29 Prill 2024

OJQ terhiqen nga grupi punues për Ligjin për Konfiskimin e pasurisë

Prishtinë, 31 maj - Organizatat që përbëjnë Forumin Këshillues të OJQ-ve për pakon Ligjore Kundër-korrupsion kanë qenë pjesë e grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, vetëm formalisht.

Deri më tani janë mbajtur vetëm tre takime, një konstituiv, dhe dy takime të llojit të seminarit, ku kanë prezantuar një ekspert italian dhe një gjerman dhe asnjë takim pune.
 
E vetmja formë e komunikimit me MD-në ka qenë në formë elektronike, ku Forumi i OJQ-ve ka dërguar qëndrimet në lidhje me përmbajtjen e ligjit më 1 mars të këtij viti.

Nga ana tjetër, MD ka premtuar se do të organizojë takime punuese, me qëllim të shkëmbimit të ideve, por që kjo nuk ka ndodhur asnjëherë..
 
Ndërkohë, në strategjinë legjislative ishte paraparë që Ligji në fjalë të arrij në Kuvend gjatë muajit maj. Duke qenë dëshmitarë se është shkelur edhe ky afat, MD më 29 maj ka dërguar tek ne një draft të dytë të Ligjit që ata e quajnë për Konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale dhe ka kërkuar që për dy ditë, përkatësisht më 1 qershor të kthehen komentet tona. Kjo nënkupton se MD nuk i ka marrë parasysh qëndrimet tona rreth ligjit.
 
Tani, duke parë se MD ka injoruar qëndrimet e shoqërisë civile, është qëndrim i Forumit Këshillues të OJQ-ve që përbëhet nga dhjetë OJQ, që të tërhiqemi nga grupi punues dhe çdo aktivitet i mëtutjeshëm i Qeverisë, nuk e ka mbështetjen e shoqërisë civile.