05 Maj 2024

Luksemburgu mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës

Luksemburg, 21 qershor – Gjatë qëndrimit në Luksemburg, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, të martën është takuar me Marie-Josée Jacobs, Ministre e Familjes, Integrimeve, Bashkëpunimit dhe Veprimtarive Humanitare e Luksemburgut.

Ministri Hoxhaj dhe Ministrja Jacobs kanë nënshkruar një Marrëveshje përmes të cilës Luksemburgu do të mbështesë aktivitete të ndryshme arsimore, shëndetësore dhe sociale në Kosovë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka vlerësuar lart mbështetjen e ofruar për Kosovën nga Ministrja Jacobs. Ai ka bërë të ditur se Marrëveshja e nënshkruar kap një vlerë prej 3.5 milionë euro.

“Kjo marrëveshje, është përkrahur edhe nga “Caritas”-i i Luksemburgut në Kosovë, i cili do të mbështesë aktivitete të ndryshme arsimore, shëndetësore dhe sociale në Komunën e Ferizajt dhe komuna të tjera”, tha Hoxhaj.

Ministri, po ashtu, ka bërë të ditur se gjatë takimit ka marrë mbështetjen e Ministres Jacobs për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, me theks të veçantë në aspektin ekonomik.

Hoxhaj ka falënderuar Luksemburgun për mbështetjen e madhe të ofruar edhe më herët për Kosovën përmes projekteve të tjera, duke shprehur angazhimin e fuqishëm të institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet dy shteteve dhe popujve të të dyja vendeve.

Në anën tjetër, Ministrja e Familjes, Integrimeve, Bashkëpunimit dhe Veprimtarive Humanitare e Luksemburgut, Marie-Josée Jacobs, ka shprehur bindjen se Marrëveshja e nënshkruar do t’i ndihmojë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ajo ka shprehur përkushtimin e Luksemburgut që të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Nëpër disa komuna kemi projekte shumë të rëndësishme në sferën e Arsimit dhe Shëndetësisë. Dhe ne do të vazhdojmë këtë mbështetje”, tha Jacobs.

Ajo ka sqaruar se Marrëveshja parashikon investime në ato sfera që do të zhvillojnë ekonominë dhe kapacitetet njerëzore të Republikës së Kosovës.

“Me Ministrin kemi diskutuar edhe për çështje të tjera me rëndësi për thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona”, tha Ministrja Marie-Josée Jacobs.

Ministri Hoxhaj do të takohet edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jean Asselborn, dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të këtij shteti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)