08 Maj 2024

Maqedoni, Të varfrit edhe më të varfër

Shkup, 14 korrik - Gjatë dy muajve të fundit, megjithëse është shënuar një rënie e lehtë e disa lloje të prodhimeve bujqësore, çmimet e një pjese të madhe të produkteve që harxhohen për çdo ditë nuk lëvizin fare më poshtë.

Madje, është shumë e sigurt se ulje të çmimeve nuk do të ketë as muajin e ardhshëm, kur edhe fillon muaji i shenjtë për myslimanët - Ramazani. Përkundrazi, tregtarët mund të shfrytëzojnë edhe pushimet e mërgimtarëve në vendlindje dhe muajin e agjërimit për të rritur akoma çmimet e produkteve.

Kështu paralajmërojnë ekspertët ekonomik, të cilët theksojnë se muaji i ramazanit, njëjtë sikur vitin e kaluar, ku erdhën edhe mërgimtarët, do të shënojë një muaj me harxhime të mëdha që vështirëson buxhetin e çdo familje.

Gjendja ekonomike e qytetarëve do të bëhet edhe më e rëndë, ndërsa grupet më të prekura nga varfëria do të jenë të papunët dhe të varfëritë, të cilët do të vazhdojnë të fundosen edhe më shumë në humnerën sociale.

Ndonëse të dhënat statistikore tregojnë një pasqyrë me tendencë kinse të ndryshimit pozitiv, përkatësisht të uljes së shkallës së varfërisë, faktet dhe përditshmëria tregojnë se qytetarët e Maqedonisë, prej viti në vit janë edhe më të varfër, ndërsa qeveritë nuk marrin masa për parandalimin e varfërisë.

Rroga nuk u del as për sigurimin e bukës

Në ketë drejtim nuk janë bërë hapa konkret për aplikimin e ndonjë strategjie për të luftuar këtë më problem që është evidente me dekada. Edhe më tej, Maqedoni ka numër më të madh të papunëve nga vendet e rajonit, me rreth 350 mijë, ndërsa numri i bartësve të ndihmave sociale është mbi 50 mijë familje.

Statistikat thonë si më të prekura janë familjet që kanë më shumë anëtarë. Mbi 50 për qind e të varfërve jetojnë në familje me pesë apo gjashtë anëtarë, kurse 40 për qind nga këta janë të papunë.

Sipas statistikave të vitit të kaluar, të ardhurat mujore të një familje nuk kanë qenë të mjaftueshme për të siguruar gjërat elementare. Mbi 40 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se rrogën që e marrin nuk u del as për bukën e gojës, 5 për qind të anketuarit janë shprehur se të ardhurat mujore mjaftojnë që të mbulojnë shpenzimet e shportës së konsumit, më shumë se gjysma e të anketuarve kanë deklaruar se gjatë viti 2010 kanë jetuar shumë me keq se në vitin 2009.

Në pyetjen se sa para u nevojiten për të pasur një jetë standard, pothuajse të gjitha kanë deklaruar se 500 euro në muaj do të ishin të mjaftueshme për një jetë normale. Sipas standardeve botërore, nën pragun e varfërisë llogariten ato familje që në muaj shpenzojnë vetëm 2 dollarë. Por Enti i Statistikave nuk jep shifër të saktë për atë se sa para shpenzojnë qytetarët e Maqedonisë, të cilët janë kualifikuar si të varfër.

Sipas Entit, për të varfër llogariten ata persona, familje apo grupe që kanë të ardhura mujore që nuk mjaftojnë për t\'u lidhur fillimi me mbarimin e muajit. Linja e varfërisë, sipas Entit, është e definuar si nivel i standardit jetësor që duhet të arrihet për një person që të mos klasifikohet si i varfër. Përveç se në Maqedoni mbi gjysma e popullatës jetojnë në varfëri të skajshme, jeta e qytetarëve bëhet edhe më e rëndë në tremujorin e dytë të këtij viti.

Shporta e konsumatorit për 4 vitet e fundit, sipas të dhënave të Entit të Statistikë ka shënuar rritje deri më 35 për qind, ndërsa rrogat e punëtorëve kanë mbetur në të njëjtin nivel si para katër viteve. Faturat e larta të energjisë elektrike, nxehjes, lëvizja permanente e çmimit të benzinës, harxhimet e reja për parkingje, çmimi i trefishuar për marrjen e dokumenteve personale me procedurë të shpejtë, janë disa nga ankesat e shumta të qytetarëve të Maqedonisë.

Lëvizjet e reja të çmimeve kanë rritur shpenzimet e jetës për mbi 30 për qind. Numri më i madh i qytetarëve të Maqedonisë, edhe pse tanimë e kanë të qartë se katër vitet e fundit standardi jetësor i tyre është varfëruar krahasuar me katër vitet e mëparshme, ata ende vazhdojnë të heshtin dhe nuk tregojnë revolt ndaj politikës dështuese ekonomike që udhëhiqet nga kjo qeveri.

Të dhënat statistikore tregojnë se nga viti 2007 e deri më sot, harxhimet elementare të qytetarëve janë rritur për 50 për qind, siç janë rryma, uji dokumente personale e kështu me radhë. Sa për ilustrim, në fillim të vitit 2007, për pasaportë të re biometrik pagesa ishte 1500 denarë dhe qytetarët mund të pajiseshin në afat kohor prej 7 deri në 14 ditë.

Kurse nga viti 2009 çmimi pasaportës rritet, ndërsa procedura e nxjerrjes u komplikua menjëherë pasi qytetarët e Maqedonisë fituan të drejtën të udhëtojë pa viza në vendet e BEsë. Tani, çmimi i një pasaporte më procedurë të shpejtë ka koston prej 4000 denarë, kërkesa për pasaportë 1500 denarë dhe taksa prej 250 denarë, që do të thotë se shuma totale rritet për 4 herë, gjegjësisht rreth 6000 denarë.

Të dhënat konfuze të Statistikës
Sipas Entit të Statistikës, rroga mesatare për muajin qershor është mbi 20 mijë denarë, ndërsa për katër anëtarë të familjes, kryefamiljari brenda një muaji që të ketë sofrën të plotë për 30 ditë duhet të shpenzojë 11.892 denarë, gjegjësisht 396 denarë në ditë për katër anëtarë të familjes ose 99 denarë në ditë për një anëtar familje.

Statistika ka llogaritur se një familje katër anëtarëshe, për të mbushur plotë shportën e konsumatorit i nevojiten 100 kg miell, 6 kg vaj, 6 kg sheqer, 2 kg kripë, 3 kg djathë, 13 litra qumësht, 2kg peshk, 2 kg mish, 3 kg mish pule, 2 kg makarona, 3 kg pasul, 9 kg patate, 3 kg oriz, 4 litra jogurt, 3 kg kos, 10 kg domate, 4 kg speca, 3 kg krastaveca, 66 vezë, 4 litra lëngje të dendura dhe 7 litra lëngje të gazuara.

Për t\'i blerë të gjitha këto produkte ushqimore, statistika ka llogaritur se nevojiten rreth 12 mijë denarë. E gjithë kjo është e barabartë me 12 mijë denarë pa përfshirë këtu edhe prodhimet higjienike që janë më se të domosdoshme për një familje katër anëtarësh.

Mjetet higjienike, fatura e rrymës, ujit, bërllokut, shpenzimet e rrugës apo shpenzimet e edukimit të fëmijës sipas statistikë është për 40 për qind më e lartë ose e përafërt me 9000 denarë. Mirëpo, këto të dhëna statistikore për ekspertët ekonomik nuk e pasqyrojnë realitetin e shpenzimeve të shportës së konsumit për një familje katër anëtarësh. Metodologjia e llogaritjes së rrogës mesatare nga ana e Entit Statistikor, për ekspertët ekonomik lë shumë hapësirë për të dyshuar kur kemi parasysh të dhënat e tjera ku thuhet se në Maqedoni, rroga më e ulët është 5000 denarë e më e larta 18 mijë denarë, aq sa marrin, për shembull, administratorët.

Edhe sikur të jetë reale vlera e shportë së konsumit, ekspertët vlerësojnë se kjo nuk i përmbush nevojat e një familje katër anëtarësh dhe se vlera reale e rrogës për një punëtor krahasuar me vlerën e shportës së konsumit do të duhej të ishte 500 euro.

Ndërkaq këtë rrogë, prej 500 euro, pjesa dërmuese e qytetarëve në Maqedoni mund vetëm ta ëndërrojnë. Janë shumë tregues që bëjnë të qartë se varfëria shpejton të trokasë në dyert tona dhe se më nuk ekziston shtresa e mesme, por shtresa e pasur (një numër i vogël) dhe shtresa e varfër. E para vazhdon të pasurohet, kurse e dytë të varfërohet... Në sfond duket humnera sociale. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)