Lëvizja e të Papunëve bën përpjekje për të zbutur papunësinë

Prishtinë, 1 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot  përfaqësues të Lëvizjes së të Papunëve: Qamil Zekolli, Ekrem Krasniqi dhe Reshat Sahitaj. 
Përfaqësuesit e kësaj Lëvizjeje e informuan kryetarin Krasniqi lidhur me formimin e kësaj organizate, synimet dhe veprimtarinë e saj. 
Ata theksuan se kjo organizatë është jopolitike, ndërsa bën përpjekje për të zbutur papunësinë në Kosovë, duke hulumtuar edhe mënyrat e krijimit të kushteve për hapje të sa më shumë vendeve të reja të punës. 
U tha se papunësia nxit rininë për të braktisur vendin, në kërkim të vendeve të punës.
Kryekuvendari Krasniqi theksoi se vlen të mbështetet çdo organizim që kontribuon  në zbutjen e papunësisë.
Institucionet e Kosovës, theksoi ai, janë të angazhuara për ngritjen e gjithmbarshme ekonomike të Kosovës, e në këtë frymë edhe për krijimin e kushteve për punësim më të madh të atyre që kërkojnë punë.
 














