02 Maj 2024

Kosova pa sistem pensional, pensionistët me të shpërfillurit

Prishtinë, 27 shtator - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të martën një tryezë të rrumbullakët me temën “Ndërtimi i Sistemit Pensional në Kosovë”, ku përfaqësues të kësaj kategorie, qeveritarë e përfaqësues të shoqërisë civile kanë diskutuar për mënyrat më të mira të ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm pensional në Kosovë. Me këtë rast KDI edhe ka publikuar një analizë të titulluar “Ndërtimi i Sistemit pensional në Kosovë”.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se kategoria e pensionistëve është më e shpërfillura dhe se nevojitet kompletimi i legjislacionit që përfshinë të gjitha këto kategori, në mënyrë që të ketë mirëqenie dinjitoze për këtë kategori. Nga ana tjetër, përfaqësues të ekzekutivit kanë premtuar se me gjithë vonesën, do të merren seriozisht me këtë çështje.

Zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi, përgjegjës nga ekzekutivi për çështjet sociale dhe shëndetësore ka vlerësuar se ekzekutivi nuk ka bërë sa duhet rreth kësaj çështjeje.

“Qeveria nuk ka shumë për t’u krenuar sa i përket çështjes së pensioneve. Sa i përket sistemit pensional, jemi në situatë të rëndë. Kjo çështje kërkon analizë dhe preventivë. Kemi humbur shumë kohë, por megjithatë duhet të vazhdojmë të merremi me çështjen e pensioneve. Duhet të marrim përvoja të shteteve të tjera”, ka thënë Bukoshi në këtë tryezë.

“Ju sigurojë që këtë shqetësim, jo vetëm se do t’ia përcjell Qeverisë, por edhe do të merrem me këtë çështje”.

Ai ka folur edhe rreth fondit pensional të plaçkitur nga Serbia, për çka ka thënë se kjo temë do të duhej të jetë në agjendën e dialogut me Serbinë.

Bukoshi po ashtu ka mbështetur idenë e liberalizimit të fondeve. Sipas tij, liberalizimi është i nevojshëm dhe se sovrani i parasë së tij të jetë vetë kontribuuesi.

Nga ana tjetër, Agron Krasniqi, zëvendësdrejtor i Trustit Pensional të Kosovës ka përmendur problemet kryesore të funksionimit të sistemit pensional.

“Ekzistojnë dy probleme të mëdha sa i përket sistemit pensional. Së pari kemi të bëjmë me tranzicionin nga skema e kaluar e pensioneve në skemën aktuale. Problemi i dytë ka të bëjë me nivelin e ulët të kontributeve pensionale”, ka thënë Krasniqi.

“Është i nevojshëm po ashtu liberalizimi apo ikja nga monopoli. Pra duhet të lejohet futja edhe e më shumë fondeve”.

Sa i përket mundësisë së rritjes së pensioneve, ai ka theksuar se duhet të rritet kontributi nga 10 në 15 për qind më shtyllën e parë, në mënyrë që të ketë rritje të pensioneve. Këtë vit, ai ka thëenë se shuma e kontributeve ka qenë 105 milion euro.

Dardan Sejdiu, drejtor i Fondit Slloven-Kosovar të Pensioneve ndërkohë ka vlerësuar se prej vitit 2002 deri më tani nuk ka pasur asnjë ndryshim në sistemin pensional.

“Arsyetimi se nuk guxojmë të rrisim kontributet sepse nuk do të kemi investitorë të huaj nuk është i saktë, pasi tani nuk kemi as investitorë. Rritja e kontributeve të bëhet me ligj, nga 5 + 5. Në 8+8 për qind. Shtylla e dytë duhet të hapet dhe politikat investuese duhet të ndryshohen”, ka thënë Sejdiu.

“Dalja nga monopoli e konsolidon sistemin pensional”.

Edhe përfaqësuesit tjerë në tryezë kanë paraqitur vërejtjet e tyre në lidhje me situatën e pensionistëve.

Xhavit Mustafa nga Partia Socialdemokrate ka thënë se Qeveria që sa kohë nuk është duke bërë asgjë rreth çështjes së pensioneve. Sipas tij, gjeneratat duhet të financojnë gjeneratat.

Ndërkohë, Behgjet Shala nga KMDLNJ ka vlerësuar se debati për pensionet nuk duhet të ndalet. Sipas tij, pensionistët janë kategoria më e shpërfillur.

Një qëndrim më ndryshe ka paraqitur Sahit Dragaj, kryetar i Partisë së Pensionistëve. Ai ka thënë se pensionet janë më pak se sadakaja.

“Çfarë është bërë për 12 vitet e fundit, nuk është bërë as në Afrikë e as Amerikë Latine. Kjo është turp. As në qeveri e as në Parlament nuk ka ekzistuar vullnet politik për ta rregulluar çështjen e pensioneve”, ka thënë Dragaj.

Ai për më tepër ka bërë një paralajmërim për ekzekutivin.

“Shumë shpejt do të dalim në rrugë, do t’ua zëmë rrugën qeveritarëve...edhe do të vdesim në rrugë nëse është e nevojshme”.

Për ta evituar këtë, Dragaj ka thënë se do të duhej të formohej një grup ekspertësh ndërkombëtarë, të përfshihen edhe përfaqësuesit e pensionistëve, për ta hartuar ligjin, duke u bazuar edhe në përvojat e shteteve tjera.

Me këtë rast, KDI edhe ka prezantuar një varg rekomandimesh:

Kontributet pensionale të rriten nga sa janë tani, për të mundësuar që një pjesë e këtyre
mjeteve të shkojnë për kategorinë e pensionistëve aktual. Kjo njëherësh do të
ndikonte që modeli aktual i definuar të kombinohet me atë PAYG, për t’i lehtësuar
trasnsicionin kategorive të pensionistëve që nuk përfitojnë nga ky fond;

• Pensionet të jenë të përshkallëzuar varësisht nga kontributi në fond dhe përvoja e
punës së një qytetari;

• ATK dhe Trusti, të ndërmarrin fushatë për të luftuar informalitetin, duke i detyruar
punëdhënësit të lajmërojnë punëtorët e tyre, që të mund të paguhen kontributet pensionale;

• Trusti do të duhej të investonte në marketing për t’i informuar/edukuar qytetarët
rreth rëndësisë së kontribuimit në fondin pensional dhe pasojat eventuale që dalin
nga mos pagimi i këtyre kontributeve;

• Shtylla e dytë, do të duhej të liberalizohej, në mënyrë që qytetarët të kenë të drejtë të
zgjedhin se ku duan t’i investojnë mjetet e tyre, duke bartur përgjegjësinë për kthimin
e mjeteve dhe riskun eventual;

• Qeveria duhet të plotësojë bazën legale dhe te krijojë kushtet e nevojshme për të
mundësuar investimin e mjeteve të fondit pensional në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)