16 Maj 2024

OEK - OEAK dhe AKB: Pro privatizimit

Prishtinë, 6 shtator - Sektori privat në Kosovë me të drejtë konsiderohet si shtyllë e zhvillimit ekonomik në vend duke pasur parasysh se ky sektor punëson rreth 300 mijë persona, si dhe është kontribuuesi më i madh i buxhetit të shtetit përmes pagesës së tatimeve dhe detyrimeve të tjera.

Si i tillë, përkrahja e sektorit privat nga institucionet shtetërore dhe akterët e tjerë që kanë ndikim në zhvillimet ekonomike në vend, është kyçe për një rritje të përshpejtuar ekonomike, krijim të vendeve të reja të punës, luftim të varfërisë dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.

Organizatat e biznesit në vend edhe më herët kanë shprehur haptazi mbështetjen e tyre ndaj procesit të privatizimit, me arsyetimin se privatizimi i ndërmarrjeve publike dhe shoqërore do të ndikonte në tërheqjen e fondeve të reja, do të përmirësonte menaxhimin e këtyre ndërmarrjeve, që do të çonte në rritjen e efikasitetit të tyre dhe në shërbime dhe produkte më cilësore për qytetarët, por edhe në zvogëlim të mundësive për përhapje të korrupsionit. Gjithashtu, privatizimi është ndër mënyrat më të mira për tërheqjen e investitorëve potencial të huaj.

Në këtë kontekst, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit, si tri organizatat më të mëdha të biznesit në vend e ritheksojnë edhe njëherë qëndrimin e tyre për privatizimin e Postë dhe Telekomunikacionit të Kosovës, si një proces që në periudhë afatgjate do t’i sillte shumë të mira Kosovës dhe ekonomisë së saj.

 Ftojmë autoritetet që duke siguruar një proces të drejtë dhe transparent, të përdorin këtë proces si një tregues se Kosova është e hapur për investitorë, të jashtëm dhe vendorë dhe të dërgojmë një porosi pozitive se ne ofrojmë një mjedis mikëpritës për të bërë biznes. Pjesëmarrja e kompanive serioze ndërkombëtare në procesin e privatizimit të PTK-së është për t’u lavdëruar, meqë tregon se pavarësisht të gjitha sfidave, Kosova megjithatë mbetet një vend tërheqës për investimet e huaja.

Dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë se përkundër kësaj rëndësie të madhe që sektori privat ka në zhvillimin ekonomik në vend, akterë të ndryshëm nga sfera politike ende vazhdojnë të shohin sektorin privat dhe ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë si një fenomen negativ për vendin. Sjellja e papërgjegjshme e individëve dhe grupeve të ndryshme sigurisht se krijon armiqësi karshi sektorit privat.

Duke pasur parasysh se Kosova edhe ashtu nuk gëzon një reputacion të mirë në mesin e investitorëve të huaj, këto porosi dekurajojnë dhe largojnë edhe ata investitorë të paktë të huaj të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e jetës ekonomike në Kosovë.

Në fund, të tri asociacionet më të mëdha të biznesit theksojnë se roli për krijimin e kushteve më të mira për të bërë biznes dhe rrjedhimisht tërheqja e investimeve të huaja i takon në mënyrë primare institucioneve ligjvënëse dhe ekzekutive të vendit, por në të njëjtën kohë ky është edhe një obligim i të gjithë akterëve të tjerë relevantë dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi, prandaj u bëhet thirrje e hapur të gjithëve që të tregojnë një rol konstruktiv dhe bashkëpunues, duke shfrytëzuar rrugët dhe mekanizmat institucional, ku do të përballin qëndrimet dhe idetë e tyre, duke u shmangur përdorimit të fakteve jo të vërteta dhe gjysmë të vërteta të cilat frikësojnë publikun dhe investitorët e huaj përkitazi me rezultatet e privatizimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)