17 Maj 2024

Kriza e Eurozonës ka lëkundur edhe ekonominë e Kosovës

Prishtinë, 15 nëntor - Ndërkohë që një ngadalësim global dhe një trazirë e kohëve të fundit në Eurozonë kanë lëkundur ekonomitë e gjashtë vendeve në Evropën Juglindore janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Integrimi i tyre më i thellë me Bashkimin Evropian (BE) mbetet perspektiva më e mirë afatgjatë për rritjen e tyre, sipas dokumentit të ri të Bankës Botërore “Raporti i Rregullt Ekonomik mbi Evropën Juglindore” (SEE RER), i nxjerrë sot. Ky është i pari i një serie raportesh të rregullt që do të dalin çdo gjashtëmuaj.

“Parashikimet tona për rritjen ekonomike në këtë rajon janë prej 2.5 për qind në vitin 2011  dhe 2.1 për qind në 2012,” thotë Ron Hood, Kryeekonomist në Sektorin e Bankës Botërore për Uljen e Varfërisë dhe Menaxhimin Ekonomik dhe autor kryesor i raportit.

“Megjithatë, edhe këto parashikime rritjeje modeste supozojnë që kriza e Eurozonës të zgjidhet në mënyrë të rregullt. Nëse kriza do të përkeqësohet, rritja ekonomike në këto vende mund të jetë shumë më e keqe.”

Efektet e një ngadalësimi të mëtejshëm global dhe pasiguritë e zgjatura rreth krizës së EZ do të ndikojnë ekonomitë e SEE6 nëpërmjet tregtisë, investimeve të huaja të drejtpërdrejta (FDI), bankave të huaja dhe remitancave, sipas “Raportit të Rregullt Ekonomik mbi Evropën Juglindore”.

Të gjithë këta kanale do të prekeshin nga tensione më të thella ekonomike dhe financiare në BE dhe EZ.

Tregtia me BE është një shtysë kryesore e eksporteve dhe rritjes së përgjithshme ekonomike për vendet e SEE6, duke përbërë nga 30 për qind deri në pothuajse gjysmën e GDP së tyre.

Në vitin 2010, 58.2 për qind e eksporteve totale ishin drejt BE, ku pjesa e luanit shkonte drejt Italisë dhe Gjermanisë.

Pas një rënieje prej 14.7 për qind në vitin 2009, eksportet shënuan një rritje të fortë prej 20 për qind në vitin 2010, duke arritur kulmin prej 29.7 për qind në tremujorin e parë të vitit 2011 krahasuar me vitin e mëparshëm dhe pas kësaj janë ngadalësuar. Importet kanë një dinamikë të ngjashme, por me një rënie më të thellë në vitin 2009 dhe një ringritje më të heshtur.

Si pasojë, edhe bilanci i tregtisë, edhe deficit aktual i llogarive (CAD) për rajonin u përmirësua me rreth 10 pikë përqindjeje në vitin 2010 krahasuar me vitin 2008. Megjithatë, pavarësisht përmirësimeve të kohëve të fundit deficit aktual i llogarive mbeten ende të larta, veçanërisht në Malin e Zi dhe Kosovë, thotë raporti.

Përtej tregtisë, investitorët e BE janë gjithashtu ofruesit më të mëdhenj të FDI në rajon, me hyrje neto me vlerë mbi 2 për qind të GDP të EJL. Gjithashtu, vendet e EZ paraqesin një burim të rëndësishëm të remitancave për të gjithë vendet e SEE6, veçanërisht për Kosovën, Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, dhe Serbinë.

Prania e bankave të huaja krijon një kanal tjetër të ndikimit të mundshëm. Pjesa e bankave të huaja në asetet totale të sistemit bankar të rajonit është rreth 89 për qind.

“Ndërkohë që sistemet bankare në përgjithësi në vendet e SEE6 duken të jenë rezistente, me likuiditet të lartë dhe amortizatorë të rëndësishëm kapitalë, rreziqet ekzistuese të kredisë dhe financimit po zmadhohen në rajon, të shtyra kryesisht nga zhvillimet negative në BE, barra e kredive me probleme nga bankat në shumë vende të SEE6 dhe rritja ekonomike në ngadalësim,” paralajmëron Hood.

“Pothuajse të gjithë bankat e huaja në SEE6 janë nga vende të BE, me një përqindje krahasueshmërisht të lartë të bankave me pronësi greke dhe italiane. Stresi i mëtejshëm mbi bankat e tyre përkatëse mëmë mund të krijonte një tkurrje tjetër të kredisë në rajon.”

Hood thekson që, “Financimi ka të ngjarë të jetë një kufizim në ecjen përpara. Borxhi i jashtëm është rritur dhe një rënie në rritjen ekonomike në SEE6 mund të shkurtojë të ardhurat e qeverive, duke ngritur presionet për financim publik”.

Raporti iu rekomandon autoriteteve në vendet e SEE6 të tregojnë maturi fiskale, të rindërtojnë amortizatorët fiskalë dhe të jenë të përgatitur për konsolidim të mëtejshëm të shpenzimeve. Për fat të keq, performanca fiskale është përkeqësuar në të gjitha vendet që nga viti 2008, dhe pak vende në rajon kanë ende hapësirë për të trajtuar një përkeqësim të krizës nëpërmjet lejimit të funksionimit të stabilizuesve automatikë. Me përjashtim të Kosovës, asnjë vend nuk ka depozita të mëdha për të tërhequr. Prandaj, disa vende duhet të përshpejtojnë konsolidimin fiskal, me faturat e pensioneve dhe pagave që janë fushat e rëndësishme të fokusimit, thotë raporti.

Ndërkohë që nevojat e menjëhershme të financimit të deficiteve fiskale duket sikur janë siguruar, perspektivat afatgjata do të mbeten të vështira, paralajmëron SEE RER.


Ngritja e shpejtë e borxhit bruto të jashtëm dhe qeveritar ndaj GDP nga viti 2008 në vitin 2010 kryesisht i atribuohet huamarrjes së qeverisë që synon financimin e deficiteve fiskale të përdorura për të zbutur efektet e krizës.

Grupi i SEE6 është heterogjen në lidhje me nivelin e borxhit të jashtëm, ku borxhi total në Malin e Zi dhe Serbi është mbi mesataren e rajonit, ndërkohë që Shqipëria ka borxhin më të madh publik si përqindje e GDP.

Përmirësimi i mundësive të punësimit mbetet një sfidë tjetër afatgjatë për SEE6, nxjerr si përfundim raporti. Niveli i lartë i papunësisë ndërmjet të rinjve dhe pjesëmarrja e ulët e grave është një veçori dalluese e tregut të punës në SEE6. Gjithashtu, një pjesë e madhe e papunësisë është afatgjatë dhe disa vende kanë një popullsi në plakje.

“Rritja e ardhshme ekonomike do të duhet të ketë një shtysë më të madhe nga investimet dhe përmirësimet në produktivitet që përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe kapacitetin prodhues, më shumë se konsumi i financuar nga jashtë dhe investimet në prona të paluajtshme dhe asete të tjera flluskë” thotë Jane Armitage, Drejtoresha e Bankës Botërore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore “Vendet në Evropën Juglindore kanë nevojë të adresojnë sfidat e zgjatura të reformave strukturore. Kjo do t’u lejojë atyre të përfitojnë më mirë nga aksesi në tregje, hyrjet e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, financimi bankar dhe remitancat, të cilat i ofron integrimi më i afërt me BE”.

Karakteristika e veçantë e raportit është fokusi mbi Arsimin dhe mbi Kërkimin dhe Zhvillimin dhe Inovacionin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)