29 Prill 2024

Mitrovica investon në hapësirat e gjelbëruara

Mitrovicë, 6 shtator - Pas investimeve në ngritjen e hapësirave të gjelbëruara, Komuna e Mitrovicës ka angazhuar një kompani të specializuar për mirëmbajtjen e tyre. Kjo është parë si një veprim me rëndësi edhe për shkak të ruajtjes së tyre.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka parë për së afërmi në terren punët që janë duke u bërë në hapësirat e gjelbëruara. Ai tha se mirëmbajtja e hapësirave të gjelbëruara është mënyra e vetme për ruajtjen e këtyre vendeve, për shkak se dëmtimi i tyre nga qytetarët është i madh.

Në këtë kontekst, ai ka apeluar te qytetarët që të kujdesen për këto hapësira. “Këto janë vende për qytetarët tanë, për fëmijët tanë, andaj duhet të jemi më të kujdesshëm për to”.

Gjatë vizitës në parkun “Fehmi e Xhevë Lladrovci e Fatime Hetemi”, ai ka thënë se në këtë vend të mrekullueshëm do të ngritet edhe një kënd për lojëra të fëmijëve. “Qyteti ynë duke qenë se ka trashëguar një gjendje të rëndë në fushën e mjedisit, ka nevojë të madhe për hapësira të gjelbëruara dhe për përkujdesje ndaj tyre prej të gjithë nesh”.

Ai i ka lutur edhe punëtorët e kompanisë “Loti”, që janë angazhuar në këtë projekt, që të vazhdojnë me përkushtim punën e tyre. Kryetari Kastrati, theksoi se asnjë investim në Mitrovicë nuk ka vlerë më të madhe sesa projektet e mjedisit, meqë janë të lidhura me krijimin e një ambienti më të mirë dhe me të shëndoshë për qytetarët tanë.

Në anën tjetër, Mehmet Bajrami, zyrtar në Drejtorinë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, sqaroi se kompania “Loti” është përgjegjëse për mirëmbajtjen e të gjitha hapësirave të gjelbëruara në qytet. Tha se do të përkujdesen për hapësirat e gjelbëruara në të gjitha varrezat që ndodhen në qytet, mandej për parqet, sheshet etj.