05 Maj 2024

MZHE prezantoi të arriturat e 100 ditëve

Prishtinë, 6 qershor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka paraqitur sot punën njëqind ditore të kësaj ministrie ku ka veçuar punën në kompletimin e bazës ligjore, hartimin e dokumentit për prioritetet e zhvillimit ekonomik, monitorimin e ndërmarrjeve publike dhe realizimin e projekteve kapitale, ndërsa nuk ka lënë anash as bashkëpunimin rajonal dhe më gjerë.

Duke u ndalë te plani i zhvillimit ekonomik, ministri ka theksuar rolin e rëndësishëm që MZHE ka pasur në hartimin e tij, plan i cili tashmë është veç para editimit final ku parashihen edhe projeksionet kohore të projekteve dhe njëkohësisht do të merret edhe me efektet e pritshme të tyre.

“Kemi konsideruar që një dokument i tillë të mos mbetet dokument në listë dëshirash, por dokument i cili parasheh projektet konkrete të secilit resor qeveritar dhe njëkohësisht të shohim se cilat janë efektet të cilat mund t’i presim nga ky dokument”, ka thënë ai.

Ministri Beqaj tha se gjatë këtij tremujori MZHE është fokusuar në ristrukturimin e saj dhe deri tani  është përmbyllur baza legjislative, bashkëpunimi dhe marrëveshjet me ministritë tjera nga të cilat janë bartë njësitë edhe me pjesët buxhetore por edhe me pjesën e stafit që tashmë është miratuar.

Sa i përket legjislacionit, ministri ka njoftuar se Ligji për Efiçiencën e Energjisë është proceduar në Kuvend dhe ka kaluar leximin e parë, ndërsa ka filluar amandamentimi i ligjit për ndërmarrjet publike dhe në draftim e sipër janë Ligji për AKP-në, Ligji për riorganizim dhe likuidim të ndërmarrjeve, Ligji për dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme dhe Ligji për transformimin e pjesshëm të Trepçës dhe një sërë Udhëzime Administrative në funksion të ligjeve.

Duke u ndalë në fushën e monitorimit të ndërmarrjeve publike, Beqaj tha se gjatë këtyre 100 ditëve Departamenti përkatës ka filluar procesi i monitorimit të performancës së ndërmarrjeve publike konform obligimeve që dalin nga udhëheqja korporative e tyre, dhe kjo po bëhet në bashkëpunim me shtetin zviceran, i cili është financues i këtij projekti.

Në fushën e telekomunikacionit, MZHE në këtë periudhë është koncentruar në implementimin e Ligjit për Shërbimet e shoqërisë Informative dhe privatizimi i Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës.

“Javën e kaluar siç e dini ne e kmei bërë parakualifikimin e ndërmarrjeve, ku kanë qenë pesë ndërsa janë parakualifikuar dy, të cilat i kanë plotësuar kushtet. Jemi të kënaqur sepse kemi dy ndërmarrje të cilat kanë me të vërtetë një imazh të mirë dhe janë të shtrira  në tërë botën me mbi 160 milionë parapagues, prandaj besojmë në një konkurrencë jashtëzakonisht të fuqishme”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-se ka thënë se qëllimi i ministrisë është të kemi një proces transparent, të hapur, konkurrues dhe të mbrohen interesat e të gjithë punëtorëve konform ligjeve në fuqi, por gjithmonë duke ruajtur dhe maksimizuar transaksionin dhe ruajtjen nga dëmtimet të cilat mund t’i bëhen nga brenda.

Më tutje Beqaj është ndalë në fushën e energjisë, ku ka potencuar privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji, për të cilin ka 4 ndërmarrje janë parakualifikuaar dhe procesi është në përfundim e sipër.

“Në ndërkohë në projektin TC Kosova e Re, ne kemi bërë ristrukturimin e Komitetit Drejtues, për çka është dashur të shpallim këtë projekt materialisht të avancuar, të marrim konfirmimin nga Banka Botërore dhe që realisht të vazhdojmë me procesin e transformimit”, tha ministri, duke shtuar se ky proces është kryer javë e kaluar në Bashkëpunim me BB, me Qeveria dhe tani do të hyjë në komunikime konkrete.

Beqaj ka thënë se një sektor ku MZHE do të ketë angazhim maksimal është edhe energjia e ripërtrishme si pjesë e obligimeve rajonale e ndërkombëtare, ndërsa ritheksoi se dekomisionimi i TC Kosova A do të shtyhet për vitin 2017 me për këtë ka pajtim edhe nga KE, për të shmangur importin prej 250 -300 milionë euro në vit derisa të funksionalizohet TC Kosova e Re.

Krejt në fund Ministri ka theksuar faktin se MZHE është pjesë e të gjitha bashkëpunimeve ndërkombëtare që mbulon kjo ministri, ndërsa shtoi se Memorandumi i bashkëpunimit me Kroacinë është në këtë kuadër.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)