23 Prill 2024

Mitrovica ndan 500 trojeve për kategoritë e dalura nga lufta

Mitrovicë, 23 dhjetor - Anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa në Mitrovicë, i kanë proceduar për në Kuvendin e Komunës dy propozim-vendime të kryetarit të komunës, Avni Kastrati, të cilët vlerësohen si shumë të rëndësishme për qytetarët e kësaj komune.

Ata kanë mbështetur propozimin për nisjen e procedurave për ndërrimin e tokës me Agjencionin Pyjor të Kosovës në Shupkovc për ndarjen e 500 trojeve për kategoritë e dalura nga Lufta e UÇK-së, rastet sociale që kanë probleme me strehim etj. Gjithashtu anëtarët e KFP-së kanë mbështetur edhe propozim-vendimin e kryetarit që komuna të merr përsipër shpenzimet për varrimet e qytetarëve në këtë komunë.

Kryetari Kastrati, duke prezantuar këto propozime ka thënë se këto janë shumë të rëndësishme për qytetarët e komunës së Mitrovicës. Ai theksoi se një ndër problemet me të mëdha në këtë komunë është strehimi. Ai numëroi rastet e kategorive të dalura nga Lufta e UÇK-së, mandej rastet e shumta sociale që nuk e kanë të zgjidhur problemin e strehimit etj.

Sqaroi se bashkërisht me përfaqësuesit e këtyre kategorive kanë hulumtuar lokacionet më të përshtatshme për troje dhe janë pajtuar se një hapësirë prej rreth 29 hektarësh në Shupkovc, në drejtim të fshatit Zasellë është vend i mirë për këtë qëllim. “Ne duam që të gjejmë mënyrat më të mira për ndihmuar qytetarët tanë. Në këtë drejtim jemi duke punuar bashkërisht me ta që brenda mundësive të krijojmë kushte  më të mira për jetë”.

Kryetari Kastrati, tha se ky propozim-vendim është sjellur në KPF me qëllim që mandej edhe nëpërmjet anëtarëve të KK-së, që është organi  më i lartë që menaxhon me pronat komunale, të nisin procedurat për ndërrimin e asaj patundëshmerie që është pronë e Agjencionit Pyjore të Kosovës me një pronë komunale. Tha se pasi të kryhen këto procedura do të bëhet plani detal, ku parashihet që komuna të merr përsipër rregullimin e gjithë infrastrukturës së nevojshme.

Lidhur me këtë propozim, drejtori  për Urbanizëm, Mehdi Bala, ka thënë se janë zhvilluar disa kontakte me zyrtarët e APK dhe kanë marrë sinjale se një ndërrim i tillë i pronave mund të bëhet.

Në anën tjetër, anëtarët e KFP-së e kanë përshëndetur këtë propozim, por kanë kërkuar që të specifikohen gjërat deri në detaje.

Ndërsa për propozimin-vendimin që komuna të mbuloj shpenzimet për varrimin e qytetarëve, kryetari Kastrati, tha se edhe kjo bëhet me qëllimin më të mirë për t’i ndihmuar qytetarët. “Për këto dy projekte kemi punuar gjatë. Nuk kemi dashur të dalim me to në kohën e fushatës, por kemi dalur tani në mënyrë që gjërat të jenë të pastra dhe të bëhen krejtësisht për interesa të qytetarëve”.

Ai sqaroi se në bazë të këtij projekti parashihet që komuna të mbuloj shpenzimet e varrimit për të gjithë qytetarët e komunës. Tregoj se është bërë një parallogari sipas të cilës, për këtë projekt do të duhen rreth 50 ose 60 mijë euro në vit. “Sipas të dhënave të Bashkësisë Islame në vit në komunën tonë vdesin 200 deri 300 persona. Për varrimin e një personi, duke përfshirë hapjen e varrit, transportin e kufomës, dërrasat, mandej ritet fetare, konfirmimin e vdekjes nga mjeku etj, arrijnë një vlerë prej rreth 170 eurosh”.        

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Shaqir Demiri, tha se përveç ndihmës për qytetarët mitrovicas, ku ka shumë probleme ekonomike, papunësi etj, ky projekt do sjell edhe një rregull në regjistrat civil. Ai sqaroi se parashihet që të gjitha rastet e vdekjes të konfirmohen nga mjeku, mandej të lëshohen certifikatat e  vdekjes etj, në mënyrë që të tejkalohen problemet ku qytetarët nuk i lajmërojnë të vdekurit për  një kohë të gjatë.

Anëtari i KPF-së, Ali Ahmeti, vlerësoi se këto propozime janë tejet të rëndësishme për qytetarët mitrovicas. Ai tha se kryetari i komunës, me këto projekte ka dalur mbi interesat partiakë dhe ka reflektuar për të gjithë qytetarët. 

Anëtarët e KPF-së kanë miratuar edhe propozimin për Rregulloren për Transparencë, e cila do të shqyrtohet më pas në Kuvendin e Komunës.    
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)