19 Prill 2024

Kriza greke, do të tkurren kreditë, dhe investimet

Athinë, 22 mars - Rriten shqetësimet për efektet negative që kriza greke mund të reflektojë në Ballkan sidomos në Shqipëri dhe Bullgari për arsye të marrëdhënieve më të zgjeruara ekonomike. Lëkundja do të jetë më e madhe në aspektin ekonomik ku efektet pritet të shfaqen në formën e uljes së kreditimit nga sistemi bankar, rënie të nivelit të investimeve dhe remitancave. Ndërkohë që edhe aspekti politik nuk do të jetë në formën më të mirë pa mbështetjen e një fqinji.

Në kohën kur në arenën e BE-së po lëkundet ndjeshëm statusi i Greqisë si anëtar nuk mbetet gjë tjetër përveçse vlerësimit që do të ketë recensioni i fqinjit mbi ekonomitë e shteteve ballkanike. Në një shkrim të sajtit ispneës.com vihet në dukje fakti që kriza greke do të prekë gjerësisht Ballkanin.

"Nën presionin e tregut ndërkombëtar dhe të partnerëve të tij Evropianë për të ulur deficitin e Greqisë Partia Socialiste Panhelenike në Qeveri anonçoi rritje të taksave dhe një shkurtim 30% të dy rrogave "bonus" që aplikon ky vend për punonjësit civilë (në Greqi ekziston një rrogë e 13-të dhe një e 14-të). Gjithsesi  edhe nga shkurtimi që ju bë rrogave të punonjësve publikë bashkë me rritjen 2% të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar pritet që të rezultojë një ulje e konsumit që do të shoqërohet me një recension më të rëndë për të gjithë grekët.

Kjo gjithashtu do të thotë një kalim të recensionit nga Greqia në ekonomitë fqinje" shkruan IPS.  Fqinji ynë ka qenë në qendër të zhvillimeve financiare gjatë 5 muajve të fundit pas krijimit të Qeverisë së re e cila pranoi se borxhi i saj publik ishte 12.7% në vend të 3.3% dhe se këto borxhe ishin krijuar nga administrimi i mëparshëm. Kjo bëri që institucione si Fich, Standart and Poors dhe Moodys të nënvleftësonin statusin e kreditorit në tregun ndërkombëtar, duke hapur kështu rrugën e përfitimit përmes shitjes së borxhit. Kur kriza shfaqi një kërcënim për bashkimin monetar evropian, Brukseli ndërhyri duke i kërkuar vendit që të adoptonte një program për të marrë veten nga shoku ekonomik.


Më shumë se gjysmë milion shqiptarë jetojnë në Greqi dhe kriza ekonomike duket se do të sjellë pasojat e saj edhe mbi këtë kategori. Shteti fqinj jo vetëm që është investitori më i madh në Ballkan, por gjithashtu një vend rezident që i ofron punë qindra mijëra emigrantëve ekonomikë të rajonit. Në shkrimin e IPS theksohet se elitat politike të Ballkanit Jugor janë të shqetësuara për impaktin e krizës ekonomike greke në vendet e tjera të rajonit. Vendi ynë ka një diasporë që në shifra i kalon dhjetëra mijë në Greqi e cila i dërgon lekët në "shtëpi" ndërkohë që edhe sektori bankar grek është i përhapur në vendet fqinje përfshirë këtu Shqipërinë. Remitancat nga Greqia drejt Ballkanit padyshim që shkojnë disa milion dollarë çdo vit, duke siguruar kështu jetesën për një sërë familjesh. Përfituesit më të mëdhenj ndër vite kanë qenë Shqipëria dhe Bullgaria. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se nga gjysma e dekadës së fundit dy vendet merrnin respektivisht çdo vit nga remitancat 778 milion dollarë Shqipëria dhe 400 milion dollarë Bullgaria.


Investimet greke janë ndër më kryesoret në vendin tonë. Në kohën kur Shqipëria po hap mundësi për investime përmes privatizimeve që do të startojnë, duket se investitorët grek do të mendohen dy herë për të ndërmarrë një vendim. Sipas shkrimit të IPS investitorët grekë po rikonsiderojnë edhe një herë planet e tyre. Gjatë nëntë muajve të parë të 2009-ës mbi 70 milion euro kapital grek u tërhoqën nga Maqedonia duke shitur kompanitë dhe duke u larguar për shkak të krizës. Në rajon investimet greke filluan të hynin fuqishëm pas shpërbërjes së Bllokut Lindor. Në periudhën post-1989-ës përpunimi ushqimor, marketet e tregtimit të ushqimit dhe veshjeve si dhe kompanitë e tekstileve u zhvendosën për të zhvilluar aktivitetin e tyre në Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri.

 Investimet më të mëdha kanë prekur sektorët e ndërtimit, telekomunikacioneve dhe sektorin energjetik në Bullgari,Serbi, Maqedoni dhe Shqipëri. Kapitali bankar grek është bërë kryesuesi në këtë proces. Gjatë 15 viteve të fundit, Bankat greke kanë depërtuar thellë në sistemin bankar të vendeve të Ballkanit. Deri në 2007 shtatë nga bankat më të mëdha greke kishin stabilizuar rreth 20 qendra në rajon me 1900 degë duke punësuar afërsisht 23.500 njerëz. Charalambos Tsardanidis, drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ekonomike në Athinë shprehet se rreth 2005 biznese kanë investuar në Ballkan duke përfshirë këtu telekomunikacionin dhe industrinë në një vlerë 3.5 miliardë dollarë duke krijuar vende pune për dhjetëra mijëra punonjës vendas.


Duke qenë se ekziston një mundësi që trendi i zhvillimit për Greqinë të jetë jo shumë pozitiv gjatë viteve në vazhdim, një tjetër efekt do të shfaqet. Banka Qendrore e Greqisë prej një viti ka këshilluar Bankat greke që të zbatojnë një politikë huadhënieje shumë të kufizuar në Ballkan, duke qenë se pritet që rajonin ta përfshijë recensioni. Ndërkohë që lajme të mira për vendet e rajonit por sidomos për Shqipërinë nuk ka as në aspektin politik. Roli i Greqisë si kontribuues dhe promotor i Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE do të limitohet. Në 2002 Greqia lançoi një zhvillim masiv të nismës së njohur si "Plani Helen për Rindërtimin Ekonomik të Ballkanit" (PHREB) i cili arriti të mblidhte ndihma në një vlerë 163.4 milion euro nga Prodhimi i Brendshëm Bruto i Greqisë për përmirësimin e infrastrukturës publike, organizimit të projekteve sociale për shtatë vende të Ballkanit.

PHREB është projektuar të zgjasë deri vitin tjetër dhe pritet që kontributi total të jetë 550 milion euro, një synim që me shumë mundësi nuk do të realizohet nëse bazohemi tek kushtet aktuale. Plani ishte pjesë e strategjisë greke për përkrahjen e Ballkanit Perëndimor në aspiratën evropiane, një synim që u zhvillua intensivisht gjatë viteve të fundit pos sidomos pas presidencës në BE në vitin 2003. Sipas vlerësimeve të analistëve ka shumë mundësi që situata aktuale të pengojë këtë strategji. Kriza në Greqi mund të dëmtojë kapacitetet e saj për të luajtur ndonjë rol. Për më tepër mund të përforcojë imazhin e keq për Ballkanin Perëndimor i cili gjithsesi nuk është shumë i mirë. Kjo krizë i ka të gjitha potencialet për të dëmtuar perspektivën e një integrimi të shpejtë të rajonit në BE.

Sipas Florian Bieber, ekspert për Ballkanin i cili është lektor në Universitetin e  Kent, kriza aktuale padyshim që do të ngadalësojë integrimin. Ai tregon për IPS se është parë një erozion serioz i solidaritetit mes anëtarëve aktualë të BE-së dhe kriza ekonomike në Greqi me shumë mundësi do të përbëjë një disavantazh për vendet e rajonit.

Edhe nëse ata janë anëtare(si Bullgaria) tani janë më të pakta mundësitë që të pranohen në euro-zone, apo nëse i përkasin Ballkanit Perëndimor do të vëzhgohen më intensivisht se më parë. Belgjika e cila do të marrë presidencën Evropiane të radhës nga Spanja shfaqet më pak miqësore për zgjerimin e BE sesa paraardhësit e saj. Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane, Olivier Chastel, ndërsa përshkruan qëndrimin e vendit për këtë çështje është shprehur se gjërat do të jenë "strikte dhe të ndershme pa bërë premtime".

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)