06 Maj 2024

Kryetari Krasniqi u takua me përfaqësues të FMN-së

Prishtinë, 27  maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim Kryesuesin e Delegacionit të FMN-së, Johannes Wiegand, përfaqësuesin e FMN-së për Kosovën, Jose Sulemane, si dhe Ministrin e Financave Bedri Hamza.

Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me çështjen e Veteranëve të Luftës dhe Ish- të burgosurve politik, me theks të veçantë për përfitimet që kjo kategori do t’i këtë ne të ardhmen.

Johannes Wiegand duke falënderuar fillimisht kryekuvendarin Krasniqi për mikpritjen, sqaroi qëllimin e vizitës së tij në Kosovë, si dhe diskutimet që ka pasur me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, diskutime të cilat ai i quan të suksesshme.

Më tej ai sqaroi edhe angazhimet e tyre lidhur me përgatitjen e programit të monitorimit të stafit të FMN-së, duke treguar se kanë hasur në pajtueshmëri të plotë me Qeverinë e Kosovës dhe përgjatë gjashtë muajve të ardhshme do të monitorohet edhe ekzekutimi i programit”, tha Wiegand.

Më tej ai sqaroi se programi në fjalë prek disa nisma, ndër to nismat për  mirëqenie sociale, sidomos për Veteranët e Luftës dhe Ish të Burgosurit Politik.
Duke sqaruar historikun e kësaj çështje ai tha se FMN-ja nuk është kundër përfitimeve të Veteranëve të Luftës dhe të ish-burgosurve politik, por e rëndësishme për të është që vendi të ketë një kornizë fiskale afatmesme dhe të qëndrueshme, për arsye që të hyrat dhe shpenzimet të jenë të balancuara.

“Sa i përket pensioneve të Veteranëve të Luftës dhe përfitimeve të ish-burgosurve politik, gjatë takimit me Qeverinë kemi arritur një marrëveshje, që të themelohen grupet e punës të cilët do ta vlerësojnë numrin e personave që kualifikohen t’i marrin këto të hyra dhe pastaj të formohen përfitimet. Më pas të shkohet më tutje, me vlerësimin e kostos së tyre. Pasi të sqarohen këto, do të shohim se si do të mund të koordinohen këto shpenzime afatmesme fiskale”, theksoi kryesuesi i Delegacionit të FMN-së, Johannes Wiegand.

Ai po ashtu kërkoi mbështetjen e kryekuvendarit Krasniqi  për qasjen e tyre, duke përsëritur se çështja nuk është që të ndalen këto iniciativa, por para këtyre iniciativave të bëhet një hulumtim me i thellë i kostos.

“Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron që t’i qojë përpara këto përfitime, për këto dy kategori, ne duam të sigurohemi që këto nisma janë në përputhje me kornizën për financat publike” , theksoi ai.

Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi duke i uruar mirëseardhje delegacionit të FMN-së tha se lidhur me këtë çështje, ai ka qenë në bisedime të vazhdueshme me Ministrinë e Financave për t’u informuar lidhur me gjendjen në të cilën ekziston Qeveria e Kosovës.

Krasniqi shtoi se është mbështetës i asaj që të shpenzohet aq sa ka buxhet vendi, megjithatë ai tha se duhet të gjendet një zgjidhje për dy kategoritë në fjalë.

“Vërtetë kemi dy kategori që mund t’i quajmë kategori të dhimbshme, për shkak të kaluarës së tyre dhe shpresojmë të gjejmë një zgjidhje me Qeverinë. Pajtohem që duhet specifikuar saktë se cili është numri i personave që do të përfitojnë, gjë të cilën aktualisht nuk e dimë. Prandaj, për këtë arsye nuk mund të përcaktojmë kosto buxhetore”, tha Krasniqi, duke shtuar se Qeveria dhe Parlamenti do të bashkëpunojnë që ta mbyllin këtë çështje, porse nevojitet kohë për t’i shpërblyer këtë kategori, të cilët kanë dhënë kontribut të madh për vendin.

“Duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët për t’i shpërblyer këto dy kategori, por gjithnjë mbi bazën e fuqisë buxhetore që parashihet. Shpresojmë se kjo do të përmbyllet gjatë këtij viti, ashtu siç është marrëveshja”, tha kryekuvendari Krasniqi. 

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)