07 Maj 2024

MPMS ndan 25 mijë euro për shtëpitë në Lagjen e Boshnjakëve

Mitrovicë, 28 tetor - Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës (MPMS), ka ndarë 25 mijë euro për rinovimin e shtëpive në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

Për këtë u nënshkrua edhe një Memorandum Mirëkuptimi në mes të zëvendësministrit të MPMS-së, Fatmir Shurdhajt dhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ku specifikohen obligimet e të dy institucioneve.

Sipas memorandumit të nënshkruar ministria do të mbuloj pjesën e rinovimit të shtëpive, ndërsa komuna do të mbuloj shpenzimet për punëkryesin. Të dyja palët u zotuan se do të vazhdojnë të mbështetin projektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të jetës në veri.

Kryetari Kastrati ka falënderuar zëvendësministrin Shurdhaj për këtë ndihmë në të mirë të banorëve të Lagjes së Boshnjakëve. Tha se ata janë duke jetuar në rrethana specifike dhe përballen me probleme të mëdha sociale.

Ai theksoi se të gjitha institucionet duhet të mbështesin banorët e veriut, meqë prej pasluftës janë duke jetuar në një ambient të tensionuar.

“Rrethanat në të cilat jetojnë banorët në veri ka ndikuar që të thellohet edhe kriza ekonomike e tyre, meqë ka probleme me lëvizje të lirë si dhe probleme të tilla që e kanë vështirësuar tejmase gjendjen e tyre”.

Ndërsa  zëvendësministri Shurdhaj, është shprehur i kënaqur që sado pak kanë mundur të ndihmojnë këta banorë.

Ai tha se në kuadër të mundësive që kanë do të përkrahin edhe projekte të tjera që të lehtësojnë kushtet e tyre të jetesës.

Pohoi se ky nuk do të jetë projekti i vetëm i tyre në veri, meqë nevoja e gjithë qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës është shumë e madhe.

“E dimë që është një fond modest, mirëpo kemi dashur që sado pak t’u ndihmojmë disa rasteve më ekstreme për të rinovuar shtëpitë e tyre para dimrit”.

Ndërsa Kastriot Jashari, drejtor komunal për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, tha se kërkesat e banorëve të Lagjes së Boshnjakëve për rinovim të shtëpive janë të mëdha.

“Ka shumë banorë që kanë nevojë për rinovim të shtëpive dhe kërkesat janë të mëdha dhe të vazhdueshme”.

Ai falënderoi MPMS për aprovimin e kërkesës që ata e kanë bërë për rinovim të shtëpive për banorët e Lagjes së Boshnjakëve.

“Buxheti komunal nuk mjafton për t’u dalur në ndihmë sa duhet banorëve të veriut, andaj na duhet mbështetje më e madhe nga institucionet qendrore”.

Shumë i lumtur me këtë mbështetje për rinovimin e shtëpive është shprehur përfaqësuesi i banorëve të Lagjes së Boshnjakëve, Florent Azemi. Tha se kjo do të ndikoj pozitivisht në aspektin moral dhe material të atyre që kanë probleme me shtëpitë e vjetruara.   

Ndryshe në kuadër të projekteve për qytetarët e veriut, kanë vazhduar të shpërndahen ndihmat ushqimore për ta të siguruara po nga MPMS. Pas shpërndarjes së ndihmave ushqimore për banorët e Kodrës së Minatorëve, të premten ato janë ndarë për banorët  e Kroit të Vitakut.

MPMS ka siguruar ndihma ushqimore për 456 familje të veriut, në mesin e të cilave ka shqiptarë, serbë, turq etj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)