01 Maj 2024

Miratohet projektbuxheti prej 1.5 miliardë euro për vitin 2012

Prishtinë, 28 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2012, të cilin kryeministri Hashim Thaçi e ka quajtur buxhet të zhvillimit ekonomik, të ngritjes së mirëqenies sociale dhe buxhet të prioriteteve të Qeverisë së Kosovës.

Buxheti i Kosovës për vitin 2012 parashihet të jetë 1.5 miliardë euro, përderisa deficiti buxhetor i këtij viti është 172 milionë euro.

Ky buxhet sipas kryeministrit është i bzuar në projekte realiste të të hyrave dhe shpenzimeve, të cilat garantojnë jo vetëm plotësimin e nevojave të qytetarëve tanë, por njëkohësisht garanton edhe rritje të zhvillimit ekonomik.

Veçori tjetër e këtij buxheti sipas tij është se reflekton plotësisht politikat prioritare të Qeverisë së Republikën e Kosovës.

"Pra buxheti është ndërtuar duke u bazuar në politikat e analizuara me kujdes, e sidomos në planin për zhvillim ekonomik të vendit, i cili reflekton më së miri angazhimini tonë për të ecur përpara në gjithë sektorët strategjikë, të cilët kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investime të huaja në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi para kabinetit qeveritar ka thënë se buxheti i vitit 2012 është buxhet i sukseseve, i premtimeve të Qeverisë dhe buxhet i dinjitetit të qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, kjo është dëshmia më e mirë që Qeveria e Kosovës është në shërbim të interesave të qytetarëve të Kosovës.

Ministri i Financave Bedri Hamza ka paraqitur projektbuxhetin 2012, duke bërë të ditur se të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2012 janë parashikuar të jenë në vlerë prej 1 miliard e 361 milionë euro, apo 4 për qind më të larta se të hyrat e rregullta të buxhetit të vitit 2011.

Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2012 janë parashikuar të jenë në vlerë prej €1,361 milion, apo rreth 4.0% më të larta sesa të hyrat e rregullta për vitin 2011.

Nga këto të hyrat, sipas ministrit Hamza doganat e Kosovës pritet që të grumbullojnë €860 milionë ndërsa të hyrat nga tatimet vendore pritet të arrinë vlerën prej €285 milionë.

Përpos këtyre të hyrave të rregullta dhe të  burimeve tjera  të të hyrave, pritet që të trashëgojmë edhe një bilanc pozitiv bankar  prej mbi 120 milion euro nga ky vit, çka do të përdoret si burim shtesë i financimit.

Buxheti i  rregullt për vitin 2012 është në vlerë prej 1,520 milion eurove, që paraqet një rritje prej rreth 7.6% krahasuar me buxhetin e projektuar për vitin 2011.

“Ngjashëm me vitet tjera pjesë e shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë janë edhe pagesa e interesit për huamarrje në vlerë prej 13 milion euro si dhe kredia e planifikuar për ndërmarrje publike në vlerë prej 15 milion euro, duke e ngritur vlerën e përgjithshme të shpenzimeve të Qeverisë për vitin 2012 në 1,533 milion euro”, ka thënë Hamza.

Një buxhet i tillë i  sipas tij ofron Kosovës, një stimulim shtesë që do të rezulton me një rritje të parashikuar ekonomike prej rreth 5.0% në vitin 2012.

Ndersa shpenzimet për paga dhe mëditje sipas Hamzes janë në vlerë prej 407 milion euro, shifër kjo që paraqet një ngritje prej 5.4% në krahasim me vitin 2011.

Buxheti i paraparë për subvencione dhe transfere kap vlerën prej 284 milion euro, vlerë e cila nëse krahasohet me vitin paraprak shënon një ngritje prej 4.4%. 

Ndërsa, shpenzimet për mallra dhe shërbime në vitin 2012 janë paraparë të jenë në nivelin prej 198 milion euro, shifër e cila përfaqëson një ngritje prej 5.9% në krahasim me vitin paraprak, me qëllim të sigurimit të shërbimeve kualitative dhe të vazhdueshme publike.

Ngjashëm me vitet e kaluara, edhe draft buxheti për vitin 2011, ruan nivelin e lartë të shpenzimeve kapitale, me pjesëmarrje prej rreth 40.5% në buxhetin e tërësishëm, që mund të themi që kemi nivelin më të lartë të pjesëmarrjes krahasuar me shtetet e regjionit ku kjo pjesëmarrje sillet në rreth 15%. 

Shpenzimet kapitale janë parapare të jenë 616 milion euro, shifër e cila përfaqëson një ngritje prej afro 15% në krahasim me vitin 2011. Kjo ngritje e theksuar në këtë kategori të shpenzimeve reflekton kryesisht vazhdimin e projektit të autostradës e cila përfshinë shumën prej rreth 296 milion euro  apo rreth 50% të kësaj kategorie te buxhetit.

Ndërsa që vlera tjeter prej rreth 320 milion euro, nga kjo kategori e shpenzimeve  që shënon një rritje prej mbi 11% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar që është dedikuar për implementimin e projeketeve tjera kapitale.

Qeveria do të  vazhdojë të investoj në masë të madhe në zhvillimin e sektorit të transportit. Me këtë propozim buxhet janë ndarë rreth 268 milion euro , nga të cilat 240 milion I dedikohen vazhdimit të ndërtimit të autostradës Merdare-Morine, ndërsa që pjesa tjetër prej rreth 28 milion është ndarë për rehabilitim dhe ndërtim të rrugëve të reja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)