29 Prill 2024

Obama do të prezantojë një plan të ri për uljen e papunësisë

Washington, 6 shtator - Presidenti Barak Obama do të dalë të enjten e ardhshme para Kongresit me një fjalim që do të transmetohet në shkallë kombëtare, ku ai do të prezantojë një plan të ri për ekonominë amerikane.

Siç njofton korrespondenti Kent Klein, shanset e presidentit për t’u rizgjedhur mund të varen pikërisht nga rezultati i këtij plani:

Ndërkohë që vazhdon amullia ekonomike dhe papunësia luhatet në 9 për qind, Presidenti Obama tha ditët e fundit se do të prezantojë një plan për të hapur vende të reja pune.

“Do të prezantoj një numër hapash që mund të ndërmarrë menjëherë Kongresi për t’u lënë më shumë para në dorë familjeve të klasës së mesme dhe për t’ua bërë më të lehtë bizneseve të vogla të punësojnë njerëz, të angazhojnë ekipet e punës për të rindërtuar rrugët, hekurudhat dhe aeroportet dhe masa të tjera që ndihmojnë për rritje ekonomike”.

Anketat e fundit tregojnë se mbështetja e publikut për punën që po bën presidenti ka rënë në afro 44 për qind, ndër më të ulëtat gjatë mandatit të tij. Afro 2/3 e të anketuarve thonë se janë të pakënaqur nga mënyra se si presidenti ka reaguar në përgjigje të problemeve ekonomike.

Si rezultat, anketa të tjera tregojnë se presidenti mund ta ketë të vështirë të rizgjidhet në nëntor 2012.

Pjesërisht si rezultat i shqetësimeve politike, ka pasur pikëpamje të ndryshme nga stafi i Presidentit dhe analistë politikë lidhur me intensitetin e politikave që duhet të propozojë zoti Obama për të hapur vende të reja pune.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, sipas burimeve të brendshme, po shqyrtojnë programe ri-kualifikimi për individë që kanë qenë pa punë për një kohë të gjatë, ulje taksash për amerikanët me të ardhura mesatare, dhe lehtësime taksash për bizneset që marrin njerëz në punë. Programi mund të përfshijë edhe shpenzime të reja për të rindërtuar shkolla, ura, rrugë dhe objekte të tjera të infrastrukturës.

Po ashtu, zoti Obama pritet të vazhdojë presionin ndaj Kongresit për të miratuar marrëveshje të tregtisë së lirë me Panamanë, Kolumbinë dhe Korenë e Jugut.

Presidenti dhe ndihmësit e tij e cilësojnë planin si një nismë e arsyeshme që duhet të përqafohet nga republikanët e opozitës.

“Këto janë ide që përqafohen nga të dyja partitë, propozime që duhet të gjejnë mbështetje nga kushdo, pavarësisht nga përkatësia politike. Shpresoj se do të arrijmë të vëmë interesat e vendit para atyre partiake dhe të realizojmë diçka për popullin amerikan”.

Por republikani Xho Uolsh i shtetit Ilinoi, thotë se nuk ka gjasa që presidenti të prezantojë ndonjë ide që mund të gjejë mbështetjen e republikanëve si ai vetë.

“Përgjithësisht mendoj se do të jenë masa të reja për stimulimin e ekonomisë, shpenzime të reja qeveritare, huamarrje të reja nga qeveria me idenë për të nxitur ekonominë, që kanë dështuar prej 3 vjetësh. Na duhet e kundërta e asaj që ka bërë presidenti, jo më të njëjtat politika”.

Pritet që republikanët të flasin pro idesë së uljes së taksave dhe ngrirjen e disa rregulloreve qeveritare mbi bizneset.

Duke qenë se nuk pritet që republikanët ta mbështesin planin e zotit Obama, disa analistë thonë se Presidenti duhet të propozojë masa ambicioze. Larry Sabato është drejtor i Qendrës për Politika në Universitetin e Virxhinias:

“Presidenti ndoshta do të bënte mirë të tregohej shumë agresiv, pasi fakti është që nuk ka për të marrë miratim, pavarësisht çfarë propozimesh bën. Prandaj do të bënte mirë të dilte me një plan grandioz që do të kishte ndikim të madh po të miratohej nga republikanët. Por të gjithë e kanë të qartë se s’ka për të arritur gjë”.

Disa analistë në Uashington e konsiderojnë këtë fjalim si më të rëndësishmin e karrierës së Presidentit Obama. Por analisti Sabato thotë se fati i presidentit në zgjedhjet e 2012 do të varet nga gjendja e ekonomisë.

“E vetmja gjë që do e ndihmonte presidentin të rizgjidhej do të ishte përmirësimi i ekonomisë, jo fjalimet për përmirësim”.

Zyra për Menaxhim dhe Buxhet e administratës Obama ka parashikuar se ritmet e papunësisë do të vazhdojnë të luhaten tek 9 përqindshi edhe gjatë vitit tjetër. Megjithatë, zëdhënësi i Presidentit Obama, Xhej Karni ka thënë se miratimi i planit të zotit Obama për punësimin do të ndihmojë në uljen e kësaj shifre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)