11 Maj 2024

Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, i nevojshëm

Prishtinë, 16 mars - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), ka organizuar të premten një takim publik me përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarë, ku është diskutuar për bazën ligjore dhe nivelin e luftimit të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme.

Pjesëmarrësit në takim kanë potencuar nevojën e nxjerrjes sa më parë të Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Sa i përket këtij ligji, është theksuar se duhet pasur për bazë elementin e fushëveprimit të ligjit e që nënkupton se ligji në fokus do të duhej të ketë konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Elemente tjera me rëndësi që sipas pjesëmarrësve do të duhej t’i përmbante ligji, janë efekti i retroaktivitetit të ligjit dhe barra e provës që rekomandohet t’i kalohet të dyshuarit.

Fillimisht, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka folur për rëndësinë që ka nxjerrja e këtij ligji.

“Kosovës sot i duhet një ligj që fuqizon interesat e shtetit, duke i dhënë përgjegjësi institucioneve, të cilat duhet të demonstrojnë përkushtimin e tyre për garantimin e sundimit të ligjit”, ka thënë ai.

Sipas Kryeziut, shoqëria civile i ka dhënë disa qëndrime në lidhje me përmbajtjen e një drafti që tashmë Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë dhe sipas tij, shoqëria civile do të jetë aty për të ndihmuar institucionet për të nxjerrë një ligj të mirë, por jo vetëm sa për të qenë fizikisht në grup punues.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka vlerësuar si të rëndësishme vullnetin për zbatimin e ligjeve. Ai ka folur edhe për përmbajtjen që do të duhej të kishte ligji. “Pa efektin e retroaktivitetit, ligji nuk do të ketë efekt”.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, njëkohësisht zëvendëskryeministër ka thënë se ligji do të nxirret brenda këtij gjashtëmujori dhe sipas tij, ky ligj do të vlejë për të gjithë. “Nën ”llupën” e ligjit do të jenë të gjithë, përfshirë qeveritarët, shoqërinë civile dhe gjithë qytetarët”, ka thënë ai. Kuçi ka thënë se është i hapur për bashkëpunim edhe me shoqërinë civile në hartimin e këtij ligji.

Zëvendësambasadori i Britanisë së Madhe, Joe Preston ka vlerësuar se raportet flasin për ngecje në luftimin e krimit të organizuar.

Ai ka përmendur Raportin e Progresit për Kosovën ku luftimi i krimit të organizuar kërkohet vazhdimisht nga institucionet e Kosovës. Diplomati Preston ka inkurajuar bashkëpunimin e institucioneve me shoqërinë civile.

“Sa i përket konfiskimit të pasurisë së paligjshme, bashkëpunimi me shoqërinë civile është një shembull i mirë”, ka thënë ai.

Ndërkaq anëtarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Valdete Daka ka thënë se rastet e rënda janë nën kompetencë të EULEX-it dhe për këtë sipas saj, gjykatat vendore nuk mund të jenë fajtore për nivelin e krimit të organizuar.

Sevdije Morina, zëvendëskryeprokurore ka potencuar nevojën e kompletimit të pakos së ligjeve antikorrupsion, me theks të veçantë, ajo ka theksuar nevojën e nxjerrjes së ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

E ndërkohë, në emër të Policisë, Agron Nezaj ka folur për zbatueshmërinë e ligjeve. Ai ka folur për statistikat e luftimit të kësaj dukurie. Sipas tij, Policia edhe më tutje është e vullnetshme dhe e gatshme për të luftuar krimin e organizuar.

Kjo tryezë është zhvilluar në kuadër të projektit “Avokimi për kompletimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.


 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)