29 Prill 2024

LDK: Qeveria Thaçi e pasionuar në përgatitjen e strategjive

Prishtinë, 18 prill - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se Qeveria Thaçi 2 filloi mandatin pa plan qeverisës pasi qe premtimet e dhëna gjatë zgjedhjeve asnjëherë nuk u kthyen në plan pune të qeverisë.

Plani i vetëm që  sipas LDK ka kjo qeveri është Plani i Bullgarisë, i përgatitur gjatë një fundjave nga disa anëtarë të kabinetit qeveritar.

\"Mungesa e strategjisë zhvillimore gjithëpërfshirëse për vendin ka bërë që qeveria të bazoi zhvillimin në strategji sektoriale, që në masë të madhe janë dokumente ad-hoc të përgatitur nga persona të caktuar dhe që shpesh bien në konflikt me objektivat zhvillimore.\"

LDK vlereson se në të shumtën e rasteve këto strategji sektoriale nuk janë të harmonizuara me njëra tjetrën, duke shkaktuar kështu konflikte në implementimin e projekteve të ndryshme.

Përgatitja e strategjive është bërë mani për Qeverinë e Kosovës. Gjatë vitit 2012 planifikohet të përgatiten 41 strategji të ndryshme (bazuar në Planin Vjetor të Dokumenteve Strategjike për vitin 2012 të Qeverisë së Kosovës).

Prodhuesit e patateve po i hedhin si mbeturina mijëra tonelata patate, pasi mbetën të pa shitura ngase ishin vendosur çmime referente në pjesën më të madhe të dimrit që shkoi. Si për ironi të tyre, Ministria e Bujqësisë është e angazhuar në përgatitjen e strategjisë për menaxhimin e kafshëve të egra dhe për zhvillimin e ekoturizmit.

Bujqit në përgjithësi, prodhuesit e patates, të qumështit, të verës, të perimeve, nuk duhet të presin vëmendje dhe mbështetje nga Ministria e Bujqësisë.

Kjo ministri po i injoron totalisht kërkesat legjitime të tyre, siç ishte rasti me prodhuesit e patates, duke shprehur mirëseardhje përmes zëdhënësit të saj që u gris marrëveshja e nënshkruar me bujqit.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të angazhohet në përgatitjen e 5 strategjive. Ajo që është paradoksale në këtë resor qeveritar është se strategjia për energji e Republikës së Kosovës 2012-2021 po përgatitet pasi ka filluar privatizimi i distribucionit dhe furnizimit dhe tenderi për ndërtimin e Kosovës C.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të përgatisë 3 strategji, njëra prej të cilave ka të bëjë me promovimin e eksportit. Prodhuesit e patateve, të miellit dhe prodhues të tjerë duhet të presin edhe një kohë derisa të përgatiten këto dokumente strategjike.

Vetëm Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë përgatitjen e 10 strategjive të ndryshme, si: strategjia kundër krimit të organizuar, strategjia kundër terrorizmit, strategjia për migracion, strategjia për parandalim të krimit etj. Duket sikur MPB kujton se rendi dhe ligji vendoset përmes përgatitjes dhe aprovimit të strategjive.

LDK-ja kërkon që të ndërpritet kjo praktikë e përgatitjes së strategjive. Vendit i duhet një qeveri e përgjegjshme, që ka vizion, që integron objektivat zhvillimore në një plan të përgjithshëm dhe që i orienton resurset e vendit drejt atyre objektivave.

Qytetarët në veri kanë nevojë për siguri për jetë normale, e jo përgatitje të strategjive kundër krimit. Bujqit në Kosovë duhet të sigurohen se produktet e tyre do të gjejnë tregun e duhur dhe nuk do kenë pengesa për eksport të produkteve.

Të papunët kanë nevojë për masa konkrete që të rrisin shpresat se një ditë do të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Studentët duhet të kenë shpresa se do gjejnë punë pas diplomimit, e jo t’ju drejtohen zyrave të punësimit për tu regjistruar si të papunë. Këtij vendi i duhet kthyer shpresat e humbura nga Qeveria Thaçi.