27 Prill 2024

Moody’s: Shqipëria vlerësohet me B1

Tiranë, 13 mars - Agjencia e vlerësimit të kreditit Moody’s publikoi së fundmi opinionin e vet për Shqipërinë ku la të paprekur vlerësimin në B1 për borxhin publik të brendshëm dhe atë të jashtëm me parashikimin “e qëndrueshëm” për të ardhmen e afërt, gjë që nënkupton se borxhi publik shqiptar konsiderohet investim i rrezikshëm dhe se shanset janë të barabarta që situata të shkojë për më mirë ose për më keq.

Në një njoftim për shtyp, Moody’s vëren se Shqipëria ka fuqi të dobëta ekonomike, institucionale dhe të financave të qeverisë dhe se ka rrezik “mesatar” për faliment.

“Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në përmirësimin e kapaciteteve të veta ekonomike dhe institucionale që nga vitet ’90, por është nisur nga një nivel shumë i ulët. Megjithatë, sfida të mëdha mbeten,” – thotë Moody’s, një nga tre agjencitë më të rëndësishme të botës për analizimin e situatave ekonomike dhe politike të vendeve sovrane.

“Ndërsa ekonomia shqiptare mbeti relativisht e qëndrueshme gjatë krizës botërore 2008-2009, rimëkëmbja ekonomike nuk ka nisur ende,” vijon më tej agjencia.

Shqipëria është një vend me të ardhura të mesme aktualisht dhe si e tillë, përballet me vështirësi që krijohen nga konkurrenca e dyfishtë nga vendet e pasura dhe me produktivitet më të lartë si dhe nga vendet e varfra që kanë kosto prodhimi më të ulët.

“Sa i takon ndërtimit e institucioneve, tensioni i vazhdueshëm mes partive kryesore politike ka dëmtuar përpjekjet e Shqipërisë për t’u pranuar si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Borxhi i qeverisë si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto është i lartë për një vend në nivelin e zhvillimit të Shqipërisë. Qeveria po synon të ulë deficitin buxhetor në 3.5 për qind të PBB-së në vitin 2011 dhe në 3 për qind në vitet 2012-2014, gjë që mund të sjellë uljen e borxhit publik në raport me PBB-në”.

Rreziqet për faliment janë të dyfishta, vlerëson agjencia, ato vijnë si nga faktorët ekonomikë ashtu edhe nga ato politikë.

Ndër faktorët ekonomikë vlerësohet se baza ekonomike e Shqipërisë është e vogël ndërsa norma e euroizimit (përdorimit të euros në jetën e përditshme) është shumë e lartë. Rreziqet financiare janë “tyë moderuara” për shkak se sektori bankar është i mirëkapitalizuar ndërsa likuiditeti është forcuar si pasojë e rritjes së depozitave. Megjithatë, cilësia e aseteve mbetet një problem, gjë që duket edhe te rritja e kredive të këqija.

Agjencia vlerëson se për të ardhmen, rreziqet që ekonomia të përkeqësohet janë po aq të mëdha sa janë edhe mundësitë që të përmirësohet.

“Megjithëse Komisioni Evropian dha një opinion negativ në lidhje me aplikimin për statusin kandidat, bojkoti i parlamentit nga opozita, një nga problemet e vërejtura nga Komisioni në raportin e nëntorit [2011], tashmë ka përfunduar. Marrja e statusit kandidat pritet të sjellë ndihmë të madhe nga BE për zhvillimin e institucioneve, gjë mund të ndikojë për mirë vlerësimin e kreditit,” vijon deklarata.

Moody’s sugjeron që megjithëse qeveria po punon për të eliminuar problemet strukturore të ekonomisë, ka nevojë për zhvillime më thelbësore për të rritur vlerësimin e vendit. “Përmirësimi në kapacitetet institucionale, duke përfshirë efiçencën e gjyqësorit dhe suksesin në luftën kundër korrupsionit mund të sjellin përfitime për shkak se këto probleme pengojnë investimet,” thotë agjencia.

Moody’s vëren se në rast se qeveria nuk arrin të respektojë deficitin buxhetor dhe në rast se i krijohen pengesa më të mëdha për anëtarësimin në BE, atëhere edhe vlerësimi aktual mund të përkeqësohet.

Agjencitë e vlerësimit të rrezikut marrin parasysh një numër të gjerë faktorësh ekonomikë, shoqërorë e politikë dhe opinionet e tyre u vlejnë investitorëve të marrin vendim nëse ia vlen të investohet në një vend apo jo. Në këto kushte, opinioni i Moody’s është një panoramë e gjendjes ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit kryer nga një vëzhgues i jashtëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)