17 Maj 2024

Kosova është në rrugë të mirë që të zhvillohet

Prishtinë, 19 qershor - Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës këtë vit ka filluar mirë, pavarësisht sfidave që i ka pasur ajo. Sipas tij, Kosova është në rrugë të mirë të zhvillohet dhe të ecë drejt integrimeve rajonale dhe evropiane.

Shahini në një intervistë për gazetën “Epoka e re” është shprehur se politikat e qeverisë duhet të koordinohen me komunitetin e biznesit që ato të jenë më të avancuara dhe të sjellin një rezultat, në hapjen e mundësive të reja për të thithur më shumë investime dhe për të gjeneruar më shumë vende të reja të punës.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni gjendjen e tanishme ekonomike në Kosovë?

Shahini: Ekonomia e Kosovës ka pasur edhe ngecje edhe rritje. Me gjithë sfidat që i ka pasur ajo, prapëseprapë mund të vlerësojmë se më shumë ka pasur ritme pozitive dhe të zhvillimit të saj. Një gjë është shumë e qartë, e cila është treguar nga të gjithë organizmat vendorë e ndërkombëtarë - ekonomia e Kosovës ka treguar se ka pasur qëndrueshmëri dhe nuk është prekur nga kriza që i ka përfshirë shumë vende dhe kompani të botës. Ne si AKB i gëzohemi faktit sepse në të gjitha vendet e rajonit nuk ka rritje të madhe ekonomike, ndërsa vetëm Kosova ka rritje prej 4-përqindësh. Ky është një tregues i qartë se Kosova po ec drejt një ekonomie, e cila do të sjellë prosperitet për të gjithë. Kosova nga gjashtë shtetet e rajonit të Evropës Juglindore ka rritje ekonomike.

“Epoka e re”: Ka pasur rënie të investimeve të huaja?

Shahini: Vitet e fundit Kosova ka pasur investitorë të huaj, të cilët e kanë sjell kapitalin e vet në vend dhe kanë filluar të veprojnë në fusha të ndryshme të biznesit. Është e vërtetë se ka pasur një rënie, por kjo gjë është normale kur dihet se në shumë vende mbretëron kriza ekonomike. Kosova ka shumë potenciale që ende nuk janë të ekspluaruara. Po ashtu, Kosova ka rininë që është një pasuri shumë e madhe. Kosova, e cila ka nevojë për promovim të investimeve në shtete të ndryshme, mund të përfitojë nga vendet që tani janë në krizë, pasi mund të thithë investime nga investitorë të ndryshëm. Pra, Kosova nuk është e rrezikuar nga borxhi publik, i cili është një tregues për të pasur më shumë investime. Kosova duhet ta krijojë një ofertë dhe një pako, e cila do të jetë më atraktive. Në Kosovë mungojnë investitorët dhe ata duhet të vijnë, por vendi duhet të bëjë hapa konkretë për thithjen e këtyre investimeve duke nisur nga infrastruktura ligjore, ajo fizike dhe duke bërë vendin joshës për investime, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës dhe rritjen e investimeve të përgjithshme.

“Epoka e re”: Kompanitë turke?

Shahini: Kah është politika e Kosovës e orientuar edhe ekonomia është në atë rrugë. Turqia e ka përkrahur shumë Kosovën si në luftë ashtu edhe në paqe. Turqia është shumë e interesuar ta shtrijë tregun në Ballkan. Kosova tradicionalisht ka pasur raporte të mira me Kosovën. Kosova mirëpret biznesin turk, por edhe të tjerët.

“Epoka e re”: Si i vlerësoni politikat e qeverisë për biznesin?

Shahini: Qeveria e Kosovës deri më tani ka pasur plane të ndryshme me të cilat ka synuar ta zhvillojë ekonominë e vendit. Ka shumë punë për të bërë për t’i përmirësuar politikat fiskale dhe ekonomike në vend. Kryeministri Thaçi ka bërë shumë veprime që kanë qenë në të mirë të biznesit në vend. Ai është i pari që e ka krijuar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Epoka e re”: Cili sektor mund të gjenerojë më shumë vende pune?

Shahini: AKB-ja ka realizuar një hulumtim për tregun e punës në Kosovë. Ekonomia e Kosovës është në tranzicion dhe më shumë modalitet për t’iu qasur zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Deri më tani janë disa sektorë të cilët mund të kenë më shumë prodhim të vendeve të punës. Njëri ndër to është ai i agrobiznesit për të cilën duhet investuar më shumë nga ana e Qeverisë së Kosovës. Pastaj sektori i ndërtimtarisë krijon më shumë mundësi për vende pune e po ashtu një sektor është edhe ai i teknologjisë informative.

“Epoka e re”: Sa po punon AKB-ja për biznesin?

Shahini: Po punojnë për zhvillimin ekonomik dhe duke i ofruar qytetarëve produkte sa më kualitative, me shërbime të reja. AKB-ja po punon për mundësi që Kosova të ketë më shumë investime, bashkinvestime dhe duke tentuar që në këtë formë të kemi rritje të qëndrueshme ekonomike, e cila po i mungon në Kosovë tash disa vjet. Po ashtu, jemi të prirë t’i promovojmë vlerat tona, të cilat nuk kanë pengesa të realizohen në vende të ndryshme të botës. AKB-ja është partner i institucioneve te Kosovës, bizneseve dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë relevantë ekonomikë dhe tregtarë në vend. AKB-ja po punon t’ia ndryshojë imazhin Kosova për të mirë dhe të bëhet ajo që e meriton.

“Epoka e re”: E ka dëmtuar ekonominë mosliberalimi i vizave për Kosovën?

Shahini: Deri më tani shumë biznese janë penguar apo kanë dështuar të krijojnë lidhje më të mira tregtare për ta zhvilluar biznesin. Lajmi për dhënien e udhërrëfyesit për vizat e gëzon biznesin dhe çdo qytetar të Kosovës. Duhet që sa më shpejt Qeveria e Kosovës t’i plotësojë kushtet që të ecim në Evropë pa viza.

“Epoka e re”: Dy projektet e AKB-së këtë vit janë “Berëza e punësimit” dhe “Javët e biznesit kombëtar”. Si janë duke u implementuar ato?

Shahini: Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) këtë vit po i organizon dy projektet më kapitale të saj - “Berëzën e punësimit” dhe “Javët e biznesit kombëtar”. “Berëza e punësimit” ka qëllim rritjen e punësimit në vend. Në këtë projekt janë të integruar bizneset dhe Qeveria e Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)