29 Prill 2024

Kredia e Bankës Botërore vazhdon të mbetet peng i legjislativit

Prishtinë, 24 shtator - Kredia prej 20 milion eurosh nga Banka Botërore, (BB) vazhdon të mbetet peng i deputetëve që kanë vendosur të mos e votojnë në Parlament.

Nuk janë vetëm deputetët e pozitës që nuk e votojnë, por edhe ata të opozitës nuk marrin pjesë në seanca dhe nuk mund të ratifikohet marrëveshja për kredi.

Marrëveshje në mes Qeverisë së Kosovës dhe BB-së për t’i marrë 20 milion euro kredi, deputetët deri më tani e kanë refuzuar ta votojnë.

Kjo kredi që nëse e votojnë deputetët, do të shfrytëzohet për dy projekte. Modernizimin e sektorit publik dhe regjistrimin e pronës së paluajtshme dhe kadastrën.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, (MEF) iu patë bërë thirrje deputetëve që ta votojnë këtë kredi. Mirëpo deputetët japin arsye të ndryshëm që nuk e votojnë.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri nuk beson në menaxhimin e parave edhe për këtë arsye thotë se e kundërshton kredinë. “Fakti se si po menaxhohet buxheti dhe pasuria kombëtare, ka bërë që edhe deputetet e Kuvendit ta humbin besimin se kjo Qeveri po punon ashtu si duhet”, vlerëson Shatri.

Sipas Shatrit edhe marrëveshjet për ndonjë kredi, kjo Qeveri po i bën krejt me qëllim të keqpërdorimit e jo për të mirë të vendit. “Andaj edhe po shihet se asnjëherë në sallë kur është kjo çështje në rend të ditës,  nuk bëhen as 80 deputet. Sikur të ishte ndriçimi i plotë te Qeveria me siguri do të ishte ky numër i deputetëve, sepse këtu në radhë të parë kanë munguar deputetët e pozitës”.

Sipas tij arsye tjetër që nuk e voton këtë kredi është përmbajtja e projekteve që sipas tij, nuk janë projekte shumë të rëndësishme që të hyhet në kredi.

 

“Arsyeja kryesore për mos ratifikim të kësaj marrëveshje është vet përmbajtja e projekteve, sepse pjesa e kredive që kërkohet të hyhet borxh flet për disa aspekte që nuk janë shumë të rëndësishme, dhe për të cilat nuk janë të nevojshme”, vlerëson Shatri.

Por, ndryshe mendon Ramë Buja, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK). Sipas tij nuk është dashur të bëhet kaq e madhe dhe kaq polemika për  këto 20 milion euro. Ai mendon se është dashur që në seancën e parë të votohet pro dhe të aprovohet kjo kredi. Madje  Buja i quan deputetët të pa ndërgjegjshëm dhe të nivelit të ulët.

“Niveli i deputetëve është ky që është, dhe nuk mund të krijojmë deputet tjerë tani. Nuk do duhej që të kishte ndasi pozitë dhe opozitë, por ja që këtë nivel e kemi dhe ky pozicion është kështu dhe është fatkeqësi e Kosovës kjo”.

Haki Shatri deklaratën e Bujës e ironizon duke quajtur si qesharake. “Po më banë me qesh sepse këta, (PDK), po mendojnë se ato pare po i gjejnë në bahçe të babës e nuk do t’i kthej kurrë Kosova. Këto 20 milion euro duhet të kthehen prapë e nëse merren e keqpërdoren, si po keqpërdoren të gjitha fondet, atëherë pse ta votojmë hajninë”, thotë Shatri. 

Ndërsa deputetja e Aleancës Kosova e Re, (AKR), Myzejene Selmani thotë se Qeveria nuk është e interesuar që kjo kredi të miratohet. Sipas saj, kjo marrëveshje po hedhet në rend të ditës, por nuk po procedohet. “Qeveria nuk po donë me marrë atë kredi dhe për atë nuk po e qet në votim sepse s’ka pasur koncept që në fillim për këtë kredi dhe as nuk ka ende”, thotë Selmani.

Fajin pozitës ia hedh edhe vetë deputeti i pozitë, ai i LDK-së, Armend Zema.

Ai thotë se ka tha se këtu ka pasur neglizhencë që nga fillimi dhe është neglizhencë e tejskajshme e grupeve parlamentare pa dallim. “Në këtë rast përgjegjësia i bie pozitës sepse llogaritet që e ka numrin e mjaftueshëm për të siguruar votat e duhura që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend ashtu siç është paraparë edhe në këtë aspekt dëmi më i madh i bëhet qytetarëve të vendit”.

Ndryshe shuma e përgjithshme e financimit të këtyre dy projekteve arrin në  20.25 milion dollarë, prej tyre 9.11 milion dollarë janë grant, kurse 11.15 milion dollarë janë kredi e butë. Marrëveshja parasheh financimin e dy projekteve.

Projekti i parë në vlerë 12.25 milionë dollarë, që ka të bëjë me Regjistrimin e Pronave te patundshme dhe Kadastrën, ndërsa projekti i dytë, modernizimi i sektorit publik të Kosovës është rreth 8 milion dollarë, nga kjo shume 4.4 milionë janë kredi për 40 vite dhe me 10 vite grejs periudhë, ndërsa pjesa tjetër e mbetur është grant i asociacionit për zhvillim ndërkombëtar.

Elhami Ismajli

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)