29 Prill 2024

Krimi i organizuar, pengesë për zhvillimin e Kosovës

Prizren, 29 shtator - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të enjten në Prizren një tryezë me temën “Krimi i organizuar dhe pasuria e paligjshme - pengesë për zhvillimin e Kosovës”, ku pjesëmarrës të institucioneve qendrore e lokale, përfaqësues të shoqërisë civile e qytetarë të Prizrenit, kanë diskutuar për nevojën dhe mënyrat më të mira për luftimin e krimit të organizuar.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se vendi ballafaqohet me nivel të lartë të krimit të organizuar dhe se është më se e rëndësishme nxjerrja sa më e shpejtë e Ligjit Kundër Krimit të Organizuar dhe atij për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të Paligjshme. Rëndësi të veçantë sipas tyre është edhe zbatimi i këtyre ligjeve.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, panelist në këtë tryezë ka thënë se Qeveria britanike, nxjerrjen e  Ligjit Kundër Krimit të Organizuar dhe atë për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, e sheh si element kyç në ndërtimin e rendit juridik dhe sundimin e ligjit.

Ambasadori Cliff ka thënë se shpreson që pakoja e këtyre ligjeve të miratohet këtë vit në Parlament, por sipas tij, me rëndësi është edhe implementimi i këtyre ligjeve.

“Kjo pako e ligjeve duhet të miratohet në Parlamentin e Kosovës, por nuk është me rëndësi vetëm miratimi, sa edhe zbatimi i këtyre ligjeve në praktikë”, ka thënë ambasadori Cliff.

Ai ka ofruar gatishmërinë e përvojave britanike në ndërtimin e infrastrukturës ligjore kundër krimit të organizuar. Në nivel strategjik, sipas tij Qeveria britanike dëshiron ta shoh Kosovën të integruar në BE dhe kjo do të thotë se duhet të ketë sundim të ligjit.

Nga ana tjetër, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja ka thënë se fatkeqësisht mungon legjislatura e mirëfilltë për siç ka thënë shërimin e kësaj plage të rëndë dhe kësaj dukurie shumë të shëmtuar që kuron terapi.

“Për fat të keq ende nuk kemi ligj për ndëshkimin dhe parandalimin e krimit të organizuar. Mjaft më me këto dukuri”, ka thënë ndër tjera Muja. Ai po ashtu ka kërkuar që të sanksionohen të gjithë ata zyrtarë që kanë krijuar pasuri të paligjshme.

Deputeti Afrim Kasolli ka vlerësuar se krimi i organizuar dhe korrupsioni po e pengon zhvillimin e vendit. Ai ka thënë se këto dukuri janë bërë gangrenë për shoqërinë kosovare.
“Dhjetë vite pas lufte, ende flitet për korrupsionin, është bërë një gangrenë për shoqërinë kosovare”, ka thënë Kasolli, ndërkohë ka akuzuar edhe sistemin e drejtësisë për mos-efikasitet.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Drejtësisë, Daut Rexhepi ka thënë se ekzekutivi dhe ministria që i takon janë duke punuar në kompletimin e ligjeve që parandalojnë dhe luftojnë dukuritë negative.

“Qeveria ka marrë masa të nevojshme për luftimin e krimit të organizuar. Vëmendje e veçantë i është kushtuar plotësimit të infrastrukturës ligjore”, ka thënë ai, ndërkohë ka shtuar se përgatitja e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar është në fazën përfundimtare.

Ndërkaq, Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së ka vlerësuar se Kosova është ndër vendet me legjislacion të mangët sa i përket luftimit të krimit të organizuar.

“Në të gjitha raportet vendore e ndërkombëtare, jemi të ranguar ndër vendet më të korruptuara. Pavarësisht deklaratave për nxjerrjen e ligjit anti-mafia, ende nuk kemi asnjë hap konkret”, ka thënë Kryeziu.

Kjo tryezë është zhvilluar në kuadër të projektit “Avokimi për kompletimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion në Kosovë” të mbështetur nga Ambasada Britanike. Ligjet të cilat do të jenë objektiv i avokimit tonë janë: Ligji kundër krimit të organizuar dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)