13 Maj 2024

Ligji për financimin e partive politike, pengesë në zbatim

Prishtinë, 20 mars - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) ka organizuar të martën një tryezë me temë: “Ligji për Financimin e Partive Politike dhe zbatimi i tij në praktikë”, ku pjesëmarrësit kanë diskutuar për traditën e vazhdueshme abuzive nga subjektet politike duke shkelur e neglizhuar zbatimin e ligjit në praktike.

Kujtim Bytyqi, kryesues i hulumtimit në Programin “Transparenca dhe Antikorrupsioni” ka thënë se në Kosovë, që nga paslufta e deri më tani, subjektet politike asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për të bërë publike raportet e tyre financiare, përfshire të ardhurat, kontributet, burimet e financimit, pasuritë, detyrimet, kapitalin dhe shpenzimet në mënyrë të drejte.

Ai ka potencuar se as me hyrjen në fuqi të Ligjit për Financimin e Partive Politike në vitin 2010, nuk ka ndonjë lëvizje përpara, as ndryshime pozitive në këtë drejtim.

Kjo sipas tij qartë shihet në raportin e auditimit të deklaratave financiare të subjekteve politike për zgjedhjet nacionale të vitit 2010, ku shumica e subjekteve politike shkelin pothuajse çdo nen të ligjit aktual për financimin e partive politike.

“Pra, të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike nuk raportohen saktë”, ka thënë Bytyqi. Ai ka përmendur edhe mos prezantimin e të hyrave dhe shpenzimeve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike që ndahet nga Buxheti i Republikës së Kosovës e që aktualisht është 0.34%.

Safete Hadergjonaj, deputete nga PDK ka thekuar nevojën e zbatimit të rekomandimeve të auditorit, ndërkohë ajo ka shprehur pakënaqësi sa i përket zbatimit të ligjit.

“Edhe zbatimi i këtij ligji sikurse shume ligje të tjera në Kosovë, len shumë për t’u dëshiruar. Unë jam për atë që të ekzistoj një kod etik dhe vetë partitë të jenë të përgjegjshme për veprimet e tyre”, ka thënë Hadërgjonaj.

Nga ana tjetër, Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se raporti auditimit për LDK-në ishte shumë i mirë, me përjashtim siç ka thënë të dy lëshimeve siç është mospërfshirja e mjeteve të grupit parlamentar dhe regjistrimi i mjeteve themelore, fenomen që sipas tij, prek të gjitha institucionet e Kosovës.

“Ndërsa, sa i përket publikimit të financave të partive , unë mendoj që nuk duhet të ketë asnjë pretekst për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Burim Ramadani, deputet dhe sekretar i përgjithshëm i AAK-së ka deklaruar se temat që duhet shtruar dhe që janë më problematike në financimin e subjekteve politike janë: donacionet nga kompanitë private si dhe fushata e cila është edhe periudha më e ndjeshme dhe që nuk ka kontroll.

“Pra, mungon një monitorim dhe kontroll i rreptë gjatë fushatës. Ndërsa, blerja e votës është fenomeni më i shëmtuar dhe kjo është situata më e rend”, ka deklaruar ai.
 
Ndërkaq, Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje ka potencuar fenomenin e mos marrjes parasysh të rekomandimeve dhe vërejtjeve rreth ligjit nga ana e shoqërisë civile, si dhe mos marrjen parasysh të vërejtjeve nga KZQ për të përmirësuar ligjin.

“Ligji është proceduar shumë shpejt dhe pa asnjë analizë nëse mund të jetë i zbatueshëm edhe për vetë KQZ-në, e cila për shkak të resurseve të limituara ka problem që ta zbatoj këtë ligj. Kjo mendoj se është bërë me qëllim, sepse një KQZ e dobët i konvenon partisë në pushtet. Ndërsa, edhe mos prania e  KQZ-së sot në këtë debat, vjen si rezultat i presionit politik”, ka thënë ai. 

Suzana Novoberadaliu, deputete nga KKR ka thënë se auditori ka gjetur shkelje që janë bërë edhe nga ana e KQZ-së, të cilat kanë ndodhur kryesisht për shkak të mungesës së resurseve njerëzore. “Ndërsa, për mos zbatimin e këtij ligji duhet të shohim se sa po sanksionohen  partitë për mos zbatimin e tij”, ka deklaruar ajo.

Në debat është vlerësuar se mungesa e transparencës brenda partive politike sot, do të reflektojë në qeverisje nesër, sepse me ardhjen e partive politike në pushtet, vështirë se do të mund t’i ndryshojnë sjelljet e tyre abuzive ndaj parasë publike.

Pjesëmarrësit po ashtu kanë theksuar se ekziston nevoja për ndryshimin e ligjit dhe përforcimin e masave për parandalimin e keqpërdorimit të fondeve private e shtetërore që iu jepen subjekteve politike.

Gjithashtu është thënë se institucionet mbikëqyrëse duhet të ndërmarrin masat e nevojshme për të vendosur sanksione për shkelje të atyre rregullave në lidhje me raportimin dhe publikimin e financave të partive politike. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)