14 Maj 2024

Marrëveshja e kreditorëve privatë shmang falimentimin e Greqisë

Athinë, 10 mars - Greqia shmangu sot falimentimin e pakontrolluar duke marrë sot miratimin nga pjesa më e madhe e kreditorëve privatë për ristrukturimin e borxhit të saj të madh, gjë që i hap rrugën aplikimit të planin e dytë të shpëtimit nga kreditorët ndërkombëtarë BE dhe FMN.

Greqia deklaroi se ka marrë mbështetjen e mjaftueshme për të çuar përpara një marrëveshje të faljes së pjesshme të borxhit, një kusht për marrjen e kredisë së radhës, që do të shpëtojë financat e Greqisë nga falimentimi.

”Pas disa muajve negociatash 85,8 për qind e titullarëve të borxhit grek, të cilët i nënshtrohen ligjeve greke dhe 69 për qind e titullarëve ndërkombëtarë të borxhit të deritanishëm, kanë pranuar projektin”, deklaroi Ministria Greke e Financave.

Deri tani, autoritetet greke kanë rinegociuar një borxh me vlerë prej 172 miliardë eurosh, ndërsa kreditorët kanë pranuar humbje deri në 74 për qind të shumës së investuar.

”Në emër të Republikës së Greqisë, dua të shpreh vlerësimin tim për të gjithë ata kreditorë që kanë mbështetur programin tonë ambicioz të reformimit, duke ndarë edhe ata sakrificat e popullit grek në arritjen e këtij objektivi historik”, deklaroi Ministri i Financave, Evangelos Venizelos.

”Greqia do të vazhdojë të zbatojë masat e domosdoshme për një ristrukturim financiar. Jemi të përkushtuar në avancimin e reformave strukturore, të cilat do të rikthejnë Greqinë në rrugën e rritjes financiare”, shtoi Venizelos.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Ndërkombëtar Monetar vendosën një sërë kushtesh për Greqinë, në marrjen e kredisë prej 130 miliardë eurosh, pa të cilën vendi do të ishte i detyruar të deklaronte falimentimin. Rinegocimi i borxhit me kreditorët privatë ishte pjesë e këtyre kushteve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)