14 Maj 2024

LDK shpreh shqetësimin për ndryshimet e Ligjit të Buxhetit

Prishtinë, 15 shkurt - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj për ndryshimet e bëra ditë më parë në Tabelën 3.2 të Ligjit të Buxhetit për vitin 2012.

Kjo çështje sipas LDK-së meriton vëmendjen e të të gjitha institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, sepse tregon qartë se deri ku mund të shkojë kjo Qeveri duke abuzuar ligjin.

Nuk kanë kaluar as dy muaj kur ky Kuvend, pa votat e LDK-së dhe opozitës, kaloi ligjin e buxhetit për vitin 2012, në të cilin janë të përcaktuara projektet, ku do të shpenzohen paratë e tatimpaguesve brenda këtij viti.

Të premtën e kaluar në Kuvend sipas LDK-së erdhi një dokument nga Qeveria, dhe atë vetëm për informim të Kuvendit. Në këtë dokument, me fjalë të tjera, Qeveria tregon se në cilat projekte po e shkel ligjin e buxhetit të aprovuar nga Kuvendi.

Vetëm një muaj pas aprovimit të këtij ligji dhe buxhetit, dhe ende pa filluar të shpenzohet buxheti i këtij viti, Qeveria sipas LDK-së ka vendosur të ndërrojë 58 projekte me vlerë prej 8,327,433 eurosh.

Vetëm në infrastrukturën rrugore nëpër komuna ndryshimet janë me vlerë prej 4,218,932 eurosh.

·        Brenda programit të infrastrukturës, vetëm Podujevës i merren 600,000 euro, dhe gjysma e tyre i barten Skenderajt.

·        Po ashtu, Prishtinës i merren 1,350,000 euro në dy projekte dhe disa shuma të tjera në projekte të tjera.

·        Nga këto ndryshime, komunat e PDK-se janë përfitueset, kurse ato të LDK-se të diskriminuarat. Komuna e Skenderajt përfiton afër 1 milion euro vetëm në projekte të infrastrukturës (saktësisht 950,575 euro), apo rreth 25% të buxhetit të ndryshuar për fushën e infrastrukturës.

Problemi qëndron në atë se projektet, të cilave u janë bartur mjetet e shkurtuara nga 58 projekte, në fakt nuk janë të reja, por janë projekte dhe obligime që kanë mbetur të papaguara nga Qeveria, por që nuk i janë prezantuar Kuvendit si të tilla.

Nuk ka fije dyshimi se me ndryshimet e bëra është shkelur ligji i buxhetit 04/L-079.

Shkurtimet që janë bërë në 58 projektet nuk përkojnë me nenin 7 të ligjit të buxhetit, sepse kjo shkurtime nuk na vijnë nga bilancet e pashpenzuara. Këto janë mjete të marra nga projekte të ndryshme dhe barten për t’i kryer obligimet e papaguara. Për ilustrim po përmendim:

·        Shkurtimi i buxhetit për rrugën Pejë – Prishtinë,

·        Shkurtimi i buxhetit për unazën e jashtme të Prishtinës, si dhe shumë rrugë të tjera.

\"Këto veprime të Qeverisë në largim paraqesin shkelje ligji dhe mosrespektim të votës së Kuvendit, sepse dikush i ka dhënë vetes të drejtën të investojë, të ndërtojë rrugë dhe shkolla, pa mjete të zotuara, kurse Qeveria tani po tenton të paguajë për abuzimet e ligjit. Në këtë formë Qeveria po zhytet dyfish në shkelje të ligjit\", thuhet ne reagimin e LDK-së.

Këto ndryshime i thellojnë pabarazitë në mes të komunave dhe qytetarëve të vendit. Me këto ndryshime edhe ky kuvend po i legalizon veprimet diskriminuese dhe antiligjore të kësaj qeverie. 

LDK-ja pyet Qeverinë:  Përse duhet të shkurtohet buxheti i rrugës Pejë – Prishtinë në shumën prej 997,480 eurosh?

Përse duhet të shkurtohet buxheti i ndarë edhe ashtu i mangët për unazën e jashtme të Prishtinës për 1,250,000 mijë euro? Apo vetëm se Prishtina nga Qeveria shihet si komunë e LDK-së, nuk shihet si kryeqytet, ku ¼ e popullsisë se Kosovës qarkullon çdo ditë.

Përse duhet të mbulohen keqpërdorimet e ministrive? Ku është ligji? Ku është shteti ligjor? A vlen ligji edhe për pozitën apo ligji vlen vetëm për ta burgosë opozitën?

LDK-ja është e shqetësuar se si po menaxhohet buxheti i këtij shteti. Kjo shkelje e ligjit dhe manovrim me shifra po ndodh ngase Ministria e Infrastrukturës dhe disa ministri të tjera kanë hyrë në obligime prej dhjetëra miliona eurosh për punët që i kanë kryer vitin e kaluar pa as një bazë ligjore.

Si kanë pasur mundësi dhe të drejtë ministrat të bëjnë investime dhe të krijojnë obligime pa mjete të zotuara? Për shkelje të tilla, dikush duhet të shkojë në burg, e jo t’i mbulohen veprimet. Duhet të përgjigjet edhe Ministria e Financave.

Edhe me këto sjellje, kjo qeveri po dëshmon se është vënë mbi Kuvendin, ajo po  i dërgon investimet atje ku dëshiron, e jo atje ku i ka përcaktuar ky kuvend.

Ne ftojmë që ky kuvend të refuzojë çfarëdo ndryshimi në buxhet. Do ta ftojmë edhe FMN-në të konsiderojë këtë situatë, do t’i ftojmë edhe organet e ligjit. Çfarëdo ndryshimi duhet të jetë i bazuar në ligj dhe i arsyetuar plotësisht në aspektin ekonomik dhe social.

Ne e ftojmë edhe një herë këtë qeveri të pakicës që t’i trajtojë të gjithë qytetarët e Kosovës njësoj. Ajo nuk ka të drejtë t’i diskriminojë qytetarët mbi baza politike dhe ta shkelë ligjin.

Ky vend nuk meriton të qeveriset nga shkelësit e ligjit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)