha ministri Hamza duke shtuar se sa i përket çështjes së riaolokimit kjo tregon se akoma nuk është arritur pjekuria e duhur në momentin e planifikimit të buxhetit.

Ai tha se Ministria e Financave e ka adresuar këtë sfidë dhe që nga viti i ardhshëm nuk do të ketë memorandume mirëkuptimi me organizata buxhetore dhe shtoi se të gjitha të hyrat do të depozitohen ne buxhetin e Kosovës.

Sa i përket agjensioneve të pavarura ministri Hamza tha se këto agjensione kanë nevojë për disiplinë më të madhe financiare, ndërkaq sa i përket komunave ai tha se ka përmirësime, megjithatë nuk është në nivelin e duhur.

Duke u ndërlidhur me raportin vjetor të auditimit ai tha se vërehet përmirësim krahasuar me vitin paraprak dhe nga 80 raporte të auditimit, 35 prej tyre janë raporte të pakualifikuara.

\"Kemi pas ngritje të opinionit të mirë, por prapë shqetësimet që janë ngritur janë shqetësime edhe të ministrisë, andaj do t’i marrim në konsideratë të gjitha të gjeturat dhe brengat, si dhe rekomandimet e ZAP-it në mënyrë që të ngritet niveli i financave publike në vend\", tha ministri i Financave.

 Duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarëve të komisionit për kthimin e kredisë së KEK-ut që ka marrë nga Qeveria e Kosovës, Hamza tha se do të ndërmerren masa nëse KEK-u nuk i kryen obligimet.

Gjatë këtij takimi ka folur edhe Safet Hoxha, kryetar i Bordit të Komisionit Rregullativ të  Prokurimit Publik. 

Duke u përgjigjur në pyetjet dhe shqetësimet e anëtarëve të komisionit për procedurat e tenderimit, ai përshëndeti miratimin e Ligjit të Prokurimit Publik dhe tha se kjo do të  garantojë një kontroll reciprok të pushtetit.

\"Ligji ka arritur që fushës së prokurimit publik t’i jap autorizim më të gjerë kontrollit të prokurimit publik. Këtë vit kemi  filluar monitorimin e publikimeve  dhe nëse vërejmë se ka kritere diskriminuese ato nuk do të publikohen, në mënyrë që kriteret për ndarje të kontratës të jenë të matshme\", tha Hoxha duke shtuar se beteja është jashtëzakonisht e rëndë, por ekziston një angazhim i fuqishëm i këtij institucioni drejt përmirësimit të kësaj gjendje.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)